“Derbi do të jetë vendimtar, ai 5-1 më ka dhuruar më shumë emocione”, Erion Xhafa analizon Superioren: Gega ishte më i përshtatshmi, dy skuadra më të favorizuara për trofe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2025 | 18:56

“Derbi do të jetë vendimtar, ai 5-1 më ka dhuruar më shumë emocione”, Erion Xhafa analizon Superioren: Gega ishte më i përshtatshmi, dy skuadra më të favorizuara për trofe

Derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit do të marrë vëmendjen e opinionit sportiv në këtë javë të Superiores. Dhe sipas Erion Xhafës, do të jetë një sfidë vendimtare për fatin e sezonit të dy skuadrave në fjalë.

erion xhafa

Ish-futbollisti i njohur, tashmë në rol drejtuesi në akademinë e Dinamos, ka analizuar në “Sport News” në “News 24”, duelin mes këtyre dy skuadrave, por është ndalur gjithashtu edhe në rrugëtimin e ekipeve drejt trofeve në këtë edicion.

Xhafa, të ka marrë malli për emocionet e derbit? Cili është kujtimi më i bukur që keni, përveç fitores 5-1, kur ishe në stol me Egbonë, po ta ndërlikoj pak…
Çdo derbi është i veçantë, atmosfera të krijon nostalgji. Derbi që më ka dhënë më shumë entuziazëm ka qenë ai 5-1, jo për rezultatin, por sepse na drejtoi më pas drejt titullit kampion. Nuk e filluam mire atë ndeshje pasi pësuam gol, por ajo kthesë më pas 5-1, për mua ka qenë derbi me më shumë emocione.

Nga ai vit kur dolët kampion kanë ndryshuar shumë gjëra, tani Tirana ndodhet në vendin e fundit. A e vendos ky derbi fatin e tyre, mbijetesën?
Ndeshje shumë e rëndësishme, është ndër ndeshjet më përcaktuese. Çdo gabim që Tirana mund të bëjë mund të peshojë shumë. Tirana është skuadra më e rrezikuar. Derbin nuk e parashikon dot, pavarësisht se Tirana është në vështirësi. Do të jetë një ndeshje e hapur, të dyja do të tentojnë të fitojnë, kanë shanse të barabarta. Më vjen keq vërtet shumë për Tiranën, që është në këto pozita. Shpresoj t’ia dalin në fund.

10 derbi radhazi që nuk fitojnë. Më jep një arsye të fortë, çfarë duhet të bëjë ndryshe Tirana, çfarë i duhet për të fituar këtë derbi?
Edhe ndeshjet e fundit që kam parë, Tirana ka vuajtur ngarkesën e madhe psikologjike. Ata e dinë shumë mirë këtë gjë, por duhet ta trajtojnë si ndeshje normale pa marrë shumë ngarkesë. Kjo është një ndeshje ku nuk falen gabimet, ndaj duhet ta trajtojnë si ndeshje normale, pasi në të kundërt nëse futen tek ngarkesa emocionale e derbit, mund t’i kthehet  në bumerang e t’i ndikojë negativisht. Më të nevojshme se çdo gjë tjetër në këtë ndeshje Tirana ka 3 pikët.

Për fatin e keq të Tiranës, por për fatin e mirë të Partizanit, në krye të ekipit të kuq u rikthye Skënder Gega. Dy ndeshje dy fitore, mbi të gjitha në Kupë ndaj Egnatias, a mund ta ndryshojë një trajner fatin e një sezoni?
Një trajner mund ta ndryshojë situatën. Në momentin që Gega erdhi, duke qene njeri i shtëpisë, e njeh mentalitetin, atë se çfarë kërkon tifozeria, ndaj mendoj se ishte njeriu i duhur në kohe kaq të shkurtër për të ndikuar për mirë. Ai i njeh shumë mirë të gjithë problematikat e kësaj skuadre. Mendoj se është njeriu më i përshtatshëm. Ka marre dy rezultate shumë të rëndësishme.

Nëse Tirana rrezikon mbijetesën, po Partizani a e rrezikon prezencën në “Final Four”? Elbasani është vetëm 4 pikë larg, kanë dhe një ndeshje direkte në fund…
Edhe për Partizanin është ndeshje shumë vendimtare. Nëse Elbasani rikuperon pikët në këtë javë është i avantazhuar për shkak të ndeshjeve direkte, ndaj Partizani do të jetë në rrezik. Partizani nuk e ka luksin të bëjë llogari. Ata duhet të jenë të kujdesshëm.

Me jep një parashikim Xhafa, si del derbi?
Vetëm në derbi nuk jep dot një parashikim. Unë nuk kam punuar asnjëherë tek Partizani megjithëse kam shumë miq aty. Nuk dua te jap një parashikim se do të dukem i njëanshëm. Më vjen keq për Tiranën, por nuk mund të jap dot parashikim.

Ekipi tjetër i kryeqytetit, Dinamo juaj, ekipi ku bën pjesë dhe të përfaqëson… Si e sheh Dinamon në këtë fund sezoni, në garë për titull apo për Kupë? Apo mjafton vetëm Europa këtë sezon?
Me formulën e këtij kampionati, çdo skuadër ka objektiv të jetë në Final 4. Mund të dalësh i pari, por me një ndeshje pastaj ti mund të mos e fitosh titullin. Jo vetëm Dinamo, por të 4 skuadrat kanë objektivi titullin. Dinamo është një skuadër ku është investuar në verë, është projektuar për të qene kandidate për titull. Megjithatë fillimisht duhet siguruar “Final 4”, duke menduar ndeshje pas ndeshje, më pas llogaritë bëhen në fund për titull.

Në fund, kush e fiton titullin Xhafa, kë sheh favorit?
Me atë që kanë treguar skuadrat sidomos në dy fazat e fundit, besoj që janë Dinamo dhe Egnatia skuadrat me më shumë stabilitet. Duke parë edhe luhatjet e Vllaznisë e Partizanit, pavarësisht se nuk i heq si pretendete, por një avantazh më të vogël kanë Dinamo dhe Egnatia.

Po lidhur me Kupën e Shqipërisë kur këtë mesjavë u zhvilluan edhe ndeshjet e para të fazës gjysmëfinale, kë shihni si më favorit për të triumfuar në fund?
Partizani mori një fitore të rëndësishme në Rrogozhinë. Llogaritë janë të hapura. Nuk shoh favoritë. Te 4 skuadrat kanë nga 25% shanse për të fituar. Dinamo-Vllaznia është tërësisht e hapur pas barazimit 0-0 të sfidës së parë. Kupa i paraprin  “Final 4”. Duke qene se janë të 4 skuadrat që do të luftojnë me shumë gjasa edhe për titullin kampion. Ndaj në ndryshim nga kampionati, ku Egnatia dhe Dinamo duke qenë se janë në dy vendet e para kanë një avantazh të lehtë, në Kupë janë të 4 skuadrat me shanse të barabarta.

PANORAMASPORT.AL