Ylli Çekiçi: Korçarët i dua, por dashuria për djalin është tjetër gjë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2015 | 17:20

Ylli Çekiçi: Korçarët i dua, por dashuria për djalin është tjetër gjë

cekiciYlli Çekiçi, ish-futbollisti i Skënderbeut dhe babai i mesfushorit të Dinamos së Zagrebit, Endrit, në një intervistë për gazetën “Panorama Sport” tregon emocionet kur ka mësuar shortin e “play-off”-it të Ligës së Kampioneve. Ai thotë se Skënderbeu ka mundësi për të kaluar kundërshtarin e radhës dhe për të realizuar ëndrrën që ekipi të marrë pjesë në grupet e Ligës së Kampioneve. Tashmë në këtë pikë, Çekiçi është i dyzuar se kë të mbështesë, ish-ekipin e tij apo djalin, pavarësisht se dashuria për të birin e tij e bën të ndihet pak më shumë si “kroat”.

Profesor, Skënderbeu juaj përballë Dinamos së Endritit. Mund të shprehemi kështu?

Sigurisht që po. Kujtoj me emocion të madh kohën kur luaja me Skënderbeun dhe Endrin që më ndiqte në çdo takim. Ndërsa tani do ta ndjek unë duke luajtur kundër ekipit tim. Pak a shumë është një derbi për të, pasi në fund të fundit është ekipi i qarkut të tij dhe kjo do të jetë një emocion për të, por edhe për mua. Një rastësi e çuditshme, por të jem i sinqertë nuk e doja këtë përballje, pavarësisht se është një emocion i veçantë.

Si e keni pritur momentin kur goglat vendosën përballë Skënderbeun dhe Dinamon e Zagrebit?

Është diçka shumë e veçantë dhe një përballje e fortë. Besoj se do të jetë një eksperiencë e madhe, por edhe një kënaqësi ndër të tjera, pasi do të luajmë në Kroaci, në një vend ku simpatia për shqiptarët është shumë e madhe. Mund ta quajmë veten si në shtëpi, pasi edhe kroatët e kanë në zemër Shqipërinë. Do të jenë dy takime të bukura dhe emocionuese.

Çfarë emocionesh mund të ndieni nëse do të shihnit djalin si titullar kundër Skënderbeut dhe çfarë do t’i sugjeronit?

Shikoni, Endriti është 18 vjeç dhe të jem i sinqertë më duket disi e vështirë për ta nisur si titullar këtë takim, kjo edhe për vetë faktin se dëmtimi i pësuar e ka lënë pas me grupin. Besoj se do të jetë një emocion i veçantë për të, por edhe për të gjithë trajnerët që kanë punuar me Endrin dhe që kanë një meritë të madhe për formimin e tij si futbollist. Sigurisht që nëse do të aktivizohej në këtë takim do të ishte një gjë e madhe për të, pasi luan kundër ekipit të qytetit të tij, nëse mund ta quajmë kështu, pasi brenda një qarku jemi.

Ju e njihni mirë Dinamon, pasi i ndiqni ndeshjet e këtij ekipi. Çfarë skuadre është aktualisht dhe sa shanse ka Skënderbeu?

Të them të drejtën, Dinamo nuk është në momentin e saj më të mirë tani për tani dhe mendoj se shanset e Skënderbeut janë reale për ta kaluar. Është një ekip që punon shumë me talentet e reja, por nuk është në moment të mirë. Ka disa luhatje nga sezonet e kaluara dhe është më dobët se më parë. Për këtë besoj se Skënderbeu mund të përballet me kokën lart. Por, ajo që e bën këtë ekip disi të ndryshëm dhe të fortë, është fakti se ka një grup të madh. Do të thotë që nuk ka problem për mungesat e një apo dy lojtarëve. Ka elementë cilësorë dhe thuajse të një niveli. Por, besoj se gjithçka do të vendoset nga ndeshja e parë në Elbasan. Nëse Skënderbeu arrin të marrë një fitore në takimin e parë, besoj se do të kalojë.

Për kë do të bëni tifo në këtë përballje?

Skënderbeu është një pjesë e rëndësishme e jetës dhe karrierës sime. E dua shumë si ekip dhe kam kujtime shumë të bukura. Por, kur vjen puna këtu, dashuria për djalin më bën të dëshiroj një paraqitje të mirë të Endrit. Nuk besoj se do të jem në rolin e tifozit. Kushdo që të kalojë, do të më bëhet qejfi pafund. Më besoni, jam i emocionuar dhe nuk mund të zgjedh dot.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"