Dinamo duhet të thyejë mallkimin, 5 ndeshje pa fitore në shtëpi
Skuadra e Dinamos po kalon një periudhë të vështirë në ndeshjet e saj në shtëpi. Në pesë përballjet e fundit në Superiore, Dinamo nuk ka arritur të fitojë asnjëherë, duke regjistruar humbje dhe barazime që kanë larguar skuadrën nga objektivat.

Në Superiore këtë vit, Dinamo ka luajtur disa ndeshje të rëndësishme në stadiumin e vet, por rezultatet kanë qenë zhgënjyese, konkretisht në kampionat duke qenë se Kupa ka folur ndryshe. Kryeqytetasit kanë pësuar humbje 0-1 ndaj Teutës, 0- 2 ndaj Partizanit, barazim 1- 1 me Flamurtarin, barazim 0-0 me Bylisin dhe humbje 0-2 ndaj Vllaznisë.
Në Kupë, skuadra ka shënuar fitore 2- 0 ndaj KF Tiranës dhe 3-0 ndaj Besës së Kavajës, duke treguar se formati i Kupës i ka dhënë një frymë të ndryshme, por në kampionat sfidat mbeten të mëdha. VORA- Një detaj interesant lidhet me skuadrën e Vorës, pasi ndeshja e fundit që Dinamo ka fituar në shtëpi në kampionat ishte pikërisht ndaj Vorës në dhjetor të vitit 2025, me rezultatin 2-1.
Pikërisht ndaj Vorës, Dinamo ka arritur të marrë një tjetër fitore në transfertë këtë vit kalendarik me rezultatin 1-2 dhe për ta, mbetet fitorja e vetme në kampionat për vitin 2026. Njëkohësisht, Vora është skuadra e vetme ndaj së cilës, Dinamo ka arritur të marrë fitore të plota duke arkivuar 12 pikë nga 4 përballjet e zhvilluara.
Këtë javë, blutë do të përballen me Elbasanin në shtëpi dhe synohet që të thyhet ky “mallkim” në shtëpi. Rikthimi i fitores në shtëpi do të ishte një pikë kyçe për të përmirësuar moralin e skuadrës dhe për të dhënë shenja pozitive për pjesën e mbetur të sezonit në Superiore.
PANORAMASPORT.AL













