Betejat me rivalët, “Demat” e Partizanit mposhtin vetëm Egnatian
Pretendimi i Partizanit në këtë sezon është të shkojë në katërshe dhe më pas të përballet në gjysmëfinale e finale për titullin kampion. Përballë do të ketë një ose dy mes Vllaznisë, Dinamos dhe Egnatias. Të kuqtë fillimisht duhet të mposhtin konkurrencën e Elbasanit për vendin e katërt, por kjo nuk na ndalon t’i bëjmë një bilanc ndeshjeve direkte të të kuqve kundër tri rivalëve në katërshe.

Sa i përket vitit 2025, kur Partizani pati edhe një ndryshim të madh në organikë, bilanci është negativ. Në total, në gjashtë ndeshje të luajtura, Partizani numëron 2 fitore, 3 humbje dhe 1 barazim. Me Dinamon skuadra e Gegës është ndeshur dy herë, ku një betejë është mbyllur 1-1 dhe në tjetrën kanë fituar blutë me shifra minimale.
Me Vllazninë ka rastisur të jetë vetëm një ndeshje, të cilën e kanë fituar pastër shkodranët, teksa me Egnatian janë luajtur tri beteja dhe është planifikuar edhe një tjetër. Të kuqtë humbën ndeshjen e fazës së tretë në kampionat me rrogozhinasit me shifra 2-0, por më pas me Gegën në krye arritën dy fitore në kampionat dhe Kupë me dy penallti në favor.
Me rrogozhinasit deri më tani bilanci është pozitiv për këtë vit, por gjysmëfinalja e kthimit në Kupë është shumë e rëndësishme dhe të kuqtë kërkojnë të ruajnë avantazhin minimal të betejës së dytë. Duhet thënë se, pavarësisht problemeve, me rrogozhinasit Partizani ia ka dalë të bëjë rezistencë, madje të marrë rezultate pozitive.
PANORAMASPORT.AL













