Vllaznia i gëzohet supergolit të Tafilit, gjysmëfinalja më afër (Video)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2017 | 14:03

Vllaznia i gëzohet supergolit të Tafilit, gjysmëfinalja më afër (Video)

Vllaznia ka mbyllur ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë me rezultatin që dëshironte, një fitore 1-0 që e vendos në një pozicion të favorshëm për të kaluar në turin tjetër të këtij aktiviteti.

Shkodranëve u ka mjaftuar një supergol i shënuar nga Tafili në gjysmën e pjesës së parë, pikërisht atëherë kur dukej se do të ishin durrsakët ata që do të shënonin në portën e vendasve të cilët po shfaqeshin shumë të paqartë në lojën s tyre. Gjithçka ndryshoi nga goli, pasi Vllaznia gjeti më shumë hapësira në vijim dhe krijoi raste të tjera me kundërsulme të shpejta, ashtu si edhe Teuta e cila ishte gjithmonë në sulm, në kërkim të barazimit.

Por asnjë nga skuadrat nuk arriti të dërgonte më topin në rrjetë dhe dueli u mbyll me fitoren minimale të shkodranëve, e cila gjithsesi lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit në Durrës pas dy javësh, pasi është një rezultat i cili mund të përmbyset.

vllaznia teuta

MINUTË PAS MINUTE

90’+5′ Mbyllet ndeshja në Shkodër.

90′ Katër minuta shtesë, me Teutën në sulm, duke kërkuar barazimin.

87’ Kalaja fiton një goditje dënimi në një pozicion ballor, por pastaj e shpërdoron vetë me një gjuajtje shumë lart mbi traversë.

82’ Cmajcanin provon me një gjuajtje nga jashtë zonës të gjejë portën, por topi kalon lart mbi traversë.

82’ Mbyllet këtu ndeshja e parë e Elis Bakajt me Vllazninë, i zëvendësuar mes duartrokitjeve të tifozëve shkodranë.

75’ Progni i afrohet golit me një gjuajtje mjeshtërore me të djathtën, por Agoviç shpëton portën me një grushtim vendimtar ndërsa Vrapi nxjerr jashtë topin para devijimit të Ribajt, i cili gjendej pak hapa larg portës.

71’ Nervozizëm në fushën e lojës pas një shkëmbimi batutash të Hoxhës e Ditës me Bakajn. Të dy futbollistët e Teutës përfundojnë në listën e të ndëshkuarve nga gjyqtari Jemini, pas rreth dy minutash ndërprerje të ndeshjes.

60’ Rritet nervozizmi në fushë pas disa ndërhyrjeve të ashpra nga të dy palët.

56’ Gjest shumë i bukur teknik i Shtubinës i cili kontrollon topin me të djathtën dhe me një rrotullim të shpejtë gjuan në portë, por tentativa e tij është qendrore dhe Moçka kontrollon pa probleme.

55’ Vjen edhe momenti i Andi Ribajt. Sulmuesi vlonjat i Teutës hyn në fushën e lojës në vend të Maganit.

49’ Progni harkon një top në zonë nga e majta me një goditje dënimi, Agoviç del bosh por Bicaj me kokë largon rrezikun para katërkëndorit.

47’ Vonohet Progni në përgatitjet për të hyrë në lojë në vend të Mustës, dhe Teuta luan për dy minutat e parë të kësaj pjese me një futbollist më pak.

46’ Fillon pjesa e dytë.

45’+1′ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin minimal të Vllaznisë.

43’ Tjetër aksion i shkëlqyer nga e djathta e sulmit të Teutës, me Maganin i cili dërgon një harkim perfekt në zonë për Bangal. Sulmuesi shpërdoron përsëri me goditjen e tij e cila këtë radhë nuk gjen kuadratin.

40’ Çyrbja në të djathtë arrin të pasojë në qendër për Bangal, por sulmuesi nga Mozambiku nuk arrin të gjuajë në kuadratin e portës shkodrane, i ndalur nga mbrojtësit e Vllaznisë. Vazhdon të jetë më ngulmuese Teuta, në kërkim të golit të barazimit.

29’ Goli ndryshon rrjedhën e lojës pasi si shkodranët, ashtu edhe durrsakët, duken më kërkues drejt portave kundërshtare. Teuta ka më shumë iniciativën, ndërsa Vllaznia duket e përqendruar te kundërsulmet e shpejta.

23’ Pas një rivënie anësore të Vrapit, mbrojtësit e Teutës largojnë sferën nga zona, por topi arrin te Tafili i cili lëshon një predhë të pakapshme nga jashtë zonës, të cilën Moçka nuk mund ta ndalojë. 1-0

16’ Tjetër shpërthim i Maganit, por këtë radhë Vrapi i heq topin nga këmbët me një ndërhyrje vendimtare duke mos e lejuar sulmuesin e rrezikshëm të godasë portën.

15’ Vjen shkëndija e parë e kësaj ndeshje. Magani i shmanget pozicionit jashtë loje dhe përballë Agoviç kalon topin mbi portierin, por i jep më shumë forcë sesa duhet dhe sfera kalon pak mbi traversë.

5’ Ka filluar me ritme të ulëta ndeshja në Shkodër, në një atmosferë mjaft të vakët, pasi në stadium janë të pranishëm shumë pak tifozëve.

1’ Teuta nis lojën me topin e parë nga qendra.

Vllaznia-Teuta 1-0
23′ Tafili

Vllaznia: Agoviç, Gocaj, Bicaj, Vrapi, Pjeshka, Tafili, Krymi, Bardulla (81′ Vecaj), Kalaja (90’+4′ Pepa), Shtubina, Bakaj (82′ Hebaj).

Trajner: Armando Cungu

Teuta: Moçka, Beqja, R. Hoxha, Markoviç, Kotobelli, Dita (74′ Cmajcanin), Hila, Çyrbja, Musta (47′ Progni), Bangal, Magani (55′ Ribaj)

Trajner: Gugash Magani

KV: Tafili, Gocaj / Hila, R. Hoxha, Dita, Bangal

Gjyqtar: Lorenc Jemini

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"