Analiza speciale e ish-sulmuesit të Kombëtares, Kliton Bozgo: Momenti i duhur, ja pse Egnatia ia del ndaj Olimpja Ljubjanës
Ish-sulmuesi i njohur i Tomorit dhe golashënues i kampionatit shqiptar, si dhe i Kombëtares, Kliton Bozgo, është një njohës i mirë i sulmuesit slloven, teksa së fundmi i ka bërë një analizë të detajuar situatës aktuale që po kalon, skuadra e Olimpja Ljubjanës, që është dhe kundërshtar i Egnatias, në turin e tretë të Ligës së Konferencës.

Bozgo u jep shanse maksimale kampionëve të Shqipërisë për të kaluar grupin, teksa tregon që skuadra Sllovene, që sezonin e kaluar fitoi titullin kampion, po kalon një moment të vështirë, si rrjedhojë edhe e ndryshimit të trajnerit, apo disa shitjeve të lojtarëve kryesorë. Në një lidhje në “Skype” për emisionin “E diela sprint”, ish-futbollisti i Kombëtares, është shprehur:
“Është momenti i duhur që Egnatia t’i fitojë të dyja ndeshjet, edhe në Ljubjanë edhe në Shqipëri. Egnatia ka disa përparësi, është një ekip që po dominin vitet e fundit, kurse Olimpja ka probleme shumë të mëdhaja. Trajneri spanjoll që ishte vjet që dolën kampionë iku në momentin e fundit, ka ardhur një portugez.
Portieri kryesor që është edhe portieri i dytë i kombëtares pas Oblak është i dëmtuar edhe 1 muaj tjetër. Mbrojtësin, kapitenin e shitën në Arabinë Saudite si dhe sulmuesin më të mirë e shitën.
Trajneri i ri akoma nuk e njeh ekipin dhe akoma nuk ka gjetur formulën kryesore si të luajë, pozicionet e lojtarëve i ndryshon çdo ndeshje. Dy ndeshjet e para në Champions i humbën ndaj ekipit nga Kazakistani, ndërsa në Ligën e Konferencës mezi kaluan ekipin e Andorrës.
Në 180 minuta në dy ndeshje, luajti vetëm 10 minuta, kur ekipi nga Andorra ishte në block out. Të 3 golat i bëri Pinto, një lojtar portugez, që me ardhjen e trajnerit të ri, ka gjetur vetveten. Ky është pika më e fortë e Olimpjas në këto momente.

Kundër Celjes, nuk bënë presing, por i pritën në gjysmëfushën e vetë. Vjet kanë luajtur 4-3-3, tani luajnë 4-2-3-1. Më shumë pritën të hapej ndonjë zonë, por nuk iu hap asnjë, sidomos në pjesën e parë, Celje kishte 72% topin, Olimpja vetëm 28 %.
Ishte dominim i Celjes, tifozët kanë vërshëllyer ndeshjen, tifozët e braktisë stadiumin që në minutën e 70-të. Nuk besoj se do të gjejë forcën për t’u rimëkëmbur për 4 ditë.
Sulmuesin kryesor që ishte vjet, austriak, e shitën për shifrën rekord 5.8-6 milionë euro. E gjithë loja vjet ishte tek ai lojtar. Nuk i kanë zëvendësuar dot largimet. Nuk po gjejnë do të formulën e vjetshëm. Kam besim që Egnatia do të kualifikohet.
Futbolli ka gjithmonë surpriza, nuk fiton gjithmonë më i forti. Olimpja ka traditë, vjet mundën Rijekën 5 me 0. Në futboll ndodh çdo gjë. Për mendimin tim, Egnatia është më e qetë, Olimpja do jetë nën presion. Portieri i dytë që është tani, ka bërë 2-3 gafa. Nuk ka lider në ekip, nuk janë atë të vjetshmit, është komplet diçka tjetër. Nuk mund ta gjejnë në ditë më të keqe sesa ky moment”, u shpreh Bozgo.
ILDI MEROLLI – PANORAMASPORT.AL













