Prezantohet mbrojtësi Elvin Beqiri: Do ta mbyll karrierën tek ekipi i Vllaznisë

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Korrik 12, 2012 | 15:37

Prezantohet mbrojtësi Elvin Beqiri: Do ta mbyll karrierën tek ekipi i Vllaznisë

Elvin Beqiri është riveshur kuqeblu për dy vitet e ardhshme, të cilat duket se do të shënojnë edhe mbylljen e karrierës së këtij ish-mbrojtësi të kombëtares kuqezi në “fole”, aty ku lindi , u rrit dhe u evidentua si futbollist cilësor. Marrëveshja është arritur pasditen e së mërkurës në zyrat e “KF Vllaznia sh.a”. Sipas saj, Elvin Beqiri do t’i ofrojë shërbimet e tij Vllaznisë për dy vite radhazi, falë kontratës përkatëse që i ka lënë të kënaqura të dyja palët. Beqiri ka thënë pas nënshkrimit të kontratës se ka ardhur për një Vllazni pretendente, i joshur nga ideja e drejtuesve kuqeblu për të synuar titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë. Nga ana e tyre, administratori Shaba dhe drejtori sportiv Grima kanë vlerësuar futbollistin Beqiri, duke u shprehur se me ardhjen e tij, mbrojtja e Vllaznisë forcohet ndjeshëm. Elvin Beqiri është ish- mbrojtës i kombëtares dhe njëkohësisht nga të preferuarit e trajnerit Shpëtim Duro. Beqiri ka luajtur deri dje me Hazar Lankaran, ekip i Azerbajxhanit. Prezantimi zyrtar i Elvin Beqirit, tashmë si pjesë e Vllaznisë, u bë të enjten, në ora 10:00, në zyrat e “KF Vllaznia sh.a.”. Në shoqërinë e drejtorit Armir Grima, ish-bashkëlojtarit të tij te kuqeblutë, tashmë në rol kryesor drejtues te klubi shkodran, Elvin Beqiri është shprehur i lumtur, por dhe i emocionuar, që do të jetë sërish pjesë e skuadrës së vendlindjes. Madje, ka pohuar se do ta mbyllë karrierën e vet futbollistike si profesionist pikërisht aty, te Vllaznia.
Deklaratat “Zemra më thoshte të vija e të luaja aty ku u rrita si futbollist, unë dëgjova atë, por edhe ftesën e drejtuesve të klubit, ndaj jam këtu sot, duke u prezantuar si futbollist i Vllaznisë. Kam firmosur kontratë 2-vjecare me klubin dhe do të mundohem të jap më të mirën time për përmbushjen e objektivave që do të ketë skuadra në vazhdim. Nuk kam pse ta fsheh, rikthehem te Vllaznia për të fituar trofe me të, por edhe për ta mbyll karrierën tek skuadra ime e zemrës, ku u linda, u rrita dhe u afirmova si futbollist, – ka pohuar mes të tjerash Elvin Beqiri, “firma” më e fundit e kuqebluve për dy sezonet e ardhshme.  Kam emocione, pasi vij tek ekipi i zemrës, tek ai ekip që na bëri futbollistë, – ka thënë mbrojtësi i njohur. – Vij tek Vllaznia për të dhënë maksimumin tim, për të bërë më të mirën. Vllaznia është gjithmonë pretendente dhe kështu do të jetë edhe sivjet. Vërej se drejtuesit e klubit po punojnë fort për të bërë afrime cilësore. Sa i takon kombëtares dhe rikthimit tek ajo, kjo gjë nuk është në dorën time. Siç e thashë, unë do të përqendrohem maksimalisht për të kontribuar për Vllazninë.”
Kaq ka qenë prononcimi i shkurtër për mediat i mbrojtësit shkodran, ndërsa drejtori Grima e ka cilësuar blerje të rëndësishme atë të Beqirit. “Si klub kemi shprehur edhe më parë vlerësimet maksimale për mbrojtësin e mirënjohur shkodran. Jemi të sigurt në suksesin e plotë të Beqirit në këtë rikthim në Shkodër,” – ka pohuar ish-portieri kuqeblu, tashmë në rolin e drejtuesit të klubit. Grima, më tej, i pyetur për merkaton dhe emra të veçantë të publikuar në media, ka konfrimuar se ka informacione tashmë publike, ndërsa ka edhe disa informacione të tjera, të cilat klubi i mban për vete deri në momentin që vendos t’i zyrtarizojë për mediat dhe publikun.
Vajushi s’vjen Armando Vajushi nuk do jetë pjesë e Vllaznisë sezonin e ardhshëm, sikurse përflitej nga zëra të ndryshëm në merkaton e kësaj vere. Një konfirmim i tillë ka ardhur nga drejtuesit e klubit kuqeblu, të cilët krahas rikthimit të një shkodrani në radhët e skuadrës së kryeqendrës së veriut, pikërisht të Elvin Beqirit, kanë shuar çdolloj shprese që këtë rrugë ta ndjekë edhe sulmuesi Armando Vajushi. Pengesë është klubi bullgar i Liteksit, ku talenti shkodran ka kaluar që janarin e këtij viti, i cili e konsideron Vajushin të pashitshëm për momentin. Vetë futbollisti në fjalë, përmes adresës së tij zyrtare në Facebook, ka falënderuar të gjithë tifozët e Vllaznisë për mbështetjen që i kanë bërë, ka konfirmuar se kënaqësia ishte e madhe të rikthehej me fanellën kuqeblu, por kjo s’është e mundur, sepse bën pjesë në planet e Liteksit për sezonin e ri futbollistik, ku shpreson dhe beson se do të ketë më tepër hapësira në formacionin e Stojkckovit. “Do vazhdoj të jem pjesë e Liteksit të paktën deri në janar! Pastaj do të shikojmë se çfarë ofertash do të kemi nga klubet e huaja. Falënderoj të gjithë tifozët shkodranë, që prisnin rikthimin tim te Vllaznia, por kjo nuk mund të ndodhë. Ju uroj të shpalleni kampion! Forca Vllaznia, gjithmonë në zemrën time,”- është mesazhi i Vajushit.
Blerja e katërt Në këtë mënyrë, me afrimin e këtij futbollisti të sprovuar edhe më parë me kuqeblutë, por edhe me kombëtaren kuqezi e në skuadra të huaja, Vllaznia konsolidon dukshëm repartin e mbrojtjes, pas së cilit ka një garanci të madhe, si portieri malazez, Vujadinovic. Prezantimi i Beqirit e çon në katër numrin e blerjeve të klubit shkodran në merkaton e kësaj vere. Pas Deliç, Nallbanit dhe Begajt, është Elvin Beqiri, ai që i shtohet “ushtrisë kuqeblu” të trajnerit Shpëtim Duro. Ndërkohë, një tjetër Duro pritet të bëhet pjesë e projektit të Vllaznisë së sezonit të ri, që ka për mision doemos pjesëmarrjen në Kupat e Europës dhe fitimin e trofeve kombëtarë, pikërisht Klodian Duro. Elbasanasi pritet të mbarojë ndeshjet e “Europa League” me Tiranën dhe sipas të gjitha gjasave do t’u bashkohet kuqebluve. Kjo, për shkak se nuk ka një raport normal dhe të besimit reciprok me trajnerin Hulian Rubio. Në ndeshjen e kthimit kundër Grenevmakerit luksemburgas, Klodia Duro nuk figuronte fare në 18-shen e Tiranës, madje nuk kishte udhëtuar fare me skuadrën kryeqytetase, një tjetër fakt që dëshmon se divorci ai ish-mesfushorit të kombëtares me Tiranën pret vetëm zyrtarizimin.





www.minuta90.com