Bylisi në fazën vendimtare të përgatitjeve, test me Panatolikosin dhe lëvizje në merkato
Mallakastriotët e Bylisiti i janë rikthyer grumbullimit në kushte shtëpie, aty ku regjimi i vendosur nga trajneri Mirel Josa respektohet me përpikëri nga të gjithë lojtarët. Kjo fazë përgatitore po shërben jo vetëm për aspektin fizik e taktik, por edhe për të zgjidhur disa çështje administrative që lidhen me pjesën e lojtarëve të huaj.

Test i rëndësishëm me Panatolikosin – Bylisi do të zhvillojë një ndeshje miqësore luksi ndaj Panatolikosit grek. Ky test shihet si një mundësi e mirë jo vetëm për të provuar formacionin dhe idetë e Josës, por edhe për të nxjerrë në pah disa lojtarë që kanë spikatur sezonin e kaluar. Në klub nuk e fshehin se kjo sfidë mund të shërbejë edhe për të tërhequr interesin e skuadrave të tjera dhe për të realizuar ndonjë shitje që do sillte të ardhura të rëndësishme në arkat e klubit.
Dokumentacioni i të huajve, çështje e hapur – Në Ballsh, ende po pritet deri në minutën e fundit për pajisjen me dokumentacion të disa prej lojtarëve kryesorë, sidomos atyre të huaj. Klubi po bën maksimumin që t’i ketë të gjithë të gatshëm për testin me grekët dhe për nisjen e kampionatit.
Sulmi, me Mustafa në krye dhe Akibunë që pret shansin – Në skemën e Josës, Ibrahim Mustafa do të jetë referenca kryesore në sulm, por filozofia e lojës së Bylisit kërkon që goli të vijë nga të gjithë repartet. Përgjoni, Malomo, Kamara e Peralta e kanë treguar se mund të shënojnë, por këtë sezon pritet të ketë hapësirë edhe për Akibunë, një sulmues 20-vjeçar nigerian, i gjatë, i fuqishëm dhe i fortë në lojën ajrore. Ai është rritur me moshat e Bylisit dhe U-21, duke fituar maturinë e duhur për të qenë alternativë serioze në sulm.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL













