Çfarë po ndodh me Interin?! Rivalët direkt kthehen në makth për zikaltrit
Inter dhe Napoli vazhdojnë të prodhojnë përballje të zjarrta, por shifrat tregojnë se zikaltrit po hasin vështirësi serioze kundër rivalëve të mëdhenj.

Që nga sezoni i kaluar, Inter nuk ka fituar asnjë nga 13 ndeshjet kundër Napolit, Milanit dhe Juventusit në të gjitha kompeticionet (6 barazime dhe 7 humbje), një tregues i qartë se skuadra e zikaltre po vuan pikërisht në ndeshjet më vendimtare.
Një tjetër figurë kyçe në këtë duel ishte Skot Mek Tominej i cili po shndërrohet në një makth për Interin. Për mesfushorin skocez, Interi është bërë skuadra e parë ndaj së cilës ai ka shënuar në tre ndeshje të ndryshme të Serisë A, ndërsa në total ka realizuar tre gola kundër zikaltërve, po aq sa ka shënuar kundër Torinos, duke e bërë Interin një nga “viktimat” e tij të preferuara.
Nga ana tjetër, Inter vazhdon të mbështetet te një prej armëve më të forta nga mbrojtja: Federiko Dimarko. Që nga rikthimi i tij te klubi në sezonin 2021/22, ai është mbrojtësi me më shumë gola në Serinë A, me plot 19 realizime, duke lënë pas emra si Teo Hernandez dhe Denzel Dumfries, që kanë nga 18 secili.
Këto shifra tregojnë një Inter që shkëlqen individualisht, por që kolektivisht po has pengesa serioze përballë kundërshtarëve direktë për titullin. Ndërkohë, Napoli vazhdon të provojë se është një nga skuadrat më të vështira për t’u mposhtur në Itali.
ILDI MEROLLI – PANORAMASPORT.AL













