Surprizë për Soboualen, policia shmang sherrin/ Josa polemika me Jorgjin, ka “xixa” Mici-Ujka! Ja pikantet e ndeshjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2024 | 21:05

Surprizë për Soboualen, policia shmang sherrin/ Josa polemika me Jorgjin, ka “xixa” Mici-Ujka! Ja pikantet e ndeshjes

Tirana-Laçi ishte sfida që u luajt dje në Elbasan. “Panorama Sport”, u sjell pikantet e sfidës mes dy skuadrave të Superiores.

SOBOUALE

– Për të ardhur keq kur sheh një ndeshje të ekipit të Tiranës dhe në stadium të mos kishte më shumë se 100 tifozë. Nga këta, afërsisht 30 prej tyre ishin ultrasit bardheblu që u përpoqën të japin pak atmosferë në stadium.

– Erbim Fagu kishte vetëm pesë zëvendësues në pankinë, çka tregon edhe emergjencën në të cilën ndodhen bardheblutë sa i përket organikës.

– “Xixat” e para në fushë nisin që në minutën e nëntë midis Micit dhe Ujkës. Një ndërhyrje e gabuar e futbollistit bardheblu ka sjellë irritimin e lojtarit të Laçit, me Jorgjin që e zgjidh me një të verdhë për mbrojtësin e Tiranës.

– Në momentin që Silva ndërhyri ndaj Lushkjes, i gjithë stoli bardheblu çohet në këmbë dhe kërkon karton të kuq. Ashtu ndodh dhe Jorgji nxjerr nga loja futbollistin e kurbinasve.

– Në startin e pjesës së dytë, Jorgji bisedon me Josën dhe diçka po i shpjegon me duar. Mesa duket, tekniku i kurbinasve ka pasur ndonjë pakënaqësi, ku në pjesën e parë iu ndëshkua edhe një lojtar me karton të kuq.

-Regi Lushkja zgjedh të mos festojë në momentin e golit, pasi është një ish i skuadrës së Laçit.

– Josa tërbohet me rastin e humbur nga Sobouale në pjesën e dytë ku kishte mundësi të barazonte shifrat. Tekniku kthehet nga pankina dhe bërtet: “Ishte topi në vend, nuk e kuptoj”, duke e bërë me shenjë edhe me këmbë sesi duhet të godiste në atë rast.

– Mirel Josa nuk heq dorë nga letra dhe stilolapsi, duke u treguar tradicional. Shpesh herë shihej të nxirrte nga xhepi letrën dhe mbante shënime apo u sqaronte lojtarëve skemat.

– Tifozët e Tiranës kontestojnë në fund skuadrën e tyre, duke shprehur hapur pakënaqësinë me atë që prodhuan në fushë. Për këtë arsye as lojtarët nuk patën guximin të shkonin tek ata dhe t’i përshëndesnin.

– Sulmuesi i Laçit, Sobouale, pati tifozë specialë në këtë ndeshje, me miqtë e tij që kishin ardhur enkas nga larg për ta ndjekur në stadium. Në fund, ai pozoi me ta një foto si kujtim, me miqtë që kishin në duar bluzën me emrin e tij të stampuar.

AAASSS

– Përfundimi i ndeshjes në Elbasan përkoi me ardhjen e ultrasve të Elbasanit nga Ballshi. Rivaliteti i këtyre dy grupimeve është i njohur që nga para 20 vitesh dhe për pak desh pati një përplasje të tyre, por reagimi në kohë i policisë bëri që të mos shkëmbeheshin rrugës.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"