Bashkia e Kavajës shpërblen boksierët kampionë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2012 | 7:25

Bashkia e Kavajës shpërblen boksierët kampionë

Dje në mesditë në zyrën e tij kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi, ka rezervuar një pritje të veçantë për dy boksierët kampionë të Shqipërisë të klubit shumësportësh “Besa” për kadetë, Edmond Lecini i peshës 63 kg që fitoi edhe diplomën e boksierit më “fair play” dhe Andrea Derjaji të peshës 80 kg. I pranishëm në pritjen e organizuar nga kryebashkiaku Roshi ishte edhe trajneri Shpëtim Begolli. Në këtë takim kanë marrë pjesë drejtuesit të lartë të pushtetit vendor dhe të Drejtorisë të Kulturës e Sportit në Bashki. “Ju lumtë djema, i dhatë një kënaqësi të jashtëzakonshme Kavajës, sportdashësve që ju ndoqën me emocione të forta dhe mbështetën e duartrokitën aq shumë. Është nderim për sakrificat tuaja shpërblimi prej 50 mijë lekë të rinj për titujt e fituar”, – ka saktësuar kryebashkiaku Elvis Rroshi para boksierëve kampionë kavajas, vlerën e premios së merituar për suksesin e tyre. “Ne, – tha më tej ai, – do të jemi më afër jush duke shtuar përkujdesin në lidhje me kushtet më të mira të stërvitjes dhe përfaqësimeve të tjera që ju keni, duke vënë në dispozicion së shpejti një ambient më të mirë e më funksional”. Trajneri Begolli dhe dy boksierët janë emocionuar nga kjo pritje e ngrohtë, duke pohuar se çdo premtim i dhënë nga kryetari i Bashkisë do të behët realitet dhe së shpejti Kavaja në boks do të shpalosë me grupin e djemve pasionantë që ka në skuadër, të tjera vlera më të spikatura. Boksierët e rinj Lecini e Derjaj dhe trajner Begolli kanë shprehur optimizmin e tyre për të tjera rezultate edhe më të mira.
Feriz Ferizaj