Surprizë te Tirana, Ngoo, “mbreti” i ri i… asisteve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2018 | 13:21

Surprizë te Tirana, Ngoo, “mbreti” i ri i… asisteve

Nëse dikur ligjin e bënin emra si Devi Muka apo Klodian Duro, tashmë Tirana kanë gjetur një tjetër “mbret”. Dy ish-numrat “10” të bardhebluve, fantazinë e kishin me bollëk dhe kjo dukej qartë te gjuajtjet e tyre të kalibruara, por mbi të gjitha te klasi që tregonin me shpërndarjen e asisteve.

Ngoo

Edhe pse këtë sezon nuk e kanë një fantazist të mirëfilltë në fushë, pasi as Binguila i dëmtuar dhe Muguna i sapoardhur nuk po bëjnë mrekullinë, për të mos thënë që janë në hije të plotë, kryeqytetasit zgjidhjen e kanë gjetur te një… qendërsulmues. Nuk bëhet fjalë as për një vlonjat apo elbasanas, por një londinez këtë herë. Majkëll Ngoo është lojtarit që po bën diferencën te Tirana. Dhe këtë nuk e themi ne, por shifrat.

Veç faktit që e ka gjetur plot 11 herë rrugën e rrjetës, gjiganti ka aftësi mbresëlënëse edhe në shërbim. Ngoo është zyrtarisht njeriu-asist i skuadrës më të titullar në vend, që këtë vit po militon në Kategorinë e Parë. Sulmuesi, që erdhi në muajin shtator në nisje të sezonit, nuk ishte në formën e tij më të mirë dhe për këtë shkak bëri që të shumtë të ishin skeptikët për vlerat e lojtarit që vjen nga Liverpuli. Por me kalimin e javëve, nisi që të flasë në fushë.

ngoo

Dhe veç golave, ka meritën edhe të 7 asisteve që kanë sjellë gjithashtu rrjeta të rëndësishme. Por nuk është i vetmi, pasi në këtë listë ka edhe surpriza. Veç Junus Sentamusë (kryegolashënuesit të bardhebluve, me 12 gola në 20 javë) që numëron 4 asiste, befasia vjen nga Alket Çelhaka.

Mesfushori, edhe pse pa shumë zhurmë dhe mbi të gjitha pa shumë minuta, vetëm 774 nga 1800, ka dëshmuar se kur i jepet shansi që të marrë krahun e djathtë, jep harkime perfekte për gola. Dhe në këtë formë ia ka dalë plot 4 herë. Edhe Albi Doka nuk është fort keq, ndërsa ka dhënë 3 të tillë. Me dy janë tre futbollistë, nga Bedri Greca tek Erando Karabeci e Dorian Kërçiku, ndërsa vetëm 1 asist kanë Erjon Hoxhallari me Grent Halilin.

ADELA MERKO 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"