Abazaj: Kujdes Bylis, blutë të ndëshkojnë kur nuk e pret

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2025 | 12:13

Abazaj: Kujdes Bylis, blutë të ndëshkojnë kur nuk e pret

Ballshiotët kanë mbyllur dje përgatitjeve për sfidën e sotme me Dinamon, që nis në orën 13:30, në stadiumin “Adush Muçaj”.ABAZAJTrajneri Nevil Dede e ka ideuar skuadrën, me të cilën kërkon të sfidojë blutë, pse jo dhe ta nisë me sukses 2025- ën, për më tepër që është një ndeshje shtëpie. Ka optimizëm në radhët e lojtarëve për një rezultat pozitiv ndaj kryesuesve të Superiores.

ABAZAJ – Kapiteni i Bylisit, Marin Abazaj, në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, flet për gjendjen e skuadrës: “Kemi punuar fort këtë periudhë, e kemi shfrytëzuar për sfidën e parë me Dinamon. Gjendja në grup është optimale, aq më shumë që në këtë ndeshje jemi me skuadër të plotë, pasi ka rikthime titullarësh. Situata në skuadrën tonë është më ndryshe, grupi është më kompakt. Këtë e kemi treguar me lojërat e mira që kemi bërë, por edhe me rezultatet që kemi marrë jo vetëm në fushën tonë, por edhe transfertë. Vërtet nuk kemi bërë afrime, por Bylisi ka grupin “armën” më të fortë. Besoj që edhe afrime do të ketë, me lojtarë që vërtet mund të jenë të vlefshëm, edhe pse këtë çështje e di më mirë stafi dhe presidenti dhe ata po kujdesen që skuadra të ketë një ecuri sa më të mirë”, tha Abazaj fillimisht.

DINAMO – Pogradecari ka qenë pjesë e Dinamos më parë në Superiore dhe për duelin me këtë skuadër ka theksuar: “Kam luajtur me Pogradecin, Tiranën, Dinamon dhe këtu në Ballsh. Më shumë këtu, sepse jam pjesë e skuadrës në Kategorinë e Parë dhe dy sezone në elitë. Jam profesionist, më intereson vetëm ecuria e skuadrës sime. Dua të hyjmë në fushë dhe ta fitojmë këtë ndeshje. E vlerësojmë Dinamon, sepse ka një ekip me cilësi, por luajmë në fushën tonë dhe kam besim se do të gëzojmë tifozët tanë në këtë duel të parë zyrtar për vitin 2025. Duhet përqendrim dhe vlerësim që në topin e parë e deri në fundin e sfidës. Ata janë ekip që të ndëshkon atëherë kur nuk e pret. Në të tilla ndeshje duhet të luash shumë mirë dhe prapë nuk mjafton ndonjëherë për të marrë atë që do. Ftoj tifozët të jenë të shumtë dhe të na mbështesin”, ka përfunduar kapiteni i Bylisit, Marin Abazaj.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL