VIDEO / Shkelma, faulle të rëndë, tre kartonë të verdhë dhe penallti. “Trajtim special” për Armando Brojën në Premier Ligë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2021 | 0:20

VIDEO / Shkelma, faulle të rëndë, tre kartonë të verdhë dhe penallti. “Trajtim special” për Armando Brojën në Premier Ligë

Armando Broja është kthyer në një nga lojtarët më interesantë në kampionatin anglez dhe nuk është çudi që ndaj tij ka filluar një “trajtim i veçantë” nga kundërshtarët. Kjo shihet tashmë thuajse në çdo ndeshje ku ai gjithmonë mbulohet nga 2 rivalë dhe në rastin kur nis një nga shpërthimet e zakonshme, i bëhet menjëherë faull, pasi e dinë se sa i jashtëzakonshëm është sprinti i tij.

bandicam 2021-12-26 16-35-16-447

Në ndeshjen e Sauthempton ndaj Uest Hem, ishte ylli i Anglisë, Deklan Rajs, ai i cili e pranoi me dëshirë një karton të verdhë për të ndalur futbollistin shqiptar. Në minutën e 33-të të ndeshjes, Broja fitoi topin në mesfushë dhe pas një kontrolli të shkëlqyer, u bë gati për një nga shpërthimet e tij.

Por Rajs i bëri menjëherë një ndërhyrje nga mbrapa për të evituar daljen para futbollistit shqiptar, i cili në raste të tilla garanton thuajse gjithmonë rrezikshmëri për portën kundërshtare.

Ky trajtim gjatë Brojës vazhdoi gjatë gjithë ndeshjes, me lojtarët e Uest Hem që nuk kishin mënyrë tjetër për ta ndalur atë.


Në një faull tjetër ishte Douson i cili shkaktoi penallti dhe u ndëshkua me të verdhë.

Gjithashtu, në listën e të ndëshkuarve përfundoi edhe Bouen, po për një ndërhyrje të rëndë kundër futbollistit shqiptar, i cili dukej i pakapshëm në këtë duel.

Ndaj nuk ishte rastësi që tifozët e Sauthempton e përshëndetën me duartrokitje lojtarin kur u zëvendësua në minutën e 81-të të ndeshjes që skuadra e tij fitoi me shifrat 3-2.


PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"