Zyrtare, largohet Gilberto, klubi konfirmon “divorcin” me futbollistin brazilian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2015 | 17:25

Zyrtare, largohet Gilberto, klubi konfirmon “divorcin” me futbollistin brazilian

gilberto

Gilberto Fortunato mund të quhet zyrtarisht i larguar nga Tirana. Ashtu sikundër pat paralajmëruar një ditë më parë “Panorama Sport”, dje ka marrë dritë e ardhmja e brazilianit. Lajmin në fjalë e ka konfirmuar vetë klubi në fakt, me anë të një njoftimi, që është postuar në faqen zyrtare. Bardheblutë komunikojnë vendimin e 28- vjeçarit për të zgjidhur marrëveshjen, duke shpjeguar kështu edhe mungesën e tij gjatë dy seancave stërvitore që u zhvilluan dje.

Deklarata – “Gilberto Fortunato gjatë ditës së djeshme (të hënën) është përshëndetur me stafin teknik për t’i komunikuar lajmin se ka vendosur të largohet nga Tirana dhe se dëshiron të zgjidhë kontratën. Sulmuesi brazilian ka munguar në dy seancat e ditës së sotme (dje) dhe do zhvillojë një takim me drejtuesit e klubit për të vendosur të ardhmen. Kontrata e Gilbertos ka të parashikuar një klauzolë që lejon prishjen e saj me konsensus në varësi të performancës së lojtarit. Brenda dy ditëve të ardhshme do të ketë një vendim përfundimtar për këtë çështje”, shkruhej në deklaratën e klubit mbi këtë çështje.

Klauzola – Lojtari dhe klubi mund të prishin kontratën në çdo moment, ende pa u mbyllur sezoni dhe hapur merkatoja. Në kontratën e brazilianit është një klauzolë që u jep të drejtën palëve që t’i japin fund bashkëpunimit, në mungesë performance. Në të njëjtën pikë qartësohet se askush nuk del i dëmtuar. Kujtojmë që ai është aktivizuar në 8 ndeshje këtë sezon, duke mos shënuar asnjë gol. Edhe pse u rikthye në verë me shumë bujë, paraqitjet e tij ishin larg pritshmërive. Ndaj, oferta e ardhur nga Azia duket se e ka bindur atë që të marrë këtë vendim. Kjo gjë detyron drejtuesit që të futen në merkato që tani, për të gjetur zëvendësuesin e tij

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"