Dinamo vuan jashtë, por dominon në shtëpi. Të besuarit e Dajës kanë probleme me shënimin e golave në transfertë
Pas 25 javësh kampionat, Dinamo ndodhet në vendin e katërt me 36 pikë, në një pozicion që e mban brenda objektivave, por që njëkohësisht rrezikon të mbetet edhe jashtë “Final 4”.

Ky sezon ka treguar një Dinamo me shumë oshilacione dhe ka pasur gjithash një diferencë mes performancës në shtëpi dhe asaj në transfertë. Aktualisht, skuadra blu ndodhet në vendin e katërt me 36 pikë pas 25 javësh dhe e sheh veten 12 pikë larg vendit të parë që mbahet nga Vllaznia. Dinamo ka një ecuri me oshilacione në klasifikimin e përgjithshëm ku numëron 9 fitore, 9 barazime dhe 7 humbje me një golaverazh 29-19. Nëse tabela ndahet mes ndeshjeve brenda dhe jashtë fushe, del në pah një diferencë që po i kushton objektivat madhorë të sezonit.
NDESHJET BRENDA- Në shtëpi, Dinamo ka ndërtuar një bazë të qëndrueshme pikësh. Në 12 ndeshje si pritëse, skuadra ka grumbulluar 20 pikë, me 5 fitore, 5 barazime dhe vetëm 2 humbje, duke realizuar 18 gola dhe pësuar 10. Diferenca +8 tregon një skuadër të balancuar, që kontrollon lojën dhe mbajtjen e topit dhe di të administrojë avantazhin. Edhe kur nuk fiton, Dinamo rrallë del pa pikë në shtëpi. Kjo e ka mbajtur ekipin brenda zonës “Final 4” dhe në kontakt me kreun.
NDESHJET JASHTË- Por tabloja ndryshon ndjeshëm në transfertë. Në 13 ndeshje jashtë fushe, Dinamo ka marrë vetëm 16 pikë, me 4 fitore, 4 barazime dhe 5 humbje. Golat janë 11 të shënuar dhe 9 të pësuar. Në pamje të parë, diferenca +2 nuk duket dramatike, por problemi qëndron te ritmi i pikëve pasi Dinamo numëron vetëm 1.23 pikë për ndeshje jashtë, krahasuar me 1.66 në shtëpi. Për një skuadër me pretendime për t’u ngjitur më lart se vendi i katërt dhe me pretendim titullin kampion, kjo është një frenë e dukshme. Nëse krahasohet me rivalët direkt, diferenca bëhet edhe më e qartë.
Skuadrat që kryesojnë renditjen kanë ndërtuar pjesën më të madhe të suksesit pikërisht në transfertë, duke marrë fitore në fusha të vështira dhe duke ruajtur vazhdimësinë me përjashtim të Vllaznisë e cila ka shkëlqyer në shtëpi. Dinamo, përkundrazi, ka luhatje të theksuara. Forma e fundit e skuadrës me humbje dhe barazime që alternohen tregon edhe presion që e ka kapur skuadrën pasi është duke parë nga java në javë që rivalët e saj po shkëputen në krye, teksa edhe skuadrat e tjera po afrohen e po rivalizojnë për “Final 4” Mesa duket, në ndeshjet në shtëpi Dinamo ka më shumë besim dhe shpesh skuadra merr iniciativën, mban më shumë topin dhe krijon volum loje.
Jashtë, Dinamo shpesh tërhiqet disa metra më poshtë, duke i lënë kundërshtarit kontrollin territorial. Kjo e bën skuadrën më reaktive sesa proaktive. Në disa ndeshje, kjo strategji ka funksionuar, por në shumë raste ka sjellë presion të vazhdueshëm mbi mbrojtjen dhe vështirësi në ndërtimin e aksioneve. Ndërkohë, edhe golat janë një pikë tjetër e cila ka shfaqur diferenca të mëdha mes shtëpisë dhe transfertës. 18 gola në 12 ndeshje në shtëpi kundrejt vetëm 11 në 13 transferta tregojnë se Dinamo krijon më pak dhe konkretizon më pak larg Tiranës. Ritmi i sulmit është më i ngadaltë dhe duket sikur në disa transferta, skuadra ka dhënë përshtypjen se luan për të mos humbur, më shumë sesa për të fituar. Një tjetër faktor është aspekti psikologjik. Dinamo ka humbur disa pikë pas golave të pësuar në momente kyçe, çka tregon vështirësi në menaxhimin e ndeshjeve jashtë fushe.
Ndryshe nga ndeshjet në shtëpi, ku skuadra reagon dhe ka ditur edhe të përmbysë ndeshje, në transfertë reagimi shpesh mungon. Megjithatë, statistikat tregojnë se problemi nuk është dramatik, por më shumë çështje konsistence. Kjo do të thotë se skuadra është konkurruese dhe krijon shpesh herë raste të shumta, por i mungon hapi shtesë për t’i kthyer barazimet në fitore dhe për të shmangur humbjet minimale. Me 36 pikë dhe 12 pikë larg kreut, gara mbetet e hapur. Por nëse Dinamo dëshiron të kalojë në pretendente reale për më shumë, duhet të ndryshojë mentalitetin në transfertë. Skuadrat që synojnë majën veç fitoreve brenda dhe jashtë, kanë pasur edhe vazhdimësi gjë e cila i ka munguar Dinamos.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













