“Dëshirë shumë e madhe e lojtarëve për ta fituar këtë ndeshje”, Tetova i pakënaqur me gjykimin: Nuk duhet të bëhemi sebep që të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2025 | 20:36

“Dëshirë shumë e madhe e lojtarëve për ta fituar këtë ndeshje”, Tetova i pakënaqur me gjykimin: Nuk duhet të bëhemi sebep që të…

Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, analizoi barazimin që skuadra e tij arriti në shtëpi ndaj Tiranës, me rezultatin 1 me 1. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, për mikrofonin e “RTSH”, tekniku durrsak ndër të tjera u shpreh:  

tetova

“Çdo trajner e do grupin e plotë, që të ketë mundësi të operojë gjatë ndeshjes. Kishim një pjesë të parë jo të mirë. Si Lushkja dhe Ujka ishin të nxituar, zbrisnin shumë shpejt për të marrë topin dhe kjo i dha avantazhin Tiranës, që t’i kishte nën kontroll të dy mesfushorët tanë. Në pjesën e dytë, edhe kur ngelëm me 10 lojtarë, e kemi dominuar lojën edhe me raste, por pa arritur të gjejmë rrugën e golin. 

Janë disa faktorë, që nuk duhet të bëhemi sebep që të fitojë dikush tjetër. Në qoftë se ndalon ekipin me kartona të kalueshëm, nuk e di çfarë bukurie mund të ketë kjo atmosferë me tifoza, për ta quajtur lojë futbolli.  

Në momentin që një skuadër rri pret Egnatian, duhet të krijohen mundësi tjera për rrugëdalje. Pjesën e dytë e rregulluam. Ishim superior përpara portës kundërshtare. Në pjesën e parë, lojtarët duhet të ishin më të kthjellët në zbritjen për të marrë topin.  

Sot ishte një dëshirë shumë e madhe e për ta fituar ndeshjen nga ana e lojtarëve. Duhet të kemi vazhdimësi dhe orientim të saktë për mbrojtjen e titullit. Bakajoko në pjesën e parë nuk ka kapur asnjë top, por nuk është faji i tij, ai i ka bërë lëvizjet”, deklaroi Tetova.  

PANORAMASPORT.AL