Tirana e Partizani, fitore me goleada

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2013 | 11:16

Tirana e Partizani, fitore me goleada

U luajtën dje ndeshjet e javës së 9-të të Kategorisë së Tretë. Ndryshe nga çfarë ishte parashikuar që të luheshin pesë takime, u zhvilluan katër të tilla. Sfida Belshi-Orikumi u shty për sot në orën 14:00 me mirëkuptimin e të dyja ekipeve.
Grupi A Në këtë grup u luajt vetëm ndeshja ndërmjet Shkëndijës së Durrësit dhe Tiranës B. Bardheblutë e shkatërruan kundërshtarin me rezultatin e thellë 5-0 dhe vazhdojnë të kryesojnë grupin. Ka qenë i papërmbajtshëm Kosova që, edhe pse shënoi 2 nga 5 golat, ka qenë merita e tij edhe në aksionet e tjera. Që në minutën e 11-të është Marjus Fuçia, i cili realizon golin e parë. Mbrojtja tregohet mjaft e dobët. Më pas do të vijë Kosova, me një shpërthim të tij në zonë dhe mposht portierin Hakaj. Në limitin e pjesë së parë është edhe Nela, që shënon golin e tretë. Në pjesën e dytë është përsëri Kosova në minutën e 53-të që shënon golin e katërt. Përsëri në fundin e ndeshjes do të jetë futbollisti mesfushor David Beu, i cili vulos përfundimisht fitoren e thellë të Tiranës.
Grupi B Gostima i shkaktoi Shkodrës humbjen e vetme deri tani në kampionat në fazën e parë. Dhe shkodranët janë hakmarrë dje duke shkatërruar gostimasit 7-1. Një Shkodër, ndryshe nga herët e tjera, me një lojë të shkëlqyer teknike e taktike. Sulmuesit e saj kanë qenë mjaft finalizues, duke shënuar 7 gola, 4 prej të cilëve mbajnë emrin e Artil Kuqaj, më pas ka qenë Hyseni me penallti, Hysaj dhe Gokaj. Nga ana e Gostimës ata ngushëllohen me golin e vetëm të realizuar nga 11-metërshi nga ana e Vodollarit. Ndërkohë, gjatë kësaj ndeshjeje, ka pasur nervozizëm nga ana e trajnerit Besnik Allbrahimi të Gostimës, duke protestuar vazhdimisht ndaj gjyqtarëve dhe në minutën e 51-të kryesori Gjeçi e ka nxjerrë jashtë. IDS dhe Internacionale janë përballur ndërmjet tyre në ndeshje që nuk kishte pretendime nga asnjë ekip për t’u ngjitur në vendet e para. IDS ka zhvilluar një ndeshje të bukur, ku ka shkëlqyer trajneri Artan Vangjeli një ishpartizanas që dje ka luajtur në rolin e qendërmbrojtësit. Internacionale ka luajtur në pjesën e parë e tërhequr në mbrojtje dhe kjo edhe për shkak se lojtarët e IDS e kanë kërkuar golin me ngulm. Megjithatë, në pjesën e dytë është Internacional që paraqitet më mirë, duke shënuar edhe golin e fitores me 11- metërsh me anë të Kacit. Në sfidën tjetër, Partizani B ka mundur lehtësisht 4-0 Shkëndijën e Tiranës. Këta të fundit u detyruan që, pas minutës së 49-të, të luajnë me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të qendërmbrojtësit Metalia. Në minutën e 50-të është Mario Xhafa, i cili i kalon të kuqtë në avantazh me 11-metërsh. Pas ndërhyrjes së Metalias, ky i fundit ka protestuar për vendimin e gjyqtarit dhe është ndëshkuar me karton të kuq. Më pas është Etjen Ahmetaj, që shënon një gol të shkëlqyer e më pas pasojnë me radhë Berdaj e Demiri të futur të dy në pjesën e dytë.

Allbrahimi: Na ndëshkoi gjykimi
Në fund të ndeshjes së djeshme, trajneri i Gostimës, Besnik Allbrahimi, u shpreh: “Ka qenë absurd gjykimi, pasi jo vetëm në këtë ndeshje që arriti kulmin me dhënien e një penalltie, e cila për mendimin tim nuk ishte e tillë, por edhe në ndeshje të tjera ne jemi penalizuar vazhdimisht. Megjithatë, ne kemi treguar vlera se jemi një skuadër modeste që luan bukur futboll. Pavarësisht renditjes dhe rezultateve, kemi bërë një paraqitje mjaft të mirë. Falënderoj gjithashtu kryekomunarin e Gostimës, Qamil Boja, i cili me kontributin e tij personal ka bërë të mundur pjesëmarrjen dhe i ka financuar të gjitha takimet që kemi zhvilluar nga xhepi i tij personal”.

Ahmetaj: Synojmë ngjitjen në të Dytën
Pas ndeshjes së djeshme ndërmjet Shkëndijës së Tiranës dhe Partizanit, ku të kuqtë fituan 4-0, një prej më të mirëve në fushë ishte edhe Etjen Ahmetaj, djali ish-legjendës së Partizanit, Arjan Ahmetaj. Mesfushori shënoi dje dopietë. Pas ndeshjes, lojtari u shpreh: “Ekipi luajti i mobilizuar dhe vetëm në pjesën e dytë arritëm të dilnim në lojën tonë. Shpresojmë që ekipi ynë do marrë shembull nga ekipi i parë i Partizanit që u ngjit në Superiore pas 4 vitesh. Gjithashtu, edhe ne dëshirojmë që të ngjitemi në Kategorinë e Dytë. Ka ende takime deri në fund të kampionatit dhe duhet të jemi të përqendruar në çdo moment”, – përfundon prononcimin e tij Ahmetaj.
ABDULLA DUSHKU

SHKËNDIJA D.-TIRANA B  0-5
GOLAT: Fuçia 11′, Kosova 29′, 53′, Nela 45′, Çangu 84′
SHKËNDIJA DURRËS: Hakaj, Kola, Çodo, Boja, Gjinaj, Hasani, Gjaci, Beu, Valiu (Skraqi 46′), Hetaj, Kortoçi. Trajner: J.Rakipi
TIRANA B: Çela, Cuci, Sula, Bashi, Tare, Greca, Fuçia, Jaupllari (Çangu 60′), Nela, Kosova, Molla. Trajner: A.Mema
KARTONË TË VERDHË: Fuçia 20′, Kola 39′
GJYQTARË: E.Hamitaj, A.Simoni, E.Muça (Lezhë)
DELEGAT: Sulejman Demollari (Tiranë)

GOSTIMA-SHKODRA   1-7
GOLAT: Vodollari 71′(p)/ Kuqaj 3′, 33′, 56′, 66′, Hyseni 12′(p), Hysaj 63′, Gokaj 74′
GOSTIMA: Sherali, Hysaj, Berisha (Bora 64′), Krasniqi, Lulgjuraj, Myzeqari, Vodollari, Balla, Shukle, Bilali, Balla. Trajner: B.Allbrahimi
SHKODRA: Taipi (Jubani 85′), Lleshi, Çelaj, Lekaj, Pelinku, Hyseni, Hoti, Behluli (Ndoci 71′), Gokaj, Hysaj, Kuqaj (Thepina 67′). Trajner: R.Piraniqi
KARTONË TË VERDHË: Vodollari 12′, Berisha 14′, G.Hysaj 60’/ Hyseni 28′
KARTON I KUQ: B.Allbrahimi 51′
GJYQTARË: A.Gjeçi (Tiranë), P.Simoni, E.Muça (Lezhë)
DELEGAT: Fation Muhameti (Tiranë)

IDS-INTERNACIONAL  0-1
GOLAT: Kaci 54′(p)
IDS TIRANA: Pasha, Domi, Hysko, Molla, Ruçi, Basha, Beno, Koci, Evangjeli, Pysqyli, Haroku. Trajner: A.Evangjeli
INTERNACIONAL: Totoshi, Marku (Korkuti 57′), Çerpja, Muça, Nikolla (Balla 46′), Ajvazi, Kaci, Azizi, Vllacaj, Xhafa (Gjikola 85′), Isaraj. Trajner: A.Çerpja
KARTONË TË VERDHË: Evangjeli 90’/ Marku 44′, Çerpja 90′
GJYQTARË: B.Kaimi, R.Muska, A.Zalla (Tiranë)
DELEGAT: Fation Muhameti (Tiranë)

SHKËNDIJA T.-PARTIZANI B  0-4
GOLAT: Ahmetaj 50′(p), 60′, Berdaj 83′, Demiri 87′
SHKËNDIJA T.: Biduli, Ndoj (Hajdari 46′), Perlesi, Kuçi, Shkreta, Metalia, Milla (Peshku 70′), Xhakollari, Hoxha (Spaho 50′), Tuci, Picaku. Trajner: G.Mahmutaj
PARTIZANI B: Myrtaj, Berdaj, Rrapo, Tarja, Cane (Demiri 46′), Hasani, Xhafa, Sina, Xhaçi (Limani 46′), Mata, Ahmetaj (Berdaj 62′). Trajner: M.Pelinxhi
KARTONË TË VERDHË: Metalia 49’/ Xhafa 75′
KARTON I KUQ: Metalia 49′
GJYQTARË: J.Xhaja, K.Kotis, L.Haxhija (Tiranë)
DELEGAT: Elvis Muça (Tiranë)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"