Bylisi me tre mungesa, kapiteni Marku: Duam pikë në kryeqytet
Sfidën e fundit zyrtare për Vitin 2025, Bylisi e luan sot në fushën neutrale të “Selman Stërmasit”, në kryeqytet teksa si pritëse është Vora. Një duel delikat, me ballshiotët që synojnë të vijojnë ecurinë pozitive, pas dy barazimeve dhe një fitore në javën e shkuar ndaj Elbasanit në “Adush Muçaj”.
Ballshiotët kanë zhvilluar stërvitje dje pasdreke dhe më pas janë grumbulluar në prag të duelit qe luajnë sot me vorakët, me të cilët kanë rivalitet edhe për mbijetesën. Në prag të kësaj ndeshje, te Bylisi ka folur një nga më të spikaturit, Aurel Marku, që mban edhe shiritin e kapitenit në Ballsh prej disa javësh. Marku ka fituar eksperiencë dhe po shfaqet si lider me mjaft siguri në prapavijë. Në prag të duelit me vorakët, ka folur kapiteni Aurel Marku për “Panorama Sport”.
“Janë ndryshe ndeshjet, ajo me Elbasani nga kjo që zhvillojmë sot me Vorën. Por ajo fitore na shërben shumë që ne të ruajmë ritminn sepse vijmë nga tri javë me ecuri pozitive dhe ku kemi dëshmuar forcë karakteri si skuadër, por edhe lojë të bukur. Kështu që duhet që të vijojmë edhe sot ndaj Vorës, të futemi në fushë dhe të japim më të mirën tonë, me synimin e vetëm për të mos dalë pa pikë, pse jo edhe ta fitojmë ndeshjen. Kundërshtarin e respektoj, ka bërë një garë mjaft të bukur dhe duhet që t’i kemi kujdes. Madje kanë marrë rezultate pozitive ai brenda ashtu edhe jashtë fushës së tyre dhe luajnë bukur futboll. Ajo që neve na prish punë janë mungesat, sepse janë tre lojtarë titullarë që mungojnë në ndeshjen e sotme dhe natyrisht që prishin punë. Por besoj se edhe ata që do te futen sot në fushë do të bëjnë më të mirën e tyre”, tha ai.
TRE MUNGESA, FORMACIONI ME DILEMA Ballshiotët u kanë dhënë dorën e fundit përgatitjeve në prag të duelit me Vorën, ku do të synojnë vijimin e ecurisë pozitive. Por, në këtë duel pas disa javësh të qeta rikthehen mungesat te skuadra e Mirel Josës. Bëhet fjalë për lojtarë titullarë dhe mjaft të rëndësishëm, duke filluar që nga Aboubakar Kamara, që u ndëshkua me të kuqe ndaj Elbasanit por edhe Koxhi Muktar dhe Arli Përgjoni me kartonë. Josa ka me duar për lëvizjet dhe zgjidhjet, ndaj nga sa është parë në seanca, Ualison e Peralta mund të rikthehen si titullarë në këtë duel. Skema pritet që të jetë thuajse e njëjtë, ndonëse këta lojtarë që përshtaten si titullarë kanë karakteristika të ndryshe. Objektivi i mallakastriotëve do të jetë marrja e një rezultati pozitiv.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













