20 vjet “demokraci” të Kombëtares së Shqipërisë: 1991-2011
Nga Besnik DIZDARI
1. NË KËRKIM TË LUFTËTARËVE…
Mbas 3-1 Rusisë dhe 0-0 Republikës së Irlandës, u tha se trajneri Brigel ëndërronte Shqipërinë për në fundoret e një Botërori! Në të vërtetë këtë ai nuk e kishte thënë askund, por do t’ia atribuonin pa e pyetur. Natyrisht kjo, dukej krejt e tepërt. Ndërkaq, ne ia çonim mendjen te historia. E cila na tregonte se një herë kishte ndodhur që Shqipëria t’i kishte synuar fundoret (finalet) e Botërorit, për çudi në “vitin ourellian” 1984: Polonia-Shqipëria 2-2 dhe Shqipëria-Belgjika 2-0. E, tash, “guxonim” duke e bërë ëndërrimtar Hans Peter Brigelin, i cili e quante kalimtar Kampionatin Evropian kur Shqipëria me 5 pikë teorikisht vërtet që mund të ëndërronte. Po Shqipëria mund të renditej edhe e parafundit… Brigel thoshte ndërkaq se “Shqipëria ka shumë talente” dhe “gradualisht ta ndërtojmë ekipin”. Po Shqipëria ishte diçka tjetër, ishte e vogël edhe në futboll. Brigel mendonte për përtëritjen. Ne gëzoheshim ndërkaq, sepse ishim në duar të sigurta të një kuptimi atletik të një 11-shi futbolli: Brigel kishte qenë dekatlonist!.. Ajo Shqipëri e atyre dy ndeshjeve “pranverore 2003” (Rusi 3-1 dhe Irlandë 0-0) nuk mund të harrohej kurrsesi, kur dhe Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa” me përflakjen më historike të jetës së vet, e kishte mahnitur edhe atë vetë. Ndërsa ai e kishte parë Shqipërinë në e pakta dy modele të rralla të lojës jashtë: Gjermania-Shqipëria 4-3 dhe Gjermania-Shqipëria 2- 1. Regjisorët madje kishin qenë shqiptarë: Astrit Hafizi dhe Medin Zhega. Kjo ishte tejet domethënëse për regjisorin tonë gjerman, i cili kishte një ndryshim nga dy paraardhësit me kombësi shqiptare: “Do të luftojmë shumë!” ishte deviza e gjermanit, çka rrallë e patën trajnerët shqiptarë. Dhe në ndeshjen 0-0 me Irlandën kjo mendësi dilte e qartë: rezultat dhe lojë e madhe mbas një lufte të madhe. Na dukej se asnjëherë më parë nuk kishim parë në tokën arbnore një Shqipëri aq trime, aq të fortë, aq të disiplinuar, aq taktike në rreshtimin që u bë i famshëm brenda vetëm 100 orëve: 1-1-2- 5-2? Kur kishte ndodhur që trajneri të mos guxonte të lëvizte një futbollist të vetëm nga 11-shi i një ndeshjeje më parë? Gjermani Brigel e mbështeste gjithçka tek ajo që ai e quante “luftë”. I dukej se për këtë i kishte luftëtarët… Ai sapo i kishte blatuar Shqipërisë mendësinë e fitores. Por sa e kishin shqiptarët mendësinë e luftëtarit Hans Peter Brigel? Në Shqipëri kishte kohë që nuk kishte luftëtarë, ose kishte fare pak. Hans Peter Brigel, po i kërkonte në futboll. Papritmas mendonte se i kishte gjetur në dy ndeshjet e atyre 100 orëve nga Shkodra e “Loro Boriçi”-t te Tirana e “Qemal Stafa”-ës. Dhe na tha: “Ja tek i keni”. Sipas tij emrat e tyre ishin: Foto Strakosha, 38 vjeç, i paplakur, përvojë e rrallë, rekordmen moshe, i pagabueshëm në ndeshjen me Irlandën. Geri Çipi, i cili për çudi, ngjasonte pak me “shqiptarët”, ndonëse qe zot i tokës së vet, teksa kishte dërguar edhe topa të rrallë, të gjatë deri te porta e kundërshtarit. Ardian Aliaj, një “belgjian” tjetër i Vlorës së pashtershme. Elvin Beqiri, për të cilin nuk po flas më. Mandej Altin Lala, kapiteni “gjerman” i Hanoverit nën fanellën e kuqe, “vogëlushi” i madh i Kombëtares. Ervin Skela, aty pranë tij, shkelës i pandalshëm i gjithë fushës, nipi i Profesor Njac Zamputit! Edvin Murati që e kishte lënë mënjanë krizën e vogël të Shkodrës tek i ishte kthyer Muratit “parissengermenas” kundër Irlandës. Klodian Duro – i atëditshmi dhe i ardhshmi i Kombëtares, talenti unik i Elbasanit, dikur një skuadër e fuqishme e traditës. Besnik Hasi, shqiptari i Kosovës, zbulim i mëparshëm kur qenë bërë gati që prishtinas, prizrenas, pejanë e gjakovarë të tjerë të kërkonin fanellën e kuqe. Dhe mandej dy yjet e sulmit: Igli Tare i Serisë A të Italisë pa të cilin nuk mund të bëhej 11-shi dhe Altin Rraklli, shumëkombëshi ynë “i vjetër”, i rikthyer si “i ri”, për të na kujtuar se shkolla e Besës së Kavajës ishte prapë aty. “Shqipëria u kthye në pretenduese (mëtuese) për një kualifikim të mundshëm!”, tha befasisht UEFA. Xhani de Biazi duhet t’i dijë, t’i mësojë këto…
2. GJERMANIZIMI I SHQIPËRISË…
E kisha quajtur “sfida e trajnerit gjerman të Shqipërisë, Hans Peter Brigel”. Dy ndeshjet e fundit do të paraqisnin një shpërthim teknik, të cilësisë së lojës së Shqipërisë, çfarë ndoshta nuk e kishim parë asnjëherë më parë, ndonëse Shqipëria do të humbiste jashtë fushës 2-3 dhe 1-2 respektivisht me Zvicrën dhe Irlandën. E paharrueshme ndeshja e Zvicrës, më se historike, teksa shfaqej kësisoj në skedë:
11 qershor 2003. Genéve. St.: “Stade de Genéve”. EURO 2004 ZVICRA-SHQIPËRIA 3-2 SHQIPËRIA: STRAKOSHA / Kalithea, BEQIRI / Vllaznia, ÇIPI G. / Gent (CANA 46′ / Paris SG), ALIAJ / Charleroi, LALA / Hannover ’96, HASI / Anderlecht, K.DURO / Malatyaspor (DRAGUSHA 73′ / Eintracht T.), SKELA / Eintracht F., BELLAI / Panionios, TARE / Brescia, BUSHI / Istanbulspor (RRAKLLI 62′ / Dyarbakirspor). Trajner: H.P.BRIGEL
GOLAT: Haas 10, Lala 22′, Frei 32′, Cabanas 71′, Skela 86′ (11-m). *
Në të 94′ Strakosha pret 11-metërshin e Cabanas.
GJYQTARE: S.G.Bennett / ANG.
Ajo ishte ndeshja e luajtur jashtë Shqipërisë me numrin më të madh të spektatorëve shqiptarë në krejt historinë tonë. Ishin shitur mbi 12.500 bileta për shqiptarët. Çka do të thoshte se nga 26.700 spektatorë në modernin “Stade de Genéve”, gjysma qenë shqiptarë! Dhe mbi 95 për qind kanë qenë shqiptarë të Kosovës me banim në Zvicër. Kisha mbi 32 vjet që udhëtoja me ekipet sportive shqiptare, por mbrëmjen e pasndeshjes në rrugën e gjatë nga “Stade de Genévë” që të çonte në qendër të Gjenevës, nuk mund ta harroj kurrë. Merreni me mend një turmë të zgjatur, të pafund njerëzish e përzier dhe e mbuluar nga ngjyrat e dy flamujve të dy shteteve, njerëz të kombësive të ndryshme, por që për habi, gjenin një gjuhë të përbashkët mirëkuptimi e ngacmimesh të mira dhe që të gjithë binin në ujdi se kishin parë një ndeshje të mrekullueshme për të dy palët. Zviceranët e sjellshëm e shprehnin gëzimin e fitores duke thënë fjalët më të mira për skuadrën shqiptare. Shqiptarët tonë të Kosovës e harronin ndërkaq, mërzinë e humbjes kur dëgjonin afirmimin. Bisedoja me zviceranë gjatë rrugës dhe për çudi dëgjoja vetëm pyetje se si ishte bërë kjo skuadër shqiptare. Dhe gjithçka ata ia atribuonin Hans Peter Brigelit. Unë mundohesha ta shpërndaja disi meritën ndërkaq, duke bërë sadopak histori. Kur kam marrë trenin për në Lozanë, në vagonin elegant e të rehatshëm, kam gjetur sërish mjedisin gazmor të ndeshjes, “i mbështjellë” po prej mpleksjes së flamurëve të të dy shteteve. A ishte e gjitha një paradoks, kur në fund të fundit Shqipëria ishte një humbëse?… Do të doja t’i tregoja trajnerit të ri të Kombëtares, Xhani de Biazi, se skuadra jonë kombëtare e Hans Peter Brigelit e asokohe, mbasi kishte përforcuar një harmoni loje që nuk e kishim parë asnjëherë, mbasi ishte shndërruar në një skuadër të mirëfilltë sulmuese, mbasi ia kishte arritur të flakte tej në një masë të dukshme emocionet e hershme shqiptare dhe mbasi i kishte dhënë skuadrës një taktikë të saj, të dukej se kishte nisur atë që ishte më e së ardhmes: përtëritjen dhe gjermanizimin. Trajneri i shqiptarëve, ylli i vjetër i Gjermanisë në 72 ndeshje, Kampion i Evropës, Nënkampion i Botës dhe Kampion i Italisë, kishte kuptuar më të rëndësishmen: titullarët e Kombëtares së Shqipërisë duhet të luanin në kampione perëndimorë të Evropës. Dhe deri atë ditë Bundesligën e tij e kishin provuar 7 lojtarë shqiptarë:
Altin RRAKLLI 1993-96 Freiburg 1999-01 U’haching 111/16 Hysen ZMIJANI 1995-96 St.Pauli 7/0 Igli TARE 1996-97 Karlsruher 1999-01 K’lautern 34/4 Besnik HASI 1997-1998 Munchen 7/0 Rudi VATA 2000-02 Energie 31/1 Fatmir VATA 2002-03 Arminia 29/0 Altin LALA 2002-2003 Hannover 32/0
Këta 7 protagonistë të mëdhenj të Kombëtares së Shqipërisë, përfaqësonin mbas Riza Lushtës, Naim Kryeziut, Loro Boriçit, Rudi Vatës, Erion Bogdanit dhe Igli Tares – natyrisht me shkallëzime e ndryshime në aftësitë – përmbledhjen e një arritjeje evropiane, ku dy kosovarët e mëdhenj, fitues të Kupës dhe të Kampionatit të Serisë A të Italisë, si dhe Rudi Vata fitues i Kupës së Skocisë me Celtic, ishin të paarritshëm. Ndërkaq, shtatëshja jonë gjermane udhëhiqej prej simbolit me emrin Altin Rraklli – 111 ndeshje dhe 16 gola në 5 kampionate të Bundesligës! Thuajse pata thirrur: “Lamtumirë Kampionati i Greqisë! Mirë se vjen Bundesligë e Gjermanisë?” Po sot, më 2011? Kam përpara Bundesligën 2011-2012 dhe gjej vetëm tre emra: Altin Lala i Hannover ’96, Edmond Kapllani i Augsburg dhe Odise Roshi i Këln! Dhe asnjeri titullar! Kemi rënë. Shqipëria është duke e humbur Bundesligën…
3. DRAMA E DUBLINIT…
Për hir të saktësisë, pavarësisht nga kompozicioni i shkrimit tonë, ajo kishte ndodhur katër ditë para asaj të Gjenevës. Dhe gjithçka po përkonte me 40-vjetorin e pjesëmarrjes së parë të Shqipërisë në kualifikimet e Kampionateve Evropiane (KE) dhe Botërore (KB) – 29 qershor 1963, Danimarka- Shqipëria 4-0 për KE. Tash, mbas 40 vjetëve, në atë të shtunë të parë të 7 qershorit 2003, Shqipëria kishte dalë në fushën e Dublinit në ndeshjen me Irlandën si mëtuese (pretendente), duke pasur 1 pikë më tepër se vetë Irlanda, e cila kishte njohur edhe të qenurit pjesëmarrëse e turneve fundorë (finalë) botërorë dhe i përkiste stilit britanik të futbollit. Kësisoj, dëmi i humbjes 1-2 me Irlandën ishte historik dhe shkatërrimtar për një fat të madh ëndërrimtar të skuadrës shqiptare. E vërteta ishte se në qoftë se nuk do të ishte aksidentuar Strakosha, në qoftë se irlandezët do të na e kishin kthyer topin e episodit të “fair play”-t, në qoftë se Beqiri do të kishte qenë në një pozicion tjetër në çastin kur Keane dha topin e golit fitimtar për te porta e Beqjes, në qoftë se vetë Beqja do të kishte dalë disi nga porta dhe mbi të gjitha në qoftë se Adrian Aliaj, që prej sa vjetëve luante në Evropë, nuk do të kishte tundur rrjetën me aq “pa mëshirë” në portën e vet, atëherë Shqipëria do ta kishte përfunduar ndeshjen në 1-1, çka dhe e meritonte. Dhe kur mbas orës 22.00, u mësua barazimi 2-2 i Zvicrës me Rusinë, atëherë Renditja e Grupit 10 të EURO 2004, do të kishte qenë kjo: Zvicra 9 pikë, Rusia 7, Shqipëria 6, Irlanda 5, Gjeorgjia 4! Kjo renditje do të thoshte se më 11 qershor 2003, Shqipëria do të zbriste në Stadiumin e Gjenevës, si një nga zbulimet të mëdha të EURO 2004. Por këto ishin ëndrra. Dhe doemos, 2-1 për Irlandën në minutën e 92-të! Dhe renditja reale që ishte kjo: Zvicra 9 pikë, Rusia 7, Irlanda 7, Shqipëria 5, Gjeorgjia 4. Kështu, sepse në futboll nuk shkohet me “në qoftë se”. Gëzimi ynë ishte krejt i vogël: fakti që organizatorët kishin shpallur Geri Çipin – më të mirin e ndeshjes! Shqipëria kishte humbur. Kishte humbur nën këtë pamje:
7 qershor 2003. Dublin. St.”Landsdowne Road”. EURO 2004.
IRLANDA – SHQIPËRIA 2-1
SHQIPËRIA: STRAKOSHA / Kalithea (BEQAJ 76′ / Ofi), BEQIRI / Vllaznia, ÇIPI G. / Gent, ALIAJ / Charleroi, DURO K. / Malatyaspor, HASI / Anderlecht, MURATI / Iraklis (BELLAI 57′ / Panionios), LALA / Hannover ’96, SKELA / Eintracht F., RRAKLLI / Dyarbakirspor (MYRTAJ 85’/ Cesena), TARE / Brescia. Trajner: H.P.BRIEGEL.
GOLAT: Keane 6′, Skela 8′, Aliaj 92′ (vetgol).
GJYQTAR: T.Mikulski / POL.
Ndonëse ajo ishte një nga Shqipërisë më të forta të futbollit që kishim pasur ndonjëherë. Një trajner gjerman, Hans Peter Brigel, po mundohej t’i mësonte asaj shumë gjëra, ndonëse ai kishte mbetur me një vështrim çorientues në minutën e 92-të në Stadiumin “Lansdowne Road” të Dublinit si të donte të shprehte shpirtin e një njeriu, i cili papritmas gjendej përpara një fundi krejt të parakohshëm. Shqiptarët e tij, në këtë çast nuk qenë “të tijtë”, por “të Shqipërisë”, e cila gjithmonë kishte qenë protagoniste e dorëzimeve sensacionale në minutat e fundit.
Shihni:
20.11.1983 RFGJ – Shqipëria 2-1 (gol i Strack në të 79′)!
17.10.1983 Belgjika – Shqipëria 3-1 (gola të Schiffo 84′ dhe Vooderckes 88′)!
31.10.1984 Polonia – Shqipëria 2-2 (gol i Palasz në të 79′)!
20.08.1997 Ukraina – Shqipëria 1-0 (gol i Rebrov në të 85′)!
02.04.1997 Shqipëria – Gjermania 2-3 (gola të Kirsten në të 80′ dhe në të 84′)!
11.10.1997 Gjermania – Shqipëria 4-3 (gola të Marchall në të 86′ dhe të Bierhoff në të 92′)!
14.10.1998 Norvegjia – Shqipëria 2-2 (gola të Rekdal në të 81′ dhe të Berg në të 88′)! 2
4.03.2001 Gjermania – Shqipëria 2-1 (gol i Klose në të 88′)!
07.06.2003 Irlanda – Shqipëria 2-1 (vetgol i Aliajt në të 92′)!
Këto ishin ndoshta 9 ndeshjet më të shkëlqyera që mund të ketë zhvilluar Shqipëria. Dhe të gjitha të humbura prej rrahjeve aritmike të zemrës së shqiponjave në çastin që i thonë “in extremis”, në minutën e fundit, të parafundit apo në prag të fundit…
4. KOSOVA QË “BASHKOHEJ” ME SHQIPËRINË…
Një ditë para ndeshjes e përditshmja “Le Matin”, gazeta kryesore e Lozanës, i kishte kushtuar Lorik Canës dy faqe të tëra së bashku me foton e tij të madhe. Nuk mendoja se autorët e atij shkrimi, kolegët zviceranë Christian Maillard dhe Salvatore Di Nolfi, parashikonin dukjen e rrëmbyeshme të Canës 24 orë më vonë në “Stade de Genéve”. Ata, mbasi vinin në faqen e parë sportive deklaratën e bujshme të Canës së ri se “ne vijmë në Gjenevë për të fituar”, shihnin diçka tjetër, sportive po e po, por dhe kombëtare, në kuptimin e tyre mbase, njerëz të një vendi të rrallë, i cili del në fushën e lojës edhe më dy futbollistë turq, siç qenë të mrekullueshmit Murat dhe Hakan Yakin, doemos të rritur e të formuar prej Zvicrës si shtetas të mirë të saj. Dhe Shqipëria që ende nguronte të mbështetej te bashkëkombësit e saj të jashtë kufijve ende të ngushtuar “shtetërorë”? Pamja shfaqej nën këtë skedë:
11 qershor 2003. Genéve. St.: “Stade de Genéve”. EURO 2004
ZVICRA – SHQIPËRIA 3-2
SHQIPËRIA: STRAKOSHA / Kalithea, BEQIRI / Vllaznia, ÇIPI G. / Gent (CANA 46′ / Paris SG), ALIAJ / Charleroi, LALA / Hannover ’96, HASI / Anderlecht, DURO K. / Malatyaspor (DRAGUSHA 73′ / Eintracht T.), SKELA / Eintracht F.,BELLAI Panionios, TARE / Brescia, BUSHI / Istanbulspor (RRAKLLI 62′ / Dyarbakirspor). Trajner: H.P.BRIEGEL
GOLAT: Haas 10, Lala 22′, Frei 32′, Cabanas 71′, Skela 86′ (11-m). *
Në të 94′ Strakosha pret 11-metërshin e Cabanas.
GJYQTARE: S.G.Bennett / ANG.
Siç e shihni, për herë të parë në historinë e pjesëmarrjes në KE dhe KB, ata ishin tre shqiptarë të Kosovës në Kombëtaren e Shqipërisë. Lorik Cana hyri në fushën e lojës me fillimin e pjesës së dytë, pra në minutën e 46-të, duke zëvendësuar një të sprovuar, Geri Çipin. Ky ishte debutuesi i pazakontë i Shqipërisë, pra i vetmi, i cili luante ndeshjen e parë të tij. Dhe që në minutat e para. Cana do të tregonte se qe një zotërues elegant i topit, i një teknike gati virtuoze, i kalimeve të menjëhershme për te shokët, gjetës i hapësirave, çka vetëm syri i një talenti të natyrshëm, di t’i përmbledhë. Kolektiviteti, puna për të tjerët, lëvizshmëria e papushueshme në fushë, alarmi që Loriku shkaktonte te kundërshtari sapo merrte topin, shikimi i gjerë në horizontin e fushës, plotësonin gjithë portretin e futbollistit që kishte stofin e yllit të ndritshëm. Sot, më 2011, për të sapo ka nisur dhjetvjetëshi i dytë i kombëtares, tash me shiritin e kapitenit në krah, duke u bërë mbas Hasit kapiteni i dytë nga Kosova i Shqipërisë. Ky ishte protagonisti 19-vjeçar Lorik Cana i Shqipërisë, i Paris SG të Francës, i Kosovës, i Prishtinës, aty ku kishte shpalosur futboll të paharrueshëm i ati i tij, i mirënjohuri Agim Cana i plejadës legjendare prishtinase. Ky at futbollisti kishte të drejtë të ofshante si në një relaks që vinte mbas një mundimi. Lorik Cana. Ky “bir i artit”, siç thonë latinët kur është fjala për trashëgimi talenti, ishte zbulimi i madh i ndeshjes së madhe Zvicra – Shqipëria 3-2, të cilën “naivët” tërë e humbën përsëri. Djaloshi i Parisit ndërkaq, ishte pagëzuar pikërisht në një duel të Kampionatit të Evropës, çka mua më kujtonte pagëzimet e ngjashme të disa të mëdhenjve të Shqipërisë kësisoj, shì në ndeshjet tona të Kampionateve Evropiane dhe Botërore. Emrat e tyre dikush duhej t’ia tregonte 19-vjeçarit Lorik Cana prej të cilëve ai kryeulë do të mund të mësonte jopak: Panajot Pano, Iljaz Çeço, Ramazan Ragami, Medin Zhega, Mexhid Haxhiu, Sabah Bizi, Koço Dinella, Ilir Përnaska, Sefedin Braho, Arben Minga, Hysen Zmijani, Agustin Kola, Selejman Demollari, Mirel Josa, Fatbardh Jera, Ylli Shehu, Sokol Kushta, Edi Abazi, Altin Rraklli, Rudi Vata, Bledar Kola, Altin Haxhi, Igli Tare, Fatmir Vata, Altin Lala, Ervin Skela, Geri Çipi, Edvin Murati… Gati 70 vjet më parë Sportklub Tirana dhe Vllaznia e Shkodrës kishin pasur në brendësinë e tyre edhe një shpirt të shqiptarëve të Kosovës, një shpirt më të gjerë arbnor me Riza Lushtën, Naim Kryeziun, Mazllum Xërxën e Skëndër Gjinalin. Në atë 2003 praktikisht përmes Shqipërisë së saj, Kosova ishte bërë e pranishme deri në futbollin e Kupës apo Kampionatit të Evropës. Ky ishte një eveniment historik. Më 24 mars 2001, trajneri i Kombëtares, Medin Zhega, i blatonte fanellën e kuqe të Kombëtares në një ndeshje të Kampionatit Botëror, shqiptarit të Kosovës, Besnik Hasit të Anderleht të Brukselit. Kjo është data historike e përuruar në një ndeshje përtej historisë: Gjermania-Shqipëria 2-1 në Leverkusen, gol i gjermanëve në minutën e 88-të, 4 minuta mbasi Besnik Hasi e kishte lënë fushën e lojës në 1-1. Në mbrëmjen gjenevase të 11 qershorit 2003, gjermani Hans Peter Brigel kishte nxjerrë në fushën e lojës për një ndeshje dramatike të EURO 2004, tre shqiptarë të Kosovës: Besnik Hasi, Mehmet Dragusha dhe “fenomenin Lorik Cana”. Humbjet mbas ndeshjeve të paharrueshme të një stili evropian, nuk po ndjeheshin çuditërisht si një dramë. Në komentin e saj, vetë UEFA përcaktonte kësisoj përmes deklaratës së kapitenit zviceran Chapuisat: “Ishte një fitore shumë e rëndësishme, tri pikë të arta! Një ndeshje e vështirë… Shqipëria na krijoi shumë probleme. Është një skuadër shumë teknike, me një qarkullim të mirë të topit”. Ishte hera e parë në historinë tonë, që një mjeshtër i teknikës së futbollit, shquante Shqipërinë pikërisht për teknikë. Dhe UEFA që nënvizonte më tej: “Shqipëria gjendet 6 pikë larg Zvicrës, por dy ndeshjet që mbeten për t’i luajtur me Gjeorgjinë, lejojnë që ajo të ketë ende një shpresë të vogël për të mbërritur në ndeshjet e “play-off”- it. Do të jetë përcaktuese ndeshja në shtëpi më 10 shtator”. UEFA na ftonte që të mos i humbnim shpresat kur ne nuk kishim ditur kurrë të bënim llogari… Po ndoshta më e rëndësishmja se të gjitha këto ishte se më 11 qershor 2003 në “Stade de Géneve”, Kosova do të “bashkohej” edhe më me Shqipërinë. Dhe kjo do të bëhej edhe më e fortë…














