Analiza te Partizani/ Gega në qendër të projektit të ri! Tre drejtorë për merkaton, por trajneri ka rol kyç (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2025 | 23:59

Analiza te Partizani/ Gega në qendër të projektit të ri! Tre drejtorë për merkaton, por trajneri ka rol kyç (E PLOTË)

Partizani duhet të ndryshojë dhe duket se për këtë janë bindur edhe drejtuesit. Të kuqtë e mbyllën sezonin me një bilanc jo të duhur për një klub me pretendimet e tyre, teksa përpara kanë Europën, ku synimi është për të mos shkuar thjesht si kalimtarë, por për të fituar ndeshje e për të sjellë të ardhura financiare.

partizani

Për të arritur fillimisht këtë dhe më pas për t’u kthyer te titulli kampion, është e qartë se kërkohen ndryshime.

ANALIZË – Pasi kanë analizuar me detaje gabimet e bëra dhe objektivat e arritura ose jo, në klubin e kuq kanë nisur menjëherë punën për sezonin e ri. Në një takim të ditëve të fundit mes presidentit Demi dhe të gjithë krerëve të tjerë, klubi ka hartuar edhe planin për vazhdimësinë, duke vendosur edhe pikat mbi “i” në lidhje me mënyrën sesi gjithçka do të funksionojë në vazhdim.

DREJTIMI – Partizani shquhet si një nga klubet me më shumë drejtorë dhe kështu do të vazhdojë të jetë. Drejtori i përgjithshëm, Olsi Rama, ai teknik Sokol Haxhia dhe drejtori sportiv, Arbër Abilaliaj, do të duhet të punojnë së bashku për të bërë lëvizjet e duhura në dalje dhe më pas në ardhjen e futbollistëve, me qëllim rikthimin e skuadrës në nivelet e kërkuara. Presidenti Demi, pasi ka bërë analizën e vitit që shkoi, ka kërkuar që të gjithë të bashkëpunojnë në merkato dhe në çdo hallkë tjetër të klubit.

ROLI I TRAJNERIT – Drejtorët do të jenë të angazhuar në sjelljen e emrave të duhur, por nga sa bëhet me dije, pritet që vendimin final ta japë trajneri Gega. Do të jetë ai që do të vendosë nëse futbollistë të caktuar janë në skuadër duhet të qëndrojnë dhe e kundërta. Edhe sa u përket afrimeve, Gega do të shikojë me vëmendje çdo sugjerim të drejtuesve dhe do të jetë ai që do të japë sinjalin final nëse lojtari “X” do të afrohet apo jo. Me pak fjalë, në qendër të këtij projekti është vendosur trajneri, që do të thotë fjalën e fundit sa i përket organikës dhe më pas do të mbajë përgjegjësitë e tij sa i përket asaj që ndodh në fushën e blertë gjatë sezonit.

DALJET – “Kupola” drejtuese po mblidhet vazhdimisht dhe po diskutohet me detaje projekti rreth çdo lojtari. Duhet thënë se shumica e futbollistëve janë nën kontratë dhe Partizani do të duhet të gjejë një zgjidhje në lidhje me ata që nuk janë pjesë e projektit. Plani “A” është ndërprerja e marrëveshjes në formë të dyanshme, ndërsa ai “B” është huazimi në klube të tjera në Shqipëri dhe Kosovë. Shanset janë që të ketë edhe huazime të rinjsh, të cilët kanë vuajtur për të gjetur hapësira gjatë sezonit që sapo u mbyll.

AFRIMET – Në klubin e kuq është një listë me lojtarë që mund t’i shërbejnë projektit, por ende nuk kanë nisur kontakte konkrete për diskutime mbi kontratat apo detaje të tjera. Deri më tani ka pasur vetëm biseda sipërfaqësore, teksa nga e hëna klubi pritet që të nisë punën në terren. Pritet që afrime të ketë në çdo repart, teksa mesfusha dhe sulmi kanë vëmendjen më të madhe.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL