Stadiumit i del pronari, Sopoti në rrezik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2013 | 12:08

Stadiumit i del pronari, Sopoti në rrezik

Stadiumit të Sopotit i ka dalë pronari, çka do të thotë se shumë shpjet skuadra do të mbetet në mëshirë të fatit. Në vitin 2009, Këshilli Bashkiak i Librazhdit e ka tjetërsuar këtë truall duke e privatizuar. Në këto momente stadiumi i Librazhdit ka një pronar, i cili do e kërkojë pronën, e për rrjedhojë ekipi do të mbet pa një fushë ku të stërvitet apo të zhvillojë ndeshjet. Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka zbuluar këtë fakt dhe ka gjashtë muaj që janë dorëzuar letrat nga bashkia, por ende nuk është kthyer përgjigje se çfarë do të bëhet në vazhdimësi. Fakt ky që ka sjellë reagime nga drejtuesit e klubit. Në lidhje me këtë çështje, kryebashkiaku i Librazhdit, Shefki Çota, tha: “Shqetësimi i qytetarëve të qytetit tonë është tjetërsimi i stadiumit që funksionon në qytetin e Librazhdit. Ka një vendim të këshillit të vitit 2009 dhe zbardhur nga prefektura për tjetërsimin e fushës së futbollit. Këtë e ka kapur edhe Kontrolli i Shtetit në qytetin tonë gjatë vitit të kaluar për tjetërsimin e kësaj fushe. Kjo çështje është bërë shqetësuese, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje për komunitetin për këtë veprim që është bërë në mënyrë të jashtëligjshme. Shqetësimi ynë është që ky ambient sportiv t’i kthehet komunitetit dhe ekipit tonë”. Ndërkaq edhe shefi i klubit të Sopotit, Besnik Kola, është shprehur mjaft i shqetësuar për këtë çështje. “Unë e kam nisur si shef klubi i Sopotit diku në shtator të vitit që kaloi. I bindur për problemin që ka futbolli sot në qytetin tonë, bashkë me miqtë e mi u përpoqëm të bëjmë diçka për ekipin, duke nisur nga strukturat e ekipeve të moshave, mirëpo krejt papritur na del një problem që as e mendoja kurrë se mund të përballesha me të: privatizimi i fushës së futbollit. Është një fakt i rëndë për ne, sepse jemi përballë një pozicioni shumë të vështirë. Opinioni publik këtu është tepër sensibël ndaj këtij problemi. Unë jam veç një punonjës i bashkisë, pra thjesht mund ta vë në dijeni publikun se si kanë rrjedhur ngjarjet dhe se çfarë mund të bëjmë më mbrapa. Konkretisht këtu ka një listë inventarizimi të terreneve sportive të bashkisë që nga viti 1999, ku del se kjo fushë është e pafiguruar në inventarin e bashkisë. Mbas pak kohe pronari i tokës e ka marrë komplet terrenin sportiv, por nuk e di nëse është vetëm një fushë apo dhe tjera ku ne aktualisht luajmë. Duam që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt”, – përfundoi Kola.
Esmerid Murati

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"