S’ka surpriza, e 3-ta konfirmon kryesuesit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2013 | 11:12

S’ka surpriza, e 3-ta konfirmon kryesuesit

Jashtë çdo parashikimi ka nisur dje faza e dytë e Kategorisë së Tretë, e cila ishte caktuar për të startuar javën e ardhshme. Megjithatë, ekipet janë paraqitur në qendrën stërvitore të ekipeve Kombëtare në Kamzë dhe kanë zhvilluar ndeshjet e tyre në të dy grupet. Surprizat kanë munguar, pasi ekipet kryesuese nuk kanë hedhur asnjë hap fals. Kështu në Grupin A, Tirana B, edhe pse ka qenë pushim, vazhdon të kryesojë me pikë të barabarta me Orikumin, i cili ka marrë trepikëshin në tavolinë për shkak të përjashtimit nga gara të 10 shtatorit. Ndërsa në Grupin B, Shënkolli me fitoren e djeshme ka forcuar edhe më shumë pozitat në krye të renditjes.
Grupi A – Brian’s Lezhë nuk ka gabuar në ndeshjen e djeshme ndaj Shkëndijës së Durrësit, por ka arritur të marrë një fitore bindëse në shifrat 3-1. Golin e parë të takimit e kanë shënuar lezhjanët në minutën e 3-të me anë të Sokolit, duke treguar se trepikëshi do t’u takonte atyre. Edhe pse durrsakët janë përpjekur të ndryshojnë diçka në lojën e tyre dhe janë munduar që të barazojnë nuk ia kanë arritur dot, pasi në minutën e 32-të është Mazia që do t’i dyfishojë shifrat. Në pjesën e dytë të takimit do të jetë sërish Sokoli, i cili do të trefishojë shifrat. Golin e vetëm për Shkëndijën e ka shënuar Hasani. Ndërsa në takimin tjetër, Belshi ka triumfuar ndaj Rubikut në shifrat 3-1. Golat për belshakët janë realizuar nga Shehi dopietë dhe Mici. Ndërsa për Rubikun shënoi I.Ndoi.
Grupi B – Internacional nuk e ka pasur aspak të vështirë të fitojë në ndeshjen ndaj Shkëndijës. Skuadrës së drejtuar nga Çerpja i ka mjaftuar nga një gol në çdo pjesë për të marrë trepikëshin. Kaca është heroi i këtij takimi, pasi arriti ta gjente rrugën e rrjetës në minutën e 1-rë dhe të 67-të. Një takim mjaft rivalizues në Grupin B ka qenë ai mes Shkodrës dhe IDS Tiranës, i cili ka përfunduar me fitoren e ngushtë të shkodranëve. Këta të fundit kanë arritur të shënojnë në minutën e 13-të, me anë të Gorajt, dhe e kanë kontrolluar lojën për disa minuta. Megjithatë, në minutën e 40- të, Harroku ka barazuar shifrat duke i dhënë ekipit më shumë qetësi në pjesën e dytë. Por shkodranët, të vendosur për fitore, e kanë arritur atë me golin e Hysajt në të 58-ën minutë. Kryeqytetasit, edhe pse janë munduar të barazojnë, nuk e kanë arritur dot një gjë të tillë. Në takimin e fundit të këtij grupi, Shënkolli vazhdon të kryesojë pa pasur rivalë. Dje ekipi i drejtuar nga Bruka ka shkatërruar Gostimën në shifrat 5-0. Keçira ka hapur serinë e golave në minutën e 40-të dhe është pasuar nga E.Mirdita në të 60-ën dhe një tjetër gol në minutën e 88-të. Kanë realizuar gjithashtu edhe Arm .Djala në minutën e 80-të dhe Marku në fundin e takimit. Me këtë fitore Shënkolli është në krye të grupit dhe ka një diferencë prej tri pikësh me vendin e dytë.

Zhvendosjet, finalja më 22 maj
Kategoria e Tretë ka prodhuar shumë emocione dhe pritet që ndeshja finale të ndiqet nga një numër i madh tifozësh. Federata Shqiptare e Futbollit, e cila është edhe organizatorja e këtij turneu, ka përcaktuar edhe datën se kur do të zhvillohet takimi final. Më 22 maj, dy ekipet e para të Grupit A dhe B do të përballen mes tyre për të marrë kupën e fituesit. Sipas të gjitha gjasave, në Grupin B, Shënkolli pritet të jetë triumfues, ndërsa interesante është gara në Grupin A, ku Tirana B dhe Orikumi po luftojnë për vendin e parë në renditje. Dy skuadrat, të cilat në përfundim të kampionatit do të mbajnë vendin e parë, sezonin e ardhshëm do jenë pjesë e Kategorisë së Tretë.

“Lumë” golash në 41 ndeshje
Plot 166 gola janë shënuar gjatë këtyre javëve në Kategorinë e Tretë, në të dyja grupet e saj. Golashënuesi më i mirë deri në këto momente është Emirjan Mirdita, i cili aktivizohet në radhët e Shënkollit. Grupi A, deri në këto momente, në 17 ndeshjet e tij ka arritur të realizojë 75 gola, me një mesatare prej 4.46 golash për ndeshje. Kreshnik Ivanaj i Brian’s është edhe golashënuesi më i mirë në këtë grup. Ndërsa Grupi B ka prodhuar jo pak, por 91 gola në 24 ndeshje, me një mesatare prej 3.88 gola për ndeshje. Pas Emirjan Mirditës, që është edhe golashënuesi më i mirë i kompeticionit, vjen Artan Djala me 7 gola, që luan po tek ekipi i Shënkollit.
ABDULLA DUSHKU

BRIAN’S – SHKËNDIJA D 3-1
GOLAT: Sokoli 3` 51`, Mazia 32` / 84` Hasani
BRIAN`S: Lleshi, Lini, Halili, Sokoli, Locaj, Mazia, Ujka, Shuti, Gjelaj, Nikolli, Gega. Trajner: Gj. Filipi
SHKËNDIJA D: Mukaj, Kolaj, Çobo, Kokomani, Gjinaj, Boja, Alliu (Lorja 77`), Veliu (Skraçi 77`), Kortoçi, Hetaj (Mesiti 47`). Trajner: J. Rakipi
GJYQTARË: A. Gjeçi, L. Haxhiu, M. Shazivari, (Tiranë)
KARTONË TË VERDHË: / Çobo 80`
DELEGAT: Sulejman Demollari (Tiranë)

RUBIKU – BELSHI 1-3
GOLAT: I. Ndoj 86` / Shehu 10` 25`, Mici 58`
RUBIKU: R. Nasufi, F. Nasufi (Çeka 46`), Miska (Bunaj 46`), Pjetri, Gjergji, Memeti (Z. Ndoj 46`), Marku, Nikolli, Jaku, I. Ndoj, Gega. Trajner: P. Gjergji
BELSHI: Micja, Lamçja, Zarka, Kuqja (Bejleri 83`), Xhepa, Alija, F. Shkoza, Korra, Gjika (E. Shkoza), Shehu, Mici (Muça 85`) Trajner: B. Kuqja
GJYQTARË: A. Stolaj, M. Shabanaj, K. Kotis (Tiranë)
KARTONË TË VERDHË: Gjergji 21`, I. Ndoj 28`, Nikolli 36`, R.Nasufi, Miska 72`
DELEGAT: Sulejman Demollari (Tiranë)

INTERNACIONAL – SHKËNDIJA T 2-0
GOLAT: Kaca 1`, 67`
INTERNACIONAL: Totoshi, Koçi (Gjikola 46`), Balla (Xhafa 69`), Muça, Kornuti, Kacaj, Menaj, Vllacaj, Isaraj, Marku, Azizi. Trajner: A. Çerpja
SHKËNDIJA T: Biduli, Metalia, Perlesi, Hajdari, Xhakollari, Shuaipi, Milla (Peshku 46`), Picaku, Tuci, Hoxha, Shkreta (Canaku 46`). Trajner: G.Mahmutaj
GJYQTARËT: Xh. Rada, R. Mersinasi, O. Çerepi, (Durrës)
KARTONË TË VERDHË: Xhakollari 35` / Isaraj 33`, Muça 90`
DELEGAT: Fatjon Muhameti (Tiranë)

SHKODRA – IDS TIRANA 2-1
GOLAT: Goraj 13`, Hysaj 58` / Harroku 40` (11-m)
SHKODRA: Taipi, Lleshi, Mehja, Pelinku, Lekaj, Çelaj, Beluli (Mali 52`), Goraj, Hyseni, Hysaj (Gjelaj 80′), Thebina (Kuqaj 71′). Trajner: R.Piraniqi
IDS TIRANA: Pasha, Nuza, Hysko, Gj. Rebi, Haroku, Ruçi (Gashi 84`), Meta (M. Rebi 64`), Basha, Molla, Picoku, Pysqyli. Trajner: A. Vangjeli
GJYQTARË: Xh. Memo, M. Sadikaj, L. Koçi, (Durrës)
KARTONË TË VERDHË: Lekaj 28`/ Basha 28`
KARTON I KUQ: Mehja 40`
DELEGAT: Fatjon Muhameti (Tiranë)

SHËNKOLLI – GOSTIMA 5-0
GOLAT: Keçira 40`, E. Mirdita 60` 88`, Arm. Djala 80′, Marku 90
Shënkolli: Gjeka, B. Djala, Zefi, Mashi, Milla (Prendi 70`), M. Mirdita (Arm. Djala 38`), Deda, Marku, Keçira, E. Mirdita, Bruka. Trajner: A. Bruka
GOSTIMA: Sherali, Hysaj, Shukle, Vodollari (Bora 56`), Mici, Verçani (Myzeqari 76`), E. Balla, Lulgjuraj, Osmani, Oshafi, Berisha (M. Balla 46`). Trajner: B. Allbrahimi.
GJYQTARË: E. Zhuli, R. Muska, O. Morina, (Tiranë)
KARTONË TË VERDHË: Hysaj 61` / Zefi 28`, Mashi 61`, A. Djala 80`, Marku 90`
DELEGAT: Elvis Muça (Tiranë)

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"