VOLEJBOLL MESHKUJ/ Tirana dhe Erzeni, në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë (REZULTATET)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2022 | 11:22

VOLEJBOLL MESHKUJ/ Tirana dhe Erzeni, në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë (REZULTATET)

Kupa e Shqipërisë në volejboll për meshkuj ka zhvilluar të shtunën ndeshjet e ditës së dytë për fazën e grupeve, duke përcaktuar edhe dy skuadrat e para që presin biletën për në gjysmëfinale, të cilat janë Tirana dhe Erzeni.

tirana partiznai volejboll meshkuj

GRUPI A – Tirana ka regjistruar një tjetër sukses në shifra të pastra, triumf që i mundëson kalimin për në fazën tjetër. Bardheblutë mposhtën Vllazninë me rezultatin 3-0 në sallën “Farie Hoti”.

Kryeqytetasit, të cilët janë edhe fituesit në fuqi të Kupës, e nisën lojën në mënyrën më të mirë, duke u shfaqur dominues që në setin e parë, për të fituar thellë 25- 13.

Në setin e dytë shkodranët kishin një përmirësim të lehtë në lojën e tyre, por jo aq sa për ta vënë në diskutim suksesin e bardhebluve. Skuadra e trajnerit Arben Sako e fiton këtë fraksion 25-20. Edhe seti i tretë nuk ndryshon shumë nga ai paraardhës, me Tiranën që triumfon 25-19 duke i mbyllur llogaritë e ndeshjes për 60 minuta. Kjo ishte fitorja e dytë në grup për Tiranën, që i ngjit kryeqytetasit në kuotën e 6 pikëve.

Në ndeshjen tjetër, Skënderbeu triumfoi në transfertë 1-3 kundër Elbasanit, sukses që i ngjit korçarët në vend të dytë në grup. Seti i parë u mbyll 20-25 për miqtë, ndërsa Elbasani reagoi në të dytin, duke fituar 25-22 për të barazuar në 1-1. Gjithsesi, korçarët nuk falën në dy setet e radhës, duke i fituar ato me rezultatin e njëjtë 21-25.

GRUPI B – Kryendeshja e ditës së dytë ishte pa diskutim përballja e “Asllan Rusit” mes Partizanit dhe Erzenit. Shijakasit morën një fitore spektakolare 2-3 në një ndeshje që zgjati 2 orë, duke prerë kështu biletën për në gjysmëfinale. Ashtu sikurse pritej, sfida rezultoi mjaft e bukur dhe me rivalitet të lartë, mes dy skuadrave që i kanë dhënë tonin volejbollit shqiptar gjatë viteve të fundit.

“Demat” e filluan më mirë duke fituar setin e parë 25-23, ndërsa miqtë u përgjigjën në të dytin duke triumfuar pas pikëve shtesë 24- 26. Skuadra e Ylli Tomorrit u rikthye në epërsi me sete, teksa fitoi fraksionin e tretë, thellë 25-17. Por më pas loja foli vetëm për Erzenin, që dominoi në setin e katërt, duke fituar 19-25, ndërsa i mbylli llogaritë në setin final në shifrat 6-15.

Në përballjen tjetër të Grupit B, Teuta doli me 3 pikë nga transferta ndaj Studentit duke triumfuar me rezultatin e pastër 0-3 (16-25, 23-25, 27- 29). Studentorët eliminohen, ndërsa durrsakët do t’i luajnë të gjitha shanset për kualifikim në ndeshjen e fundit përballë Partizanit.

SK (1)

SK 1 (1)

SK 2 (1)

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"