Kampionati “kontrovers” i Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 8, 2026 | 19:21

Kampionati “kontrovers” i Shqipërisë

Nga BESNIK DIZDARI
Kur me “kontrovers” (“controverso”) nënkuptohet një dukuri a qëndrim që na thotë se nuk mund të jenë të gjithë në një mendje, por edhe që kemi të bëjmë me një lloj diskutimi midis dy palëve. Madje ka dhe nënkuptimin e kundërshtimeve të opinioneve e të diskutimeve të ashpra.

Besnik-Dizdari

Kësisoji, them se Kampionati i Shqipërisë përbën vërtet një dukuri apo situatë “kontroverse”. Sapo ka përfunduar gjysmën e rrugës të ndeshjeve të tij midis vetëm 10 skuadrave, 40 përqind të të cilave i përkasin hapësirës së ngushtë të kryeqytetit Tiranë: SK Tirana, Partizani, Dinamo, FK Vora. Tre të parat përfaqësuese të një qyteti të vetëm – kryeqytet – që është Tirana, ndërsa e katërta – përfaqësuese e një “fshati”, sot mbase një qytezë e vetëm nja 10 kilometra larg tre të parëve. Mandej 6 të tjera që përfaqësojnë vetëm 4 qytete tradicionalë të futbollit: Shkodër, Durrës, Elbasan, Vlorë. Më pak se asnjëherë në historinë e një Kampionati tejet të varfër me vetëm 10 skuadra. Këtu nis padyshim “kontroversiteti” më “hapësinor” i Kampionatit të Shqipërisë në gjithë historinë e tij 95-vjeçare. Pa harruar se në “shoqërinë” e Vorës bëjnë pjesë edhe Rrogozhina e Ballshi – çka do të thotë se 30 përqind e skuadrave pjesëmarrëse të Kampionatit janë qendra të vogla banimi, pavarësisht të një epërsie historie të Ballshit në këtë treshe.

Ndërkaq, duke vazhduar më tej, shihet se Kampionati për të tretin vit me radhë sundohet pikërisht prej njërës nga këto skuadra të vogla. Eshtë “e vogla” më atipike me emrin antik Egnatia, kjo e Rrogozhinës, por tashmâ “e madhe” në suksese: ka fituar dy titujt e fundit dhe synon të tretin, teksa kryeson mbas përfundimit të pjesës së parë edhe të Kampionatit 202-26. Madje duke pasur 4 pikë mbi AF Elbasanin, 5 mbi Dinamo dhe “rreptësisht” plot 7 nga Vllaznia. Skuadër kjo e fundit, për të cilën deri para pak javëve komentet e ashtuquajtura “analitike”, nuk pushuan së foluri për titullin e mundshëm të saj mbas bukur një të katërt shekulli – “çerek” turqisht. Ka qenë viti 2001!

Duke qëndruar te Java 18, ndërsa Egnatia luajti 24 orë para Vllaznisë, teksa fitoi 1-0 në Durrës, skuadra shkodrane e pa veten 10 pikë mbrapa saj. E pra, psikologjikisht ku do t’i gjente forcat, qoftë për të mposhtur sado pak këte largësi kaq të madhe? Edhe pse do të luante ndaj skuadrës së parafundit, që ishte Flamurtari i Vlorës? Fitoi 3-2, e gati u bë 3-3 , ndonëse mund të bëhej edhe 4-2. Nuk ka dyshim që për emocionet e barabarta të pretendentëve, në kësisoj rastesh ndeshjet e tyre duhet të zhvillohen jo vetëm në të njëjtën ditë, por edhe në të njëjtën orë.

Sigurisht edhe ecuria e Vllaznisë – për ne të famshme – në këto 18 javë patjetër që ta përforcon “kontroversitetin” e Kampionatit. Kujtoni për një çast: ka kryesuar plot 8 javë, duke mbërritur te Java 8 me 4 pikë më shumë se Egnatia, plot 5 pikë më shumë se Dinamo, Teuta e AF Elbasani! E tash plot 7 pikë mbrapa Egnatias! Duke shkruar kështu, të duket se problemi i Vllaznisë përbën problemin e Kampionatit. Kurrsesi! Eshtë thjeshtë një dukuri dhe aq. Ndonëse kur mendon se skuadra shkodrane – “djepi” i futbollit, siç është quajtur – ka plot 25 vjet që nuk fiton asnjë Kampionat, atëherë kjo dukuri meriton më shumë radhë se kaq…

Por ka edhe më tej, kur më duhet të pranoj, se problemi i problemeve janë dy skuadrat e fundit, ajo e Vlorës me emrin “Flamurtari” dhe sidomos kjo e Tiranës me emrin legjendë për Kampionatin e Shqipërisë: “Sportklub Tirana”. Janë pra, dy skuadrat e fundit. Madje SK Tirana është plot 8 pikë larg Bylis të Ballshit në vendin 8, çka do t’i duhet të bëjë disa mrekulli jo të vogla për ta përmbysur. Kjo duket fort e vështirë. Por të mos ngutemi. Ka edhe18 javë kampionat. Ndonëse situata e 28 herë kampionëve, është fort e rëndë: 18 javë, vetëm 10 pikë, vetëm 1 fitore, 10 humbje, vetëm 14 gola të shënuar e 32 të pësuar! Dhe e fundit në renditje. Duket si mjerim, përderisa as arkivi 95 vjeçar i Kampionatit nuk na tregon që të ketë ndodhur ndonjëherë tjetër kjo situatë e SK Tiranës, mbas 18 javëve kampionat. Merreni me mend mandej kur nëse SK Tirana e ngre pak më lart shikimin dhe sheh se ndodhet plot 9 pikë larg Vorës të pahistori. Këtu merr fund ky diskutim.

Ky është Kampionati “kontravers” i Shqipërisë, datuar 2026, i cili pa mëshirë ka vendosë në fund të tij dy ndër skuadrat më historike të Shqipërisë: SK Tiranën dhe Flamurtarin.

Mirëpo, ja që ndodhin edhe këto në futboll. Janë situata që vijnë për shkak të drejtimit jo të mirë, të nënvleftësimit, e në futbollin e sotëm duket qartë se vijnë edhe nga rënia e financave të një klubi. Çka me sa duket, nuk i lejon as këto skuadra historike që të ofrojnë (“të blejnë”) futbollistë të shquar, pra të mbarështrojnë atë që quhet “tregu i futbollit”, italisht “mercato”. (Vazhdojnë të na mbysin fjalët e huaja: “sfida”, “supersfida”, “mercato”, “ofsajt”, “korne”, “penallti”, “komplimentoj” e plot të tjera, ndonëse të gjitha kanë zëvëndësuesen në shqip.). Pa harruar se përsa i përket futbollistëve “autoktonë” që duhet të dalin nga farishtja e klubit, ky sot ta do mendja se është problemi më i madh i Kampionatit të Shqipërisë – temë kjo për një herë tjetër…

Ndërkaq, interesantja tjetër është se për javë të tana Renditja e Kampionatit thuajse nuk ndryshon. Katërshja po ajo me në krye Egnatian, dy vendet e fundit po ata, me në krye SK Tiranën. Dhe i ashtuquaturi “mesi i artë” ndonëse nuk ka asgjë prej ari, i përbërë ky vetëm nga dy skuadra: Teuta (24) e Partizani (23). Po ndërkohë, kur shoh se ndodhen vetëm 2 pikë larg Vllaznisë, të duket se do të tërheqin mbas vetes edhe atë, e kështu katërshja e ashtuquajtur e titullit, mund të bëhet treshe.

Kështu pra, nëse do të kthehemi disi mbrapa vërejmë se me një përjashtim të një farë lëvizjeje të Partizanit – një tjetër i madh ky në vështirësi po të mëdha – renditja në thelb ka 8 javë që nuk ndryshon.

Mos duhet quajtur e gjitha kjo si një qëndrueshmëri e Kampionatit?

Nuk e besoj. Kjo është thjesht një lloj pseudoqetësie, që vjen prej një dukurie tjetër që është niveli i tij po i qetë, në të vërtetë i ulët. “Kontravers” pra. Bie fjala, mbas tri fitoreve rresht, Partizani kalon në dy humbje disi të rënda. E Teuta që shkon e fiton në Shkodër dhe prej këtu përshkohet në plot 5 javë pa asnjë fitore e veç 4 barazime, duke u dorëzuar në Durrësin e vet prej Egnatias fqinje, të cilën vite të shkuara përpiqej që ta ndihmonte…

Dhe mbërrijmë te ajo që ndoshta duhet quajtur fort e rëndësishme, sigurisht në drejtimin organizativ. Eshtë fjala për cënimin e vërtetësisë të Kalendarit të Kampionatit. Bie fjala, nëse Kalendari na thotë se duhet të kemi ndeshjen FK Vora – Vllaznia, pra në Vorë, papritmas ajo shndërrohet në Vllaznia – FK Vora në Shkodër. Nuk ngjet në asnjë vend të Botës. E keqja është se kjo iu duket normale të gjithëve. Pra edhe organizatores së Kampionatit që është FSHF. Dhe ka më shumë raste se ky i Shkodrës… Kësisoji, Kampionati Kombëtar i Shqipërisë denatyrohet, që në shqip mund të thuhet “të çnatyrohet”. Pra të çvërtetohet.

Si fund, duke kërkuar sado pak të bukurën, vërejmë se Kampionati ka gola spektakolarë të një stili europian.

Po për fat deri me çudinë e nja 16 golave të përtej minutës 86, gjysma edhe të përtej minutës 90. Ec e merre vesht, nëse kjo tregon forcë, dobësi apo rastësi… Dhe vetëm mesatarisht 2 gola për ndeshje mesatarja – ndër më të ulëtat në histori. Tjetër mandej “kontraversiteti” i mungesës së spektatorëve. Java 18 ishte vërtet “shembullore”: nuk ishin afërsisht as 1000 spektatorë për ndeshje. Të vjen rëndë, por ky Kampionat është braktisur prej futbolldashësve shqiptarë. Kjo do të thotë, se shpirti sportiv kombëtar po i humbet jo pak këtij populli, i cili “të dielën e futbollit kombëtar” e ka shndërruar në “të dielën e një heshtjeje mospranimi”. Dhe kjo thuajse është absolute!…

Besoj se e shihni se Kampionati 95 vjeçar të Shqipërisë – ndër më të vjetrit në Europë – ka një mori problemash, krejt të qarta e të padiskutushme; madje kaq të padiskutueshme sa më thotë mendja se po gaboj duke e quajtur “kontrovers”…

PANORAMASPORT.AL