Derbi i shkëputjes, 35 tituj sot në “Arenën e Demave”
E shtunë, ditë pushimi, ora 16:30. Për ata tifozë të flaktë që kanë mbetur nuk është ditë e zakonshme.
Në “Arenën e Demave” zbresin 35 tituj kampion dhe një pjesë e “ajkës” së historisë së futbollit shqiptar. Partizani dhe Dinamo sfidohen edhe një herë si dy skuadra që “kacafyten” për titullin kampion, ngjarje që nuk ndodhte prej më shumë se një dekade. Derbi i parë për 2025-ën nuk është thjesht një ndeshje e radhës, por një betejë që tregon dhe përcakton shumë gjëra për mënyrën sesi kampionati do të vijojë për të dyja ekipet.
NË KRYE – Partizani dhe Dinamo kryesojnë momentalisht renditjen e Superiores me 37 pikë, po aq sa edhe Vllaznia, e treta. Avantazhi në ndeshjet direkte me dy rivalët mban të kuqtë në krye. Kjo e sotmja mund të prodhojë një kryesues të vetëm nga derbi, por mund të prodhojë edhe një përzierje tjetër në renditje. Fakt është që të dyja luajnë fort për “fronin”, mbetet të shihet kush do t’ia dalë të shkëputet me pikë.
DERBI SI SKANER – Për Partizanin kjo ndeshje është si një grafi a skaner. Në këtë përballje do të shohim nëse Partizani ka arritur të rikuperojë dëmet e shkaktuara nga katër largimet e rëndësishme të janarit, apo të kuqtë kanë ende “kocka” të thyera. Fitorja ndaj Dinamos bëri të dukej sikur gjërat po funksionojnë, por kundër bluve, rivalë direkt, duket si prova e së vërtetës. Të kuqtë do të përpiqen të tregojnë se pavarësisht largimeve dhe ndryshimeve, fanella u peshon rëndë dhe emrat mbeten vetëm një detaj.
RIKTHIM – Nisur nga ajo çka ka prodhuar merkatoja dhe duke parë organikat e dy skuadrave, mund të themi se për herë të parë pas më mbi 15 vitesh Dinamo shkon në një ndeshje kundër Partizanit me petkun e favorites në letër. Blutë nuk kanë arritur ta mposhtin asnjëherë Partizanin në 2 betejat e shkuara dhe në këtë pikë të kampionatit kanë shansin më të madh, pasi te të kuqtë ka “avulluar” baza e 11-shes dhe gjërat në klub nuk po funksionojnë si zakonisht.
PANORAMASPORT.AL













