“Detyra ime është të bëj stadium dhe të afroj kualitet”, Idrizi: Tifozët i sjell ekipi, jo stolat apo investimi
Sinan Idrizi nuk preferon ta kryqëzojë Flamurtarin, edhe pse në tri ndeshje ka grumbulluar vetëm dy pikë. Administratori i klubit mendon se skuadra kërkon pak kohë, por është i bindur tek kthesa. Gjatë një prononcimi për mediat, Idrizi vlerëson impenjimin e stafit teknik dhe futbollistëve, ndërsa thekson se kjo skuadër do të rrisë cilësinë e kampionatit shqiptar në këtë sezon.

“Me këtë impenjim që kanë futbollistët, që ka stafi, por edhe që nga trajneri që gjej rastin ta përgëzoj. Po bëhet një punë e jashtëzakonshme në përgatitjen e skuadrës. Mendoj se me pak durim, Flamurtari si emër dhe si fanellë do të bëjë një udhëtim mjaft të mirë dhe pozitiv. Unë e kam thënë dhe gjej rastin që ta përsëris: ky ekip do të rrisë kualitetin në Superioren shqiptare. Nuk janë stolat apo investimi që ne po bëjmë që sjellin tifozërinë në stadium. Tifozët në stadium i sjell ekipi, gjendja e tij. Ata vijnë nga situata e skuadrës. Unë kam besim se po bëhet një punë shumë e mirë nga të gjithë”, shprehet fillimisht Idrizi. Administratori i Flamurtarit ka një mesazh edhe për tifozët, të cilët i fton të mbështesin njëzëri skuadrën: “Tribuna C, të gjithë një zë”.
ME EGNATIAN ME DYER TË HAPURA – Sinan Idrizi është i bindur se ndeshjen me Egnatian, Flamurtari do ta luajë në Vlorë. Duke qenë se pritet të inaugurohen investimet e bëra në stadium, administratori ka një surprizë për tifozët, teksa thotë se hyrja do të jetë falas në të gjitha tribunat. “Unë shpresoj që me punën që po bëjmë do të jetë një histori që ndeshja me Egnatian, të shpresojmë që do të jemi të gjithë në stadium. Ndeshja e parë që do të luhet këtu në Vlorë, që sipas kalendarit e kemi me Egnatian, do të jetë e gjitha falas, hyrja do të jetë e lirë”, premton Idrizi.
PUNIMET NË STADIUM – Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, thekson se punimet për rehabilitimin e stadiumit janë drejt fundit. Kreu i klubit komenton edhe ndërhyrjet e kryera. “Kemi bërë një riparim të plotë të atyre që mund të riparoheshin, pasi në të tjera nuk mund të ndërhyhej. Kemi ndërhyrë, sikundër po shikoni, te pjesa e stolave apo të ndenjëseve, në pjesën e brendshme dhe të jashtme të stadiumit. Kemi ndërhyrë thuajse gjithë andej. Një gjë pozitive që kemi bërë është mbulimi i tribunës C. Tabelat elektronike të llojit të parë në Shqipëri do t’i ketë stadiumi ynë, dhe ato kanë mbërritur tashmë në Pire. Është një ekran shumë i madh që vendoset tek vendi ku është ora. Kemi hequr atë ngrehinën e vjetër që ka qenë atje, atë shëmtinë. Besoj se do të kemi një stadium të tipit që do të jetë dinjitoz për Flamurtarin. Unë në dorë kam punë për të bërë, pastaj “kismeti” është punë e Zotit”, shprehet administratori.
PËR ZËRAT KUNDËR – Sinan Idrizi ka një përgjigje edhe për zërat kundër në Vlorë, për investimin që po realizohet në stadium. “Është diçka interesante në Kuran kur i thuhet Profetit: ‘Ti vetëm puno, vetëm vazhdo, sepse qentë, si t’i mbash afër dhe po i largon, gjuhën jashtë e mbajnë’. Detyra ime është që të bëj stadium. Detyra ime është që të sjell një kualitet. Për të tjerat pastaj, nuk është puna ime”, përfundon Idrizi.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













