Durrësi fatsjellës, Partizani dominon ndaj Teutës. Kryeqytetasit regjistrojnë 11 fitore në 20 transfertat e fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2026 | 19:13

Durrësi fatsjellës, Partizani dominon ndaj Teutës. Kryeqytetasit regjistrojnë 11 fitore në 20 transfertat e fundit

Partizani luan këtë javë në transfertë ndaj Teutës në Durrës. Të kuqtë do të kërkojnë që të “hedhin pas krahëve” barazimin në takimin e fundit të kampionatit ndaj Vorës me rezultatin 2-2 dhe që të rikthehen sërish në rrugën e fitoreve në këtë fazë finale të kampionatit ku ata synojnë vendin e katërt dhe pjesëmarrjen në “Final Four”.partizaniSTATISTIKAT – Kjo transfertë ndaj Teutës, në fakt është fatsjellëse për kryeqytetasit nëse i hedhim një sy shifrave të ndeshjeve të kaluara në stadiumin “Niko Dovana”. Të kuqtë kanë regjistruar tre fitore në tre ndeshjet e fundit të luajtura në qytetin bregdetar, ndërsa nëse këtyre shifrave iu shkojmë edhe më thellë, atëherë shohim se në 20 ndeshjet e fundit të luajtura në Durrës, Partizani ka fituar në 11 prej tyre duke dominuar plotësisht ndaj kundërshtarit në fjalë. Vetëm pesë janë ndeshjet që janë mbyllur në barazim ndërsa katër fitore kanë shkuar në favorin e Teutës. Sa i takon golave të shënuar, Partizani i ka ndëshkuar durrsakët në 28 raste, ndërsa nga 20 përballjet me Teutën ka pësuar vetëm 12 gola. Gjatë këtyre ndeshjeve, Partizani ka ditur të fitojë edhe me rezultat të thellë teksa në dy raste i kanë shënuar Teutës nga katër gola. Fillimisht në fitoren 0-4 të regjistruar më datë dy shkurt të vitit 2022, e po ashtu edhe në triumfin 1-4 të datës 21 tetor të po të njëjtit vit. Nisur nga këto shifra dhe historia, Partizani e nis si favorit këtë ndeshje të radhës, sigurisht kjo edhe për faktin se vjen në një moment më të mirë se rivalët durrsakë, të cilët u rikthyen te fitorja vetëm në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Dinamos.

TAKIMET – Kujtojmë se në ndeshjen e fazës së dytë të zhvilluar në Durrës, Partizani fitoi me një përmbysje spektakolare duke qenë se po humbisnin 2-0 dhe më pas të besuarit e trajnerit Oltijon Kërnaja përmbysën bregdetarët në shifrat 2-3 për të marrë një trepikësh me shumë vlera, aty ku spikati për herë të parë edhe Diego Kontreras. Ndërkohë, në dy ndeshjet e tjera të këtij sezoni të luajtura në “Arenën e Demave”, janë mbyllur njëra në barazim pa gola 0-0 dhe një tjetër me fitoren e të kuqve 2-1. Aktualisht, distanca mes dy skuadrave në tabelën e klasfikimit është gjashtë pikë, teksa për durrsakët kjo ndeshje ndaj Partizanit mund të rezultojë si një nga takimet e fundit për të mos të lënë t’i shpëtojë mundësia e renditjes në katërshen e parë dhe pjesëmarrjen në “Final Four”.

KALENDARI – Ndeshja mes Teutës dhe Partizanit në këtë javë është parashikuar për t’u zhvilluar të shtunën duke nisur nga ora 18:00 në stadiumin “Niko Dovana”. Kujtojmë se në këtë përballje, te Partizani nuk do të mund të kenë të gatshëm mesfushorin Arafat Dumbia që u ndëshkua me karton të kuq në përballjen e fundit ndaj Vorës, ndërsa po ashtu për arsye kartonësh duke plotësuar numrin katër të tyre, do të mungojë në pankinë edhe trajneri Oltijon Kërnaja. Sakaq, jashtë do të jetë edhe David Fadairo me sulmuesin anësor që theu dorën në takimin e fundit me Vorën, duke ngushtuar opsionet në repartin e avancuar, aty ku edhe Isgandarli e Skuka nuk kanë qenë në kondicionin më të mirë të mundshëm në aspektin fizik.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL