Super-Kukësi gjunjëzon Luftëtarin brenda në shtëpi. Bime: Po s’fituat, nuk ka më lekë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2013 | 13:03

Super-Kukësi gjunjëzon Luftëtarin brenda në shtëpi. Bime: Po s’fituat, nuk ka më lekë

Luftetari-Kukesi 1-3LUFTËTARI-KUKËSI   1-3
GOLAT: Çaço 41’/ Alikaj 36′, Malota 43′, Popoviç 51′
LUFTËTARI: Milivojeviç, Shameti, R.Hoxha, Boci, Nino, Shenaj, Çaço, Mersini (Nora 56′), Nikoliç (Stoja 53′), Tiodoroviç, Raboshta (Bakiasi 62′). Trajner: E.Martini
KUKËSI: Halilaj, Peqini, Brahja, Malota, Hallaçi, Progni (Malindi 88′), Allmuça, Alikaj (Mziu 91′), Biskup, Y.Hoxha, Popoviç (Prandeli 81′). Trajner: A.Cungu
KARTONË TË VERDHË: Boci 4′, Shenaj 41′, Shameti 47′, Stoja 55′, Nino 72’/ Biskup 8′, Brahja 66′, Halilaj 80′, Peqini 82′
DELEGAT: Uvil Zajmi (Tiranë);
VËZHGUES: Astrit Canaj (Durrës)
GJYQTARET: L.Jemini, E.Barushi, E.Doda (Tiranë)

MINUTAT
36′ Progni bën gjithçka mirë nga krahu i djathtë dhe më pas jep një pasim në qendër për Alikajn, i cili lëshon një të majtë të fuqishme, duke lënë të shtangur portierin Milivojeviç, 0-1 për Kukësin.
41′ Nikoliç pason për Raboshtën, i cili nxjerr të lirë më pas Çaçon. Ky i fundit, i gjendur përballë portierit Halilaj gjuan me të djathtën, por topi grushtohet dhe i vjen sërisht në këmbë mesfushorit, që për herë të dytë nuk fal, barazim 1-1.
43′ Goditje këndi për Kukësin. Progni kroson në zonë dhe Malota te shtylla e parë zgjat bukur këmbën e djathtë, duke shtangur mbrojtjen dhe portierin, 1-2.
47′ Shenaj mundohet të befasojë Halilajn me një goditje teknike nga jashtë zone, por topi përfundon jashtë.
51′ Rrëmujë në zonën e Luftëtarit, mbrojtësi Hoxha nuk e largon si duhet topin dhe aty përfiton Popoviç, i cili nga afër shënon, i ndihmuar edhe nga shpërqendrimi i portierit, 1-3.
55′ Goditje këndi për Luftëtarin, Hoxha gjuan bukur me kokë, por topi përplaset në tranversë.
61′ Fantazisti Stoja godet tokazi nga jashtë zone, por Halilaj bën mrekullinë, duke grushtuar në korne.
78′ Çaço kroson në zonë dhe Nora devijon për te Raboshta, i cili gjuan afër portës, por topi përplaset në shtyllën pingule.

Kukësi merr një fitore historike në Gjirokastër, teksa mposht Luftëtarin vendës me rezultatin bindës 3-1. Ndeshja e djeshme i ka pasur të gjitha brenda: golat, kartonët e shumtë, luftën sportive dhe mbështetjen e madhe të të dy tifozërive. Në fund, veriorët e drejtuar nga Armando Cungu merituan fitoren, pasi u treguan më të qartë në lojën e tyre, përballë një Luftëtari të shpërfytyruar. Kur pritej kthesa e madhe, bluzinjtë i bërë nisjen më të keqe të mundshme fazës së dytë. Blerjet e janarit rezultuan një dështim më vete ndaj Kukësit, ndërkohë që mungesa e mbrojtësit Beqiri dhe sulmuesit Fonseka u duk sikur u ndje shumë. Mirëpo, sikur të mos mjaftonte kjo, gjirokastritët vuajtën edhe për shkak të formës së dobët të dy mesfushorëve sllavë: Tiodoroviç dhe Nikoliç. Edhe pse trajneri Martini u mundua të ndryshonte diçka, duke e aktivizuar fantazistin Stoja dhe sulmuesin Nora, përsëri Kukësi nuk u thye. Luftëtari nuk kishte as fatin me vete, pasi gjatë pjesës së dytë goditi dy herë shtyllën me mbrojtësin Hoxha dhe sulmuesin Raboshta. Skuadra debutuese ishte e mirëvendosur në fushë, ndërsa arriti ta ndëshkonte Luftëtarin me anë të kundërsulmeve dhe goditjeve standarde. Alikaj, Malota dhe Popoviç ishin “vrasësit” e bluzinjve, por “meritë” në golat e tyre kanë edhe mbrojtësit dhe mesfushorët vendës, të cilët bënë gafa amatore.
Golat – Luftëtari dhe Kukësi e nisin lojën me nga një sulmues të mirëfilltë. Deri në minutën e 30-të takimi ishte thuajse i barabartë dhe me pak raste për shënim. Bluzinjtë e kishin të vështirë të dilnin në sulm, pasi mesfusha nuk funksiononte, ndërsa edhe lojtari i vetëm në repartin ofensiv, Raboshta, bënte pak për ta mbajtur skuadrën përpara. Ndeshja merr tjetër ritëm, kur një gjuajtje fluturimthi e Alikajt lë të shtangur portierin Milivojeviç. Kukësi kalon në avantazh, ndërkohë që gjirokastritët shokohen nga ky gol. Megjithatë, bluzinjtë gjejnë forca dhe barazojnë shpejt me anë të mesfushorit Çaço. Loja bëhet e bukur, por nuk kalojnë as tri minuta nga goli i gjirokastritëve dhe Kukësi ndëshkon sërish. Këtë herë është Malota që shënon, në një kohë që nuk arrin të mbulohet mirë nga mbrojtësi Hoxha. Pjesa e parë mbyllet 1-2 për Kukësin. Në 45 minutat e dyta loja është më e zjarrtë, por Kukësi gjen shpejt golin e qetësisë. Është sërish një gafë e mbrojtjes bluzi, e cila këtë herë shfrytëzohet nga Popoviç. Me luksin e avantazhit 3-1, miqtë e kanë më të lehtë ta administrojnë lojën. Luftëtari bën përpjekje të dëshpëruara, derisa gjyqtari Jemini sinjalizon për mbylljen e sfidës.

MË I MIRI
Mesfushorët Enkel Alikaj dhe Gerhard Progni ishin më të mirët në fushë gjatë ndeshjes së djeshme. Dy lojtarët e Kukësit shfaqën një formë të shkëlqyer, teksa Alikaj realizoi një supergol. Nga ana tjetër, Progni bëri çfarë donte në krahun e djathtë, duke nxjerrë jashtë loje Mersinin dhe Bocin. Mesfushori nga Tropoja u bë iniciator i thuajse të gjitha aksioneve sulmuese nga krahët, por e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Ylli Hoxhën.

MË PAK AKTIVI
Te Luftëtari ishin të shumtë lojtarët që paraqitën një formë të dobët. Mbrojtësit Boci dhe Hoxha, mesfushorët Nikoliç e Tiodoroviç, si dhe sulmuesi Raboshta kanë qenë hija e vetvetes në fushë. Titullarët bluzi e zhgënjyen pa masë stafin teknik, si dhe tifozërinë gjirokastrite. Blerjet e reja, Hoxha e Tiodoroviç, gabuan pa fund. Nga ana tjetër, jashtë forme ishte Nikoliç, një lojtar nga i cili stafi pret shumë. Trajneri Martini e zëvendësoi serbin.

“Ky dështim na prish shumë punë”
Trajneri i Luftëtarit, Edi Martini, në konferencën për shtyp pas ndeshjes, u shpreh: “Është një rezultat që pa dyshim na dëmton. Kemi interpretuar një ndeshje jo të mirë, edhe pse kishim mungesa lojtarësh. Bëmë gabime të dukshme në mbrojtje, por edhe në mesfushë, veçanërisht kur pësuam golin e parë. Edhe pse patëm raste për shënim, nuk bëmë më shumë se një gol. Gjithsesi, fakti që humbi dhe kundërshtari më i afërt, Besa, na ngushëllon disi, porse ne duhet të shohim punën tonë dhe jo të rivalëve. Me rikthimin e lojtarëve të dëmtuar, do të rikuperojmë shumë në lojën tonë. Megjithatë, e përsëris që kjo humbje na prish shumë punë, pasi na duhej patjetër fitorja. Ne do të shikojmë përpara për ta kompensuar këtë rezultat që në ndeshjen e ardhshme”.

“Luftëtarin e mundëm prej kundërsulmit”
Kreu i pankinës së Kukësit, Armando Cungu, e cilësoi fitoren në Gjirokastër si shumë të rëndësishme. “Arritëm një fitore me shumë vlera, përballë një kundërshtari që ndodhet në pozita të vështira në klasifikim. U përballën dy ekipe që kanë objektiva diametralisht të kundërta. Për fatin tim të keq u përballa me Luftëtarin në një moment delikat për të, por kështu e ka futbolli. Duke pasur lojtarë krahu si Progni dhe Hoxha, ne krijuam disa raste për shënim, duke u bazuar te kundërsulmi. Fitorja mund të ishte dhe më e thellë. Në Gjirokastër kam kaluar një vit të suksesshëm, së bashku me trajnerin Martini. Ruaj respektin më maksimal për qytetin dhe tifozët. Me zemër do të dëshiroja qëndrimin e Luftëtarit në Superiore”, – deklaroi Cungu.

Bime, para ndeshjes: Po s’fituat nuk ka më lekë
Kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Bime, i cili është njëkohësisht edhe president i Luftëtarit, mësohet se është futur në dhomat e zhveshjes pak minuta përpara se të fillonte takimi ndaj Kukësit. Burime të sigurta pranë ekipit tregojnë për “Panorama Sport” paralajmërimin që kryebashkiaku u bëri futbollistëve: “Kam qëndruar korrekt me ju deri më tani, por nuk e keni justifikuar me rezultate. Sot (dje) duhet patjetër fitorja ndaj Kukësit. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë asnjë nga ju të mos më flasë më për lekët. Fitoni me Kukësin dhe meritojini, në të kundërt nuk ka më parà!”. Mirëpo, edhe ky paralajmërim nuk ka bërë efekt, pasi lojtarët bluzi ishin hije e vetvetes në fushën e lojës. Humbja është përjetuar keq, veçanërisht nga tifozët, të cilët janë kundër trajnerit dhe merkatos që ai ka bërë në janar.

ALIKAJ
Autori i golit të parë të Kukësit, mesfushori Enkel Alikaj, pas ndeshjes deklaroi: “Fituam një sfidë të vështirë në Gjirokastër. Mendoj se ekipet prodhuan lojë të bukur dhe tërheqëse. Në fund ishim ne ata që morëm tri pikët, pasi luajtëm më me zemër, duke shfrytëzuar edhe rastet për shënim. Golin ia dedikoj vajzës sime, familjes, si dhe tifozëve të Kukësit. Shpresoj që të ecim kështu për të realizuar synimet e klubit. Jam optimist për të ardhmen”.

MALOTA
Mbrojtësi Renato Malota shënoi golin e dytë për Kukësin në përballjen e djeshme. “Besoj se kam shënuar një gol të rëndësishëm, pasi u gjendëm shpejt në barazim 1-1. Avantazhi na motivoi më shumë, teksa e kontrolluam lojën në pjesën e dytë. Kjo fitore u dedikohet sportdashësve tanë të zjarrtë. Jam i bindur se do t’i arrijmë synimet”, – ka thënë lojtari lezhjan i Kukësit, i cili realizoi një gol shumë të bukur në fundin e pjesës së parë.

POPOVIÇ
Sulmuesi serb, Lazar Popoviç, ishte lojtari që vulosi fitoren e Kukësit. “Në Gjirokastër erdhëm për të marrë maksimumin dhe ia arritëm. Gjithçka i dedikohet tifozerisë, stafit drejtues dhe shokëve të ekipit. Kemi një grup kompakt dhe do të arrijmë objektivin për të marrë pjesë në Kupat e Europës. Tashmë duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës me Vllazninë, e cila natyrisht është edhe më e fortë”, – deklaroi shtatlarti i sulmit të Kukësit.
TOMORR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"