Egnatia kampione dimri/ Skuadra e Tetovës funksionon si një “makinë e rëndë”
Egnatia e mbyll vitin futbollistik në mënyrën më të mirë të mundshme, si kampione e dimrit, duke marrë kryesimin e kampionatit pas një gare të fortë dhe të ekuilibruar. Ky pozicion në fund të vitit nuk është rastësi, por rezultat i një pune të vazhdueshme dhe i një projekti që po jep frytet e tij. Rrogozhina feston, ndërsa ekipi i saj konfirmon se tashmë është një realitet i padiskutueshëm në elitën e futbollit shqiptar.

Një nga pikat më të forta të Egnatias është fryma e grupit dhe harmonia brenda skuadrës. Çdo lojtar e njeh rolin e tij dhe është i gatshëm të sakrifikojë për ekipin. Stafi teknik ka ndërtuar një identitet të qartë loje, ku disiplina taktike, organizimi dhe agresiviteti pozitiv janë elementët kryesorë. Ky identitet ka bërë që Egnatia të jetë konstante dhe konkurruese në çdo ndeshje.
FILLIM I VËSHTIRË, FUND I LUMTUR – Sezoni nuk nisi ashtu siç pritej për Egnatian. Javët e para u shoqëruan me vështirësi, rezultate jo të plota dhe nevojën për të gjetur ekuilibrin e duhur në fushë. Megjithatë, skuadra nuk u shpërqendrua nga objektivat dhe tregoi qetësi në momentet kur presioni ishte i madh. Pikërisht ky durim e ndihmoi Egnatian të ndërtojë një vazhdimësi bindëse dhe të rikthehet fuqishëm në garë për kreun.
Skuadra e drejtuar nga Edlir Tetova është shembulli më i mirë i një ekipi që rritet me kalimin e javëve. Egnatia funksionon si një makinë e rëndë: fillimisht kërkon kohë për t’u vënë në punë, por sapo merr shpejtësinë e duhur, bëhet e pamëshirshme për kundërshtarët. Loja e saj u bë më e sigurt, më e pjekur dhe më efektive, ndërsa rezultatet nisën të flasin vetë. Sot, ndalimi i kësaj Egnatie është një mision i vështirë për çdo rival.
MISIONI SUPERKUPË – Pas mbylljes së vitit si kampione e dimrit, vëmendja tashmë është e përqendruar te Superkupa ndaj Dinamos, e planifikuar për të dielën. Një përballje që pritet me interes të madh dhe që do të vërë përballë dy skuadra me ambicie të mëdha.
Për Egnatian, kjo finale është një mundësi e artë për të shtuar një tjetër trofe në vitrinë dhe për të konfirmuar momentin e shkëlqyer që po kalon. Rrogozhinasit duan që të marrin “hak” edhe për finalen e kupës me Dinamon, ku e humbën pas gjuajtjeve të penalltive në “Elbasan Arena”. Një humbje që i hoqi mundësinë ekipit të Tetovës të mbyllte një sezon perfekt duke fituar kampionat dhe kupë.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













