“Çështje kohe, afrojmë lojtarë të denjë për Vlorën”. Ferko: Durim, Flamurtarin e presin gjëra të mira
Flamurtar rikthehet në Kategorinë Superiore pas një mungese 5-vjeçare, por sipas premtimeve të drejtuesve të klubit, periudha e errët ka marrë fund dhe kuqezinjtë i presin vetëm “ditë të bardha”. Planet janë të mëdha, por edhe objektivat, pasi synohen dy trofetë që në sezonin e parë të kthimit në elitë.

Drejtori i klubit vlonjat, Alfred Ferko, është në një linjë me Sinan Idrizin, kur thotë se Flamurtari në Superiore do të ketë një skuadër të denjë. Për “Panorama Sport”, drejtori i klubit zbulon se po punohet me kujdes dhe se afrimet e reja janë çështje kohe. Ferko premton emra surprizë që do të bëjnë diferencën dhe do të kontribuojnë në arritjen e objektivave të klubit. “Presim përforcime në skuadër. Jemi në një moment shumë të rëndësishëm në këtë drejtim. Është çështje ditësh dhe çështje kohe.
Po punojmë intensivisht për të gjitha gjërat në drejtim të skuadrës, që do të përfaqësojë Flamurtarin dhe Vlorën në Kategorinë Superiore pas një mungese 5-vjeçare. Mbi të gjitha, jemi duke punuar me kujdes. Nuk ka pse të nxitohemi. Kjo është një punë që po bëhet me angazhimin më maksimal nga klubi. Duhen afruar lojtarë shumë cilësorë. Është vetëm çështje ditësh. Ju do të shikoni që vërtet do të vijnë emra të denjë për Flamurtarin dhe për të bërë diçka shumë më tepër për të arritur objektivat tona. Duhet pak durim, pasi na presin gjëra shumë të mira përpara”, shprehet fillimisht Ferko.
AXHENDA
Zyrtari i klubit, Alfred Ferko, konfirmon se Flamurtari do të zhvillojë një fazë përgatitore prej 21 ditësh në Turqi. Ai thotë se axhenda ndryshoi pasi duhet që skuadra të plotësohet. Sipas Ferkos, përgatitjet në tokën turke do të jenë shumë intensive. “Është e vërtetë që ndryshoi programi i fazës përgatitore. Kjo gjë u bë për t’u formuar i gjithë grupi. Do të shkojmë 21 ditë dhe drejtimi do të jetë drejtë Turqisë. Do të jetë një vendi ideal për të bërë fazë përgatitore. Skuadra do të zhvillojë atje një fazë shumë intensive me qëllim që në gusht ta nisim sa më mbarë kampionatin”, deklaron Ferko.
INVESTIMET
Stadiumi “Flamurtari” është një kantier i hapur ndërtimi. Fusha ka përfunduar tashmë së shtruari dhe po punohet me tribunat. Ferko thotë se çdo gjë do të jetë e re për t’i dhënë Vlorës një stadium dinjitoz. “Kur të fillojë kampionati, më 23 gusht, do të jetë gati edhe fusha e re. Ne e filluam të parën, pikërisht për këtë qëllim dhe për të arritur në kohë. Fusha përfundimisht është mbyllur. Aktualisht po punohet për infrastrukturën në çdo cep të stadiumit. Çdo gjë do të jetë e re dhe e denjë për tifozët e Flamurtarit. Vlonjatëve do t’u dhurojmë një stadium që ata meritojnë për Superioren”, përfundoi drejtori i klubit vlonjat.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL













