“Teuta e kompletuar, kryeson me meritë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2013 | 13:39

“Teuta e kompletuar, kryeson me meritë”

Teuta-Laci 2-1. Durrsaket para ndeshjesPasi mbyllën llogaritë me kurbinasit, durrsakët e kanë përqendruar vëmendjen te ndeshja e radhës, që do ta zhvillojë në shtëpi me Kastriotin. Protagonistët e fitores 2-1 shprehen shumë të kënaqur nga ecuria e Teutës, ndërsa pohojnë se kanë etje të madhe për fitore të tjera. “Siç e panë të gjithë, ndaj Laçit zhvilluam një ndeshje shumë të mirë dhe krijuam volum të madh loje. Ishim të vendosur ta fitonim atë sfidë edhe si detyrim ndaj tifozërisë sonë. Ishim të qartë në veprimet tona dhe e kontrolluam situatën deri në minutën e 70- të, kur Veliaj barazoi rezultatin. Për një moment menduam se ndeshja do të përfundonte barazim, por në të vërtetë kishim besim në vetvete. Pas disa përpjekjeve gjetëm edhe golin e fitores dhe besoj se e merituam suksesin”, – u shpreh mesfushori Alfred Deliallisi.
Vëmendja – “Tani vëmendja jonë është përqendruar te ndeshja e radhës, ku presim Kastriotin. Nuk kemi kohë për të shijuar fitoren, sepse duhet të përgatitemi për krutanët, pasi duhet të hipotekojmë një tjetër trepikësh. Kastrioti ka një skuadër simpatike, por ne nuk i trembemi asnjë kundërshtari dhe do të kërkojmë me çdo kusht fitoren. Me gjithë respektin që kam për Kastriotin, nuk do mund të na ndalojnë”.
Ecuria – “Nuk është rastësi që skuadra nuk ka pësuar asnjë humbje, ndërkohë që të gjithë kundërshtarët e tjerë kanë regjistruar nga dy të tilla. Kjo vërteton se Teuta është një skuadër që duhet marrë në konsideratë si një grup solid dhe i përgatitur mirë. Por kjo ka ardhur si pasojë e një pune të palodhshme të skuadrës dhe stafit të saj teknik. Ne do të vazhdojmë të marrim rezultate të tjera pozitive, ku në çdo përballje do të synojmë tri pikët”, – përfundoi Deliallisi.
Leonidha Musaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"