Bylisi rigjen dy titullarë, por humb golashënuesin/ Ja situata te ballshiotët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2025 | 23:27

Bylisi rigjen dy titullarë, por humb golashënuesin/ Ja situata te ballshiotët

Pas fitores me Teutën, nuk ka kohë për festë te Bylisi, pasi në radhë është Dinamo, një duel që do të zhvillohet ditën e hënë në “Elbasan Arena”. Ndonëse kanë dalë nga “zona e rrezikut”, ballshiotët janë shumë afër me pikë me rivalët e tjerë dhe mesa duket në tetë javët e mbetura do të jenë plot 6 ekipe në lojë për mbijetesën.

bylis-skenderbeu

Bylisi do të ketë dy rikthime, që janë ato të mesfushorëve të qendrës, ganezit 20-vjeçar Ofori dhe 22-vjeçari Përgjoni, që munguan ndaj durrsakëve për arsye kartonësh. Por që bie në sy një mungesë me “peshë”dhe shumë e rëndësishëm siç është ajo e shënuesit kryesor të mallakastriotëve, sulmuesit Erik Berko.

Ky i fundit u ndëshkua me të verdhë ndaj Teutës të enjten në sfidën e luajtur në Ballsh duke humbur sfidën e radhës me blutë. Megjithatë, në saj të afrimeve që janë bërë në skuadër sulmi pritet që t’i besohet Kamarës, Malomos dhe Gjatës ose Mustafa.

Të katërt janë lojtarë që kanë shfaqur vlera si shënues edhe këtë sezon me Bylisin. Trajneri Gentian Mezani dhe stafi i tij, i përbërë nga dyshja, Xhafa-Sino kanë kryer një seancë të lehtë ditën e djeshme.

Skuadra vijon që të jetë në grumbullim, madje në të tilla kushte do të jetë deri në fund të sezonit, duke qenë e sfidat e mbetura shihen si finale për mallakastriotët. Më pak fjalë ballshiotët janë si në një kazermë, ku të gjithë bëhen gati për “luftë”.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL