Bardhi: Kombëtarja një ëndërr, ndaj Partizanit të marrim maksimumin
Patrik Bardhi ka qenë futbollisti më i mirë për vorakët, gjatë kësaj faze të parë, duke shkëlqyer pothuajse në të gjitha ndeshjet e luajtura.
Ai është aktivizuar përballë të 9 kundërshtarëve të kategorisë superiore, duke luajtur 708 minuta. Për 27-vjeçarin kryeqytetas, gjatë një interviste, fill mbas fazës së parë, sqaron se ky sukses i Vorës gjatë fazës së parë është nga që Vora në përbërje, ka lojtarë me përvojë në superiore të cilët, ja kanë bërë debutimin sa më të lehtë. Sipas tij Vora ka zhvilluar ndeshje shumë të bukura, jo vetëm atëherë kur ka fituar, por edhe në ndeshjet e humbura. Ai tregon se cilat prej ndeshjeve kanë qenë më të vështirat për Vorën. Gjithashtu, ai e konsideron mungesën e stadiumit të Vorës, si një faktor negativ që ka ndikuar tek skuadra e tij.
Bardhi, mbyllët fazën e parë në vendin e 6-të, është e mjaftueshme kjo arritje si skuadër debutuese?
Skuadra edhe pse është debutuese ka në përbërje futbollist që kanë luajtur edhe më përpara në Superiorja dhe e njohin mirë kampionatin nga eksperienca që ata kanë pasur në sezonet që kanë luajtur. Besoj se ka qenë një ecuri e mirë do të thosha edhe pse nuk është ajo idealja që ne kërkonim dhe donim të arrinim, por faza e parë mbaroi dhe tani sytë janë drejtuar te faza e dytë e pikërisht në ndeshjen e radhës.
Cilët do të citonit si ndeshjet me të mira të Vorës këtë fazë?
Ndeshjet më të mira tonat sigurisht kanë qenë ndeshjet, që kemi fituar, por duhet cekur që edhe kur kemi humbur, ne kemi bërë lojë të mirë. Mjafton të kujtojmë ndeshjen me Partizanin, në të cilën ne morëm një rezultat, që sipas mendimit tim nuk e meritonim aspak, por futbolli i tillë është dhe ne nga përvoja që kemi, jemi të vetëdijshëm për të.
Cilat ndeshje do të cilësonit si nga më të vështirat?
Ndeshjet më të vështira kanë qenë përballë Egnatias dhe Dinamos, dy ekipe që janë perfekte në aspektin taktik dhe ishte pak e vështire për ne përballja kundër tyre. Por kjo kthehet në një mësim dhe përvojë, pasi kemi ndeshjet e tjera përpara dhe do mundohemi të përmirësohemi sa më shumë.
Keni përballjen e dytë ndaj Partizanit, çfarë pritet nga Vora?
Eshtë një ditë e rëndësishme për ne, sepse duam ta nisim fazën e dytë në mënyrën tonë më të mirë të mundshme. Luajmë kundër Partizanit, kundër një ekipi të madh, por që ne do të futemi në fushë për të bërë më të mirën dhe për t’i marrë maksimumin kësaj ndeshje.
Sa ka ndikuar mungesa e stadiumit të Vorës në ecurinë ekipit tuaj?
Aspekti fushës ka ndikuar jo pak, sepse të jesh një ekip pa stadiumin përkatës është pak e vështirë që të ambientohesh, duke ditur që edhe ndeshjet brenda, do t’i luash jashtë. Jemi munduar të bëjmë maksimumin dhe besoj se ja kemi dalë deri tani edhe pse faktorin fushë e kishim një kundërshtar të dytë në çdo ndeshje. Tashmë jemi duke pritur përfundimin e punimeve të stadiumit tonë dhe mezi po presim që të zhvillojmë ndeshjen e parë në atë stadium.
Si ka qenë dhe do të jetë sjellja në fushë e Patrik Bardhit?
Jam përpjekur gjithmonë që unë të bëj maksimumin, për të ndihmuar ekipin në çdo ndeshje dhe shpresoj të vazhdoj me të njëjtat ritme.
Jeni cilësuar si lojtari më i mirë në superiore, a keni pasur ndonjë ftesë në ekipin kombëtar?
Kombëtarja për çdo futbollist është një ëndërr dhe secili lufton që ta arrij atë në kulmin e tij të karrierës, mendoj se është pak herët. Më duhet të jap akoma më shumë që të vazhdoj ritmin pa ndërprerë në mënyrë që të punoj edhe më fort, për të qenë një ditë edhe pjesë e saj.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













