Bylisi kthehet në merkato, Josa kalon në sitë të huajt që priten për firmën
Bylisi ka bërë vetëm një afrim deri më tani dhe ai është mesfushori brazilian, Indio Oliveira. Në Ballsh kanë synim së paku që të forcojnë skuadrën edhe me 4 elementë cilësorë, me të cilët janë shtuar bisedimet këto ditët e fundit dhe firmat janë çështje detajesh.

Një portier, një anësor, një mbrojtës-mesfushor qendre dhe një sulmues. Të gjithë janë të huaj dhe që bëhet fjalë për lojtarë me eksperiencë dhe që do t’u bëjnë shumë punë mallakastriotëve në elitë, në kampionatin që starton pas 1 muaji. Nga organika janë larguar 10 futbollistë, por janë rikthyer po kaq nga huazimet në skuadrat e së parës dhe së dytës siç janë Erzeni e Tomori, e po ashtu edhe nga moshat. Ka mbipopullim në ekip, por që shumë prej tyre do të kalojnë në ekipin B, ka bërë që klubi të hidhet në merkato për skuadrën e parë, duke synuar përforcime për 11-shen, por edhe stolin.
MERKATO – Bylisi po përgatitet që krahas afrimeve, të bëjë edhe shitje. Ballshiotët, duke qenë se merkato është në kulmin e vet, janë duke studiuar ofertat që kanë për disa nga “xhevahiret” e tyre. Duke nisur që nga Malomo, Përgjoni, Kamara e ndonjë tjetër. Ofertat për ta nuk kanë munguar nga brenda dhe jashtë vendit këtë periudhë. Ndërsa merkato në dalje duket se kushtëzon edhe atë në hyrje te skuadra mallakastriote, që ka ndryshuar strategji vitet e fundit, pa shumë zhurmë dhe duke afruar lojtarë cilësorë dhe jo emra me bollëk.
Ardhja e Josës në krye të pankinës mund të ndryshojë plane, ndërsa presidenti Besnik Kapllanaj ka menduar që të diskutojë edhe me trajnerin për lëvizjet. Jo më kot edhe nuk kanë nxituar këtë periudhë, duke qenë se kanë pritur që të emërojnë trajnerin e sezonit të ardhshëm. Ashtu siç edhe do të vendosin për fazën përgatitore, ndonëse edhe në kushtet e shtëpisë deri më tani, janë përgatitur më së miri sepse nuk u mungon asgjë.
PANORAMASPORT.AL













