Daja trajner i Teutës, shkarkohet Sorrentino

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2014 | 12:49

Daja trajner i Teutës, shkarkohet Sorrentino

Osmani dhe Sorrentino tokin duart, ne Lushnja-Teuta 2-4Klubi i Teutës ka sh karkuar dje trajnerin italian, Roberto Sorrentino, si dhe përgatitësin e portierëve, Xhianluka Pavanelo. Lajmin e konfirmoi për “Panorama Sport”, mbrëmjen e së hënës, vetë presidenti Edmond Hasanbelliu. “Bashkë me ortakun tim, kam vendosur që sot (dje) të shkarkoj trajnerin Sorrentino. Sigurisht, motivet janë rezultatet jo të mira që skuadra ka arritur së fundmi, pasi ne pretendojmë për të qenë kampionë. Gjithashtu, një arsye ishte edhe mospërshtatja e mentalitetit të tij me lojtarët tanë. Në këto kushte, vendosëm të zgjidhim me mirëkuptim kontratën. Gjithashtu kemi shkarkuar edhe trajnerin italian të portierëve. Nga stafi aktual ai që do ta vazhdojë punën është përgatitësi atletik, Marko Bankini”, – sqaroi presidenti Hasanbelliu, i cili e cilëson si zhgënjyese eksperiencën e tij të parë si president me një trajner të huaj. “Ishte hera e parë që kisha një trajner të huaj në skuadër, por më rezultoi dështim. Pati probleme, duke filluar nga mentaliteti, lojtarët e shumë gjëra të tjera”, – tha kreu i klubit durrsak.
Sa i përket trajnerit të ri, ai deklaroi: “Besoj se të enjten ose të premten do të zgjedhim trajnerin e ri. Deri në emërimin e tij, stërvitjen do ta drejtojë Ilir Biturku, i cili e njeh mjaft mirë skuadrën”. Ndërkohë, vlen për t’u theksuar se në 20 javë kampionat Teuta ka ndryshuar dy trajnerë. Nga java e parë deri në të 11-ën, në pankinë ishte Gugash Magani, ndërsa pas ndeshjes me Partizanin u emërua italiani Sorrentino, i cili e drejtoi Teutën në 9 takime.
Vjen Ilir Daja Nuk ka vonuar presidenti Hasanbelliu në emërimin e trajnerit të ri të skuadrës, duke ditur se është një moment deciziv i sezonit, si në kampionat, edhe në Kupën e Shqipërisë. “Timonin” drejtues të “djemve të detit” e ka marrë Ilir Daja, një emër i njohur i trajningut shqiptar, që ka provuar të drejtojë disa skuadra, si Elbasani, Dinamo, Besa. Në fakt, që dje në Durrës kishte qarkulluar ky emër si alternativa më e mundshme për pankinën e Teutës, por të martën në mesditë klubi durrsak ka zyrtarizuar gjithçka. Edhe vetë Hasanbelliu nuk e mohonte një mundësi të tillë. “Daja është një trajner shumë i mirë. Nëse ai pranon, edhe mund ta emërojmë, por të shohim në ditët në vijim. Tashmë është një përgjegjësi e madhe për trajnerin e ri që do të drejtojë Teutën, pasi edhe gara po bëhet shumë e vështirë. Pra, jemi mes dy zjarreve dhe do të jetë një problem, pasi kampionati është i egër. Gjithsesi, ne si drejtues do ta mbështesim maksimalisht trajnerin e ri. Dihet që ai që do të marrë tashmë ekipin ka shumë pak kohë në dispozicion për të njohur skuadrën. Së pari, kjo është një përgjegjësi e madhe imja personale për këtë situatë, pastaj e trajnerit të ri. Sidoqoftë, unë jam mësuar me sfida”, – përfundoi Hasanbelliu.

Ish-trajneri Magani e la Teutën në vend të dytë
Ka qenë java e 11-të, kur pas ndeshjes Partizani-Teuta, trajneri Gugash Magani largohej nga skuadra durrsake për shkak të ndryshimeve të fundit në shoqërinë aksionare të klubit. Me afrimin e “Gea Sport”, u vendos që trajner të emërohej italiani Roberto Sorrentino. Peqinasi e la Teutën në vendin e dytë, në kuotën e 19 pikëve, 3 më pak se Skënderbeu kryesues. Vlen të përmendet fakti që Teuta gjatë fazës së parë nën drejtimin e Maganit pësoi vetëm dy humbje, me Kastriotin në Durrës dhe Partizanin në Tiranë. Ndërkohë që italiani Sorrentino, nga vendi i dytë ku e mori Teutën, e la në vend të pestë, me 29 pikë të grumbulluara. Tashmë është thelluar ndjeshëm diferenca me kreun, jo pak, por 12 pikë.

Italiani e mbyll aventurën te Teuta me… analizë
Përpara seancës përgatitore të pasdites së djeshme, Teuta i është nënshtruar një analize, e cila konsistonte kryesisht te sfida ndaj Laçit që durrsakët e humbën me rezultatin 2-1. Si për ironi të fatit, stërvitja e së hënës ishte e fundit për trajnerin Roberto Sorrentino. Vendimi i drejtuesve mësohet se iu komunikua italianit në mbrëmje, pak orë pas përfundimit të seancës. Në stërvitjen e fundit, gjatë fjalës së tij, ish-trajneri Sorrentino e ka vënë theksin te përqendrimi, pasi u ka kërkuar lojtarëve më tepër impenjim. Pavarësisht rezultatit, italiani është shprehur se ka ngelur i kënaqur nga loja e skuadrës në përballjen me Laçin, por ka kërkuar që përveç paraqitjes së mirë, ajo duhet të marrë rezultate pozitive. Analiza më tej është përqendruar te sfida e radhës. Teuta në mesjavë do të përballet me Lushnjën, ku do të luajë ndeshjen e kthimit, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Pavarësisht rezultatit të ndeshjes së vajtjes, të cilën durrsaket e fituan me rezultatin 2-4, italiani ka kërkuar impenjim maksimal nga të tijtë. Më pas skuadra ka zhvilluar seancën e parë stërvitore në kuadër të sfidës me Lushnjën, ku mendohet se një pjesë e mirë e titullarëve do të lihen pushim, në mënyrë që të jenë të freskët për kampionat.

Mori 10 pikë nga 27 të mundshme
Ish-trajneri i Teutës, italiani Roberto Sorrentino, grumbulloi vetëm 10 pikë në krye të skuadrës në 9 ndeshje të kampionatit që arriti ta drejtonte. Nga 27 të mundshme, 10 pikë janë shumë pak për një skuadër si Teuta, e cila synon titullin kampion. Sorrentino i la durrsakët në vend të pestë me 12 pikë më pak se Skënderbeu kryesues. Italiani erdhi me bujë në Durrës, pasi afro dy dekada më parë kishte punuar te klubi i Juventusit si ndihmës i trajnerit të famshëm Kur presidenti Hasanbelliu prezantonte Xhovani Trapatoni.
JORGIS MEMO / LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"