Uzuni: Frymëzohem nga Kristiano Ronaldo, dua të nis një aventurë jashtë shtetit

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Dhjetor 11, 2017 | 14:59

Uzuni: Frymëzohem nga Kristiano Ronaldo, dua të nis një aventurë jashtë shtetit

Të shënosh në portën e Skënderbeut, për më tepër për t’i shkaktuar humbjen e parë në këtë kampionat, shijon më shumë sesa golat e zakonshëm. Dhe autori që firmosi dhe vulosi disfatën e korçarëve për herë të parë ishte sulmuesi Myrto Uzuni. U shfaq në Superiore përpara dy vitesh me Apoloninë dhe që atëherë dha sinjale pozitive si një lojtar me teknikë, cilësi dhe shpejtësi. Këtë herë, në aventurën e dytë në Kategorinë Superiore, Uzuni duket se është më i pjekur dhe më i qartë në rrugëtimin që kërkon të bëjë.

Uzuni2017

Në një reagim për “Panorama Sport”, heroi i skuadrës së Laçit në ndeshjen e djeshme tregon ambiciet e tij dhe sekretin e ekipit kurbinas. “Ndihem shumë i lumtur për golin e shënuar ndaj Skënderbeut. Na ndihmoi ta fitonim këtë ndeshje dhe të shohim me optimizëm ndeshjet e ardhshme. Kjo fitore do të na japë besim për të punuar akoma më shumë dhe për të arritur objektivat”, thotë fillimisht Uzuni.

Ai  vlerëson maksimalisht trajnerin Mezani për punën që ka bërë dhe objektivat që kanë kurbinasit. “Ndodhemi me meritë në vendin e pestë të kampionatit. Trajneri Mezani ka bërë një punë mjaft të mirë dhe skuadra ndihet e fortë. Megjithatë, shpresoj t’i përforcojmë akoma më shumë pozitat tona duke iu afruar zonës së Europës.

Uzuni

Ky trepikësh i jep moral të lartë ekipit dhe na bën të besojmë në forcat tona”, vazhdoi më tej 22- vjeçari. Uzuni frymëzohet nga Kristiano Ronaldo dhe, si për rastësi, në javën kur ai mori “Topin e Artë” edhe beratasi shënoi në një ndeshje shumë të rëndësishme.

“Frymëzohem nga Kristiano Ronaldo dhe përpiqem të bëj gjërat që ai bën në fushën e lojës. Është një lojtar i madh. Shpresoj që edhe unë, ashtu si ai, të mbahem mend për diçka në futbollin shqiptar”, tregon sulmuesi i Laçit. Autori i dy golave në Kategorinë Superiore, Uzuni, nuk e fsheh dëshirën që një ditë të luajë jashtë kampionatit vendës.

“Për momentin jam fokusuar tek objektivat personalë në kampionat dhe për të ndihmuar sa më shumë skuadrën. E rëndësishme është që t’i shërbej ekipit më së miri. Për të ardhmen time vendos presidenti dhe menaxheri. Sigurisht që dëshira është e madhe për t’u larguar nga kampionati shqiptar, për të filluar një aventurë jashtë vendit. Por, për momentin dua ta mbyll sa më mirë këtë sezon”, përfundoi Uzuni.

ERIS SYLYKU





www.minuta90.com