Doli kampion me Vllazninë, Meta: Në Kupë nuk ishte faji i Jukajt, vendime të dyshimta të gjyqtarit
Ahmet Meta, një nga emrat e njohur të portës së Vllaznisë në vite dhe ish-kampion me shkodranët në sezonin 1973- 74 ka folur së fundmi për “Panorama Sport”. Veterani i futbollit shkodran analizoi eliminimin nga kupa të kuqebluve. Duke theksuar se Vllaznia “ndëshkoi” veten nga disa gabime e teksa ka një koment edhe për arbitrimin. Ndër të tjera ai tregon se ekipi ka cilësi dhe se ka besim tek titulli kampion në fund të edicionit.

Profesor, një eliminim që la shije të hidhur përballë Dinamos apo jo?
La disi një shije jo të mirë pavarësisht se në futboll nuk ke asgjë të sigurt, asnjëherë. Por skuadra nuk duhet demoralizuar në këto momente dhe duhet të shohë para. Duhet të gjejë reagimin menjëherë dhe të tregojë vlerat e saj. Sepse pastaj sezoni mund të marrë një rrjedhë negative, përpos kësaj disfate.
Ku “çaloi” Vllaznia?
Për mendimin tim Vllaznia e nisi mirë ndeshjen. Kërkoi të kontrollonte lojën dhe të dominonte kundërshtarin. Dinamo u tregua “dinake”, ku me kundërsulme arriti ta godasë Vllazninë. Pastaj kuqeblutë bënë edhe disa gabime individuale që dërguan në pësimin e golave. Nuk e besoj se diferencat me dy skuadrave janë aq sa tregoi rezultati në një moment që ishte 4-0. Shkodranët ia bënë të “lehtë” Dinamos, që nga ana e saj nuk zhvilloi një lojë aq mbresëlënëse dhe dominuese.
Duhet ekipi të riniset nga ai 20-minutësh, ku u duk se reagoi mirë?
Ajo është Vllaznia që ne duam, që krijon dhe shënon në mundësitë e paraqitura. Edhe futbollistët e ardhur nga stoli treguan paraqitje të mirë, duke i dhënë një shtysë tjetër ekipit dhe besoj se me pak fat, Vllaznia edhe mund të barazonte.
Gaboi portieri Jukaj në dy-tri momente, sipas jush?
Ai është një djalosh i ri dhe i talentuar, gabimet do të ekzistojnë gjatë karrierës, sepse nga ato rritesh dhe mëson. Por nuk duhet hedhur faji vetëm te portieri, pasi është i njëjti portier që me pritjet e tij ka qenë vendimtar në disa ndeshje për Vllazninë këtë sezon.
Kishte disa rezerva për gjykimin, jeni dakord?
Absolutisht që po, sepse ajo penallti në favor të Dinamos m’u duk shumë e dyshimtë. Portieri del të kapë një top në zonën e tij, ku dihet që është i favorizuar. Arbitri vërshëllen për penallti në një rast të tillë, atëherë bëj një pyetje se për çfarë duhen portierët. Po ashtu edhe koha shtesë në fund nuk m’u duk e drejtë, sepse loja u ndalua në shumë momente dhe duhet të kishte disa minuta më tepër.
Besoni se kjo skuadër mund të arrijë titullin kampion?
Kam shumë besim, sepse skuadra ka cilësi dhe futbollistë me eksperiencë. Disa prej tyre edhe më të mirët në Superiore. S’kanë ngelur shumë deri në fund dhe ekipi të tregojë veten. Them se i ka mundësitë për të risjellë titullin në qytet, që mungon prej 24 vitesh.
Dueli i radhës me Laçin, që mbyll edhe kampionatin e rregullt. Si e parashikoni?
Vlen vetëm fitorja, sepse duhet mbajtur vendi i dytë. Asgjë tjetër s’ka rëndësi në këto momente dhe Vllaznia duhet të futet në fushë vetëm me një qëllim, që është marrja e 3 pikëve. Dhe në situatën ku ndodhet Laçi, mund të jetë po aq e lehtë, por edhe e vështirë për të marrë pikët e plota.
ENDRI ÇINARI – PANORAMASPORT.AL













