Shqipëria “tronditëse” e harruar e futbollit 1960

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2023 | 17:45

Shqipëria “tronditëse” e harruar e futbollit 1960

NGA BESNIK DIZDARI
KAPITULLI I
I kanë harruar, nuk i përmendin, nuk i nderojnë po e po. Dhe historitë e tyre të mrekullueshme që rrezikojnë të zhduken, ndërsa jo pak edhe të shtrembërohen apo dhe të shpërbëhen deri aty sa s’ka ku shkon më. Po këto i përkasin librit të gazetarisë…

Kjo foto është një kujtim “antik” i fotoreporterit tonë të madh PETRIT KUMI nga ndeshja e kampionatit, ajo Dinamo – Besa 4-0 e 9 prillit 1969. Çast i një rreziku tjetër te porta e Besës me S.Jarecin e Duman e Dinamos dhe me portierin Sh.Topi të Besës.

Kjo foto është një kujtim “antik” i fotoreporterit tonë të madh PETRIT KUMI nga ndeshja e kampionatit, ajo Dinamo – Besa 4-0 e 9 prillit 1969. Çast i një rreziku tjetër te porta e Besës me S.Jarecin e Duman e Dinamos dhe me portierin Sh.Topi të Besës.

Përse i quaj “histori të mrekullueshme”? Sepse viti 1960, i një Shqipërie, edhe ajo e të ashtuquajturave “demokraci popullore”, te futbolli i saj, aq sa modest mund të ishte, ai përmblidhte një jetë parësore, krejt të veçantë, të gjallërimit dhe dëfrimit të popullit. Vetëm ne që e kemi përjetuar atë Shqipëri mund ta marrim me mend. Dhe zgjodha vitin 1960 që politikisht është viti, si të thuash, i ndalimit të revizionizmit “sovjetik për Shqipërinë” dhe fillimi i një izolimi të papërmbajtshëm. Dhe futbolli që kërkonte të mbante gjallë një shpresë, një dëfrim të pamatë, një marrëdhënie ndërqytetëse të rrallë. Kjo, edhe pse në kushtet e një jete tejet të vështirë.

Ky botim në tre numra të gazetës “Panorama Sport”, në thelb mbështetet te Libri 6, “Historia e Kampionateve të Shqipërisë”, në punim e sipër. Është një histori e jashtëzakonshme – e këtë nuk e them për kah cilësia e të shkruarit (këtë e vendos lexuesi) – por një histori për një jetë futbollistike “tronditëse”, siç e kam titulluar këtu. Mbi të gjitha, për ata qindra djem të paharrueshëm të një sakrifice të papërshkrueshme, të cilët përveç duartrokitjeve të pandalshme të publikut të qyteteve të tyre, nuk përfituan asgjë për vete. Absolutisht asgjë deri sot e kësaj dite!

Kjo që tregojmë këtu nuk është thjesht një histori futbolli apo e sporteve. Është një histori e vetë jetës shqiptare e atij viti dramatik të një ndarjeje e izolimit të papërshkrueshëm të Shqipërisë komuniste. Një izolim që kundërshtarin e parë të çuditshëm të tij do ta kishte pikërisht te futbolli, te Kampionati Kombëtar Shqiptar i tij.

Dhe le të fillojmë…

SHQIPËRIA E VITIT 1960.
Ka qenë një muaj korrik i një viti ndarës kur Shqipëria do të fillonte dekadën e tretë të saj komuniste, një fillim dramatik kur kujtoje se çka do të ndodhte mbas vetëm disa muajve në marrëdhëniet e saj me tutorin e fuqishëm që quhej Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike. Për fat do të ndodhte shumëçka që do të ndikonte tejet edhe në sportin kombëtar të Republikës së vogël, të ashtuquajtur, Popullore të Shqipërisë, ndonëse gjurmët e sovjetizimit të vendit nuk do të shuheshin aq lehtë…

Në të vërtetë, viti 1960, nga jashtë të dukej një vit “i ndritshëm”. Për ne të rinjtë 18-vjeçarë, të cilët sapo kishim përfunduar gjimnazin, të përfshirë bukur e mirë midis katër argëtimeve kryesore: sportin, kinemanë, teatrin dhe doemos librin, ai dukej edhe më i qetë se asnjëherë.

Po të kërkonim sot të futeshim diçka më tepër se te futbolli, në këtë brendësi jete publike të Shqipërisë 1960, do të kuptonim se ishim në një vit kur ende filmat e rinj sovjetikë që dilnin në Moskë, nuk vononin as muajin për të mbërritur në Tiranë. Tirana ishte më kinematografike se kurrë, me pesë kinema: “Partizani”, “17 Nëndori, “Republika”, “Brigada”, “Agimi”. Dhe për çudi “Fati i Njeriut” i Bondarçukut sipas tregimit të Shollohovit, ndoshta duhej të kishte qenë ndër të parët e filmave të destalinizimit që po lejoheshin të shfaqeshin në Shqipëri. Çudia është se në këtë korrik 1960, ai njeh vetëm dy ditë shfaqje në kinemanë “Partizani”! Po menjëherë mbas tij, “Ballada e Ushtarit” e Çuhrait, po në ato ditë të korrikut të nxehtë pushton mendjet e të rinjve shqiptarë. Pacifizmi dukej se po ulej këmbëkryq edhe në Tiranën e Enver Hoxhës.

Pa harruar temën, si të thuash, klasiken, teksa papritmas gjen vend edhe shfaqja e filmit “Netët e bardha”, sipas tregimit të Dostojevskit. Ndërkaq, “Pranvera e vajzërisë” duhej të ishte filmi i parë me ekran të gjerë i shfaqur në Shqipëri, doemos film sovjetik, por ndërkaq Partia kujdesej për ta ruajtur deri diku një baraspeshë të krejt filmotekës së vendeve të ashtuquajtura të demokracive popullore. Ka kështu dhe filma kinezë, bullgarë, rumunë, hungarezë, koreano-veriorë, gjermano-lindorë. Dhe prapë filmat e destalinizimit që kulmojnë me filmin franko-sovjetik “Normandia Njeman” – për Luftën e Dytë Botërore kushtuar bashkëpunimit BRSS – Francë.

Politikisht të dukej se nuk është e rastit që për disa ditë kinematë “Partizani” dhe “17 Nëndori” bllokojnë “artin” për të shfaqur me bujë dokumentarin e gjatë “Takim me Francën”, që i kushtohet vizitës së Nikita Hrushovit në Francë – një vit më parë i shpallur “Qytetar Nderi” i Tiranës, çka do t’i ruhej edhe vetëm për pak muaj – dokumentar simbol i politikës së ashtuquajtur të bashkekzistencës paqësore, me të cilën pas pak, assesi nuk do të pajtohej Shqipëria Komuniste. Kështu, vetëm filmi ishte ai që mund të rivalizonte me popullaritetin e futbollit të Shqipërisë 1960.

Po ndërkaq, në stendën e librarisë qendrore shfaqet mbulesa e librit “E kuqja dhe e zeza” e Stendalit, e Shqipëria të dukej se po rilindte bukur e mirë në kulturë e në sport, ndërsa rrugëve të Tiranës, në fragmente kilometrazhi bulevardesk, grupe punonjësish sovjetikë të dukeshin si qytetarë mirëfilli të kryeqytetit shqiptar. E, shumë prej tyre do t’i kisha “shokë” dy herë në javë te porta e Librit Sovjetik, të hënën e të enjten, rreth orës 15.00, kur mbërrinte shtypi sovjetik dhe unë mbushja “paketën” time me “Sovjetskij Sport”, “Futboll – Hokej”, “Njedielja” apo “Sovjetskij Ekran” e tjerë.

Ishin ditë kur Tiranën e mbulon vizita në Shqipëri e Moriz Torezit, sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste Franceze, së bashku me të shoqen, Zhanet Veremesh – anëtare e Byrosë Politike dhe, për një çast, përveçse sovjetike, Tirana mund të dukej jo pak edhe franceze… A duhej besuar se kishim të bënim me një Tiranë revizioniste, kur me revizioniste kuptohej destalinizimi? Fort e vështirë!

Kështu apo ndryshe, atmosfera e jetës sonë dukej “e gëzuar”, sepse teksa shtypi, kinematë, stadiumet ushtonin nga gjallëria e një jete socialiste natyrisht, ende në varfëri, ky motërzim (variant) kulturor komunisto-revizionist, të paktën nga jashtë, dukej se deri diku e mbushte jo keq jetën e ne 18-vjeçarëve “të lirë”, sepse burgjet e kampet e përqendrimit, ndonëse me pak ulje, ende funksiononin për bukuri edhe në këtë 1960 kolektivisht po aq.

Mandej, kur vinte e shtuna, po sidomos e diela, mijëra njerëz mbushnin bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe tek Ura e Lanës kthenin djathtas për të mbërritur stadiumin “Dinamo”, i cili qysh prej 3 prillit 1960, do të bëhej epiqendër e ndeshjeve të futbollit. Kështu, ngaqë stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”, ai që sot nuk është më, kishte mbyllur dyert për një përtëritje kryesisht të fushës së tij, për herë të parë qysh nga 1946-ta, kur qe përuruar. Do t’i mbante mbyllur dyert e tij, jo pak, por për rreth dy vjet.

E mbas këtij përshkrimi të shpejtë kulturoro-urbano-social të Tiranës së kohës, duke iu kthyer futbollit, kujtoj se u tha që edhe fakti i luajtjes së ndeshjeve në stadiumin “Dinamo” që në mënyrën më absurde, quhej si pronë e Klubit Sportiv Dinamo të Ministrisë së Punëve të Brendshme, do të ndikonte jo pak në fitimin e titullit prej saj.

Them se nuk mund të ishte kështu, megjithatë…

GJITHÇKA NISTE ME GAZETARIN ANTON MAZREKU.
Mu në ditët e para të vitit 1960, një intervistë e tij, jo me cilësinë e gazetarit, por me atë të zëvendëskryetarit të Komitetit të Këshillit të Përgjithshëm të BFSSHsë, e më tepër me detyrën shtetërore të inspektorit të futbollit në këtë Komitet, pra përgjegjës i tij (asokohe kurrë nuk përmendej presidenti i FSHF-së, e madje në të shumtën nuk dihej se cili ishte), jepet, pra, gjithë domethënia e vitit futbollistik që na priste.

“Aktiviteti i futbollit, – thotë Mazreku – i parashikuar në kalendarin kombëtar të këtij viti është shumë më i gjerë se ai i vitit të kaluar. Në Kategorinë e Parë do të marrin pjesë 10 skuadra, 2 më shumë se vitin e kaluar. Kjo do të bëjë që ndeshjet e kampionatit të zgjatin një muaj më shumë dhe të bëhen më interesante, pasi në krahasim me vitin e kaluar ka një ekuilibër më të madh forcash midis skuadrave pjesëmarrëse. Takimet e dyfishta të Kupës së Republikës do t’i bëjnë ndeshjet e Kupës akoma më interesante. Mjaft frytdhënës parashikohet të jetë aktivizimi i një numri të madh ekipesh në Kategorinë e Tretë të ndarë në 4 grupe. Edhe kampionati i të rinjve është shumë interesant. Ai do të ndahet në dy kategori. Në të parën do të marrin pjesë 10 skuadra, të cilat do të ndeshen me sistem rrethi midis tyre dhe në të dytën skuadrat pjesëmarrëse do të ndahen në dy grupe”.

Ishte fjala për Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë të vitit 1960, – Kampionati i Kategorisë së Parë, pra, siç quhej, dhe siç e përmend Mazreku, emërtim që FSHF-ja e sotme e ka vjedhur prej tij duke ia falur Kategorisë së Dytë të sotme, në një prishje të pamëshirshme të historisë, kushedi se për çfarë qëllimi enigmatik.

Ndërkaq, puna e parë ishte të përcaktohej se cilat do të ishin skuadrat e shtuara. Në fushën e lojës të këtij “play off”-i apo “play out”-i do të dilnin plot 7 skuadra me në krye Skënderbeun e Korçës, i cili kishte zënë vendin e fundit në Kampionatin e Kategorisë së Parë të vitit 1959. Madje u përfol se kjo shtesë e kampionatit nga 8 në 10, po bëhej thjesht për të shpëtuar skuadrën korçare, ngaqë në Komitetin e Këshillit të Përgjithshëm të BFSSH-së kishte jo pak frymë korçare. Kështu apo ndryshe, me Skënderbeun, në këtë garë të pashembullt, ku shkelej rregullorja, që duhej të çonte në Kategorinë e Dytë skuadrën korçare, si e renditur e fundit në stinën e vitit 1959, do të ishin edhe Erzeni i Shijakut, Korabi i Peshkopisë, Naftëtari i Qytetit Stalin, Traktori i Lushnjës, Tomori i Beratit dhe Fitorja e Lezhës.

Dhe ndërsa priteshin ndeshjet midis këtyre mëtuesve, papritmas në Tiranë më 31 janar 1960 zhvillohej një ndeshje e çuditshme miqësore midis Partizanit – kampion në fuqi dhe një skuadre të panjohur me emrin Adriatiku si përfaqësuese e Flotës Luftarake Detare. Ndeshjes i bëhet një jehonë disi e gjerë që mbush stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Partizani fiton 1-0 dhe u tha se kjo skuadër me emrin Adriatiku, e përbërë nga lojtarë të mirë të skuadrave të rretheve mund të ishte një Partizan i dytë. Nuk do të ndodhte kështu dhe Adriatiku zhduket qysh në këtë ditë.

Ato që vlejnë janë ndeshjet kualifikuese për të hyrë në Kategorinë e Parë.

Në Berat Naftëtari – Traktori, 1-3. Në Korçë, Skënderbeu – Fitorja e Lezhës 1-0, por në Lezhë 1-1; ndërkohë që në Lushnjë është Traktori – Naftëtari 1-0. Mandej kemi Traktori – Skënderbeu 0-4 dhe Tomori – Korabi 4-1 e 1-1, këto dy të fundit luhen në Tiranë. Mandej Erzeni – Tomori 2-0, por fitorja 2-1 e Skënderbeut kundër Traktorit, i siguron skuadrës korçare të drejtën që të mbesë skuadër e Kategorisë së Parë. Mbetej edhe një vend i lirë, çka përcaktohet nga ndeshja e kthimit, tash në Berat, ajo Tomori – Erzeni i Shijakut, që jep 3-0 për beratasit pas plot 120 minutave lojë.

Skënderbeu dhe Tomori janë kështu dy skuadrat, të cilat do të merrnin pjesë në Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Parë që do të kishte dy skuadra më tepër, plot 10.

Prologu megjithatë, do të parashtronte dy ngjarje jokampionale. Në Tiranë luhet turneu për Kupën e Komitetit Shqiptar për Mbrojtjen e Paqes, një emërtim që vështirë ta kishte përjetuar ndonjëherë një turne futbolli në botë. E rëndë- sishme është se ky turne fitohet nga 17 Nëndori, me gjithë fillimin spektakolar përmes fitores 3-0 të Partizanit ndaj Dinamos. Turneu ishte një shpërthim i 17 Nëndorit – ende i shkruar me “d”, jo me “t” – i cili fiton Kupën duke mundur më 21 dhe 24 shkurt 1960, 2-0 Partizanin dhe 1-0 Dinamon. Ishte thuajse një sensacion me protagonistë lojtarët të rinj të fituesve si Kosturi, Balla, Skënderi, Verria, Dauti, Dashi, duke u veçuar sidomos treshja e re 19-vjeçare Hysni Skënderi – Vili Dashi – Saimir Dauti, të cilët në mënyrën më befasuese do të rrëmbenin gjithë epitetet e një shtypi të tërë si zbulim i madh! Ndonëse më pas fati do të shpaloste kapriçot e tij për këta tre djem tejet të talentuar që sapo i kishin ardhur futbollit shqiptar…

Tash, midis kësaj befasie dhe të një pjesëmarrjeje dimërore të paprecedent në një tur të rrufeshëm ndeshjesh ndërkombëtare miqësore të Partizanit në RDGJ, kampionati po bëhej gati të fillonte. Ai do të niste më 13 mars 1960 sipas kalendarit, por mungesa e Partizanit shkakton shpërbërje në datat e ndeshjeve.

ASK VORWÄRTS BERLIN – PARTIZANI 0-0, POR DHE NDESHJA E FUNDIT SHQIPTARO – SOVJETIKE.
Është vërtet një befasi kur njoftohet se Partizani do të vizitojë RD Gjermane me ftesën e klubit ASK Vorwärts të Berlinit me rastin e 4-vjetorit të themelimit të Ushtrisë së RDGJ, përvjetor i çuditshëm ky, në risinë e tij gjeopolitike të Pasluftës, pikë nevralgjike e perdes ndarëse të dy sistemeve, atij kapitalist dhe këtij komunist të Europës Lindore, tashmë natyrisht i konsoliduar tejet, teksa sportin do ta përdorte fort për të treguar epërsi…

ASK Vorwärts i Berlinit ishte homologu ushtarak i Partizanit shqiptar, me të cilin ai ishte ndeshur dy herë më parë: 2-1 më 1958 dhe 1-1 në Tiranë më 1959, ku ndeshja e parë i përkiste të ashtuquajturit Turneu i Spartakiadës të Ushtrive Mike (shih “Historia e Kampionateve të Shqipërisë”, Libri 5) me Partizanin e medaljeve të argjendta. Në të vërtetë kësaj radhe është fjala për një turne të Partizanit në RDGJ, sepse ai luan plot tri ndeshje me tri skuadra ushtarake që quheshin të tria po Vorwärts! Ai fiton 4-1 me Vorwärts të Cottbus e Ligës 2 të RDGJ dhe 3-2 me Vorwärts të Neyubrandenburg të Ligës 3.

Ndeshjen e madhe Partizani e luan më 6 mars 1960 në stadiumin gjigant “Walter Ulbricht”, me ASK Worvärts të Berlinit, e cila po shkonte drejt titullit kampion dhe në 11-shin e të cilit gjendeshin katër lojtarë të Kombëtares gjermano-lindore. Është një barazim 0-0, çka nënkupton një rezultat tejet me vlerë kur kujton se vetëm disa ditë më parë klubi gjerman kishte fituar 2-1 me Duklen e Pragës. Shtypi gjerman ngre lart lojën e Partizanit, 11-shi i të cilit, ndonëse mbas pak ditëve do të dorëzohej në Berat me Tomorin shqiptar, atë Tomor asokohe fort tërheqës, për të cilin sot, më 2023, “nuk dihet se ku ndodhet”. Ndërsa ky Partizan që barazon në RDGJ me të famshmin ASK Worvärts të Berlinit, në njëfarë mënyre mund të ishte vetë Kombëtarja e mundshme shqiptare:

Maliqati, Deliallisi, M.Papadhopulli, Dingu, Ndini, G.Merja, Kraja (Shllaku), Bespalla, (Jashari), Lubonja, Resmja, Pano.

Për një çast të krijohej bindja se me këtë fillim të ndeshjeve të këtij rangu europian, edhe pse miqësore, Shqipëria do të kishte një vit të pasur futbollistik ndërkombëtar. Nuk do të ndodhte kështu. Në të vërtetë 1960-ta do të jetë një nga vitet më të varfra në ndeshje ndërkombëtare të futbollit shqiptar. Me përjashtim të turneut të Partizanit në RDGJ, asnjë skuadër tjetër shqiptare gjatë këtij viti nuk do t’i kalojë kufijtë shtetërorë. Ndërsa Shqipërinë do ta vizitojnë vetëm tri klube, natyrisht të vendeve mike: Admiraltejec e Leningradit (më parë dhe më pas e njohur si Rezervat e Punës së Leningradit, por sidomos Dinamo e Leningradit, emër që nuk e ndërron më deri përtej viteve ‘90); Minior Dimitrovo e Bullgarisë (e njohur edhe si Minior Pernik) si dhe Petrolul e Ploeshtit. Dhe vetëm kaq! Rezultatet ishin: Dinamo – Petrolul 1-2, Partizani – Petrolul 5-0, 17 Nëndori – Minior 3-1, dhe 2-1, Flamurtari – Minior 2-1, Partizani – Admiraltejec 2-2, Skënderbeu – Admiraltejec 0-1, 17 Nëndori – Admiraltejec 1-1, Dinamo – Admiraltejec 1-0.

Ndeshjet me sovjetikët, në njëfarë mënyre, të dukeshin si një revansh i turneut të po kësaj skuadre në Shqipëri më 1954 kur me emrin më të habitshëm “socialist”, Rezervat e Punës së Leningradit, ajo i kishte fituar të tria ndeshjet e zhvilluara: 1-0 Punës Qendrore të Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë, 2-1 Dinamos dhe 1-0 Qytetit të Tiranës. Në këtë 1960, Admiraltejec vinte duke pasur në drejtimin e tij teknik si trajner, as më pak e as më shumë, por mu Nikollai Ljukshinov, i cili më 1956-‘57 kishte organizuar Kombëtaren e Shqipërisë dhe ishte marrë jo pak me riorganizimin e drejtimit teknik të futbollit shqiptar.

Do të mbetet historike për nga kompetenca deklarata e tij pas ndeshjes së fundit të turneut, asaj Dinamo – Admiratejec 1-0 të 11 nëntorit 1960. Tha Ljukshinov: “E gëzueshme për futbollin shqiptar është se kanë dalë mjaft të rinj si S.Halili, Pano, Bushati, Frashëri, Dingu, Pilika, T.Vaso, O.Mema, etj., që janë një e ardhme e mirë për futbollin tuaj”. Një parashikim i pagabueshëm! Po ndërkaq, Ljukshinovi shkruan një përshtypje të jashtëzakonshme për këtë turne në shtypin sovjetik, që e kam “zbuluar” këto vite të sotme, botuar pak kohë më parë në gazetën “Panorama”.

Ndërkaq, e rrallë do të mbetej fitorja e bujshme për kohën, ajo 5-0 e Partizanit të papërmbajtshëm, ndaj Petrolul më 29 nëntor 1960. E rralla tjetër, është e karakterit gjeopolitik që na thotë se Admiraltejec e Leningradit mbeti skuadra e fundit sovjetike apo ruse që shkel Shqipërinë, madje për gjithë sportet, deri pas plot 43 vjetëve: 29 mars 2003, Shqipëria – Rusia 3-1 për Kampionatin Europian 2004, histori e bujshme e treguar para pak në faqet e kësaj gazete. (Shih “Panorama Sport”, 27 mars 2023)

Do të përshkoheshin ndërkohë këto vite të ndarjes apo ndalimit të madh shqiptaro – sovjetik me refuzime të pamëshirshme të Shqipërisë Socialiste për mosluajtje, edhe në rastet kur do të përcaktojë shorti i veprimtarive europiane.

DHE TOMORI I BERATIT – PARTIZANI 2-1!
Kampionati Kombëtar i Shqipërisë 1960, do të fillonte më 13 mars 1960 dhe Partizani i cili mbërrin me vonesë nga RDGJ, luan më 17 mars me 17 Nëndorin dhe fiton 2-1. Për kampionatin është një fillim krejt modest, pa ritmikë, pa publicitet, me një pasqyrim tejet të varfër. Java 1 e kampionatit 1960 përmban këtë pamje të varfër skeduese:

JAVA 1
13.03.1960. Berat. Fusha sportive e qytetit:
Besa – Vllaznia 0-0

13.03.1960. Korçë. Stadiumi i qytetit:
Skënderbeu – Flamurtari 1-1

13.03.1960. Durrës. Fusha sportive e qytetit:
Lokomotiva – Labinoti 1-0

13.03.1960. Tiranë. Stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”:
DINAMO – TOMORI 2-1
DINAMO:
Beliu, S.Gjoci, S.Merja, Halluni (Gjikuria), H.Verria, Duma, Vorfi, S.Jareci, A.Ruço, Bushati, Duro.
TOMORI: Karaj, Guxhamani, Zinxhiria, Mile, Pane, Esqiu, Vendresha, Mestani, Zhelegu, Buzi, Alabaku.
GOLAT: Zhelegu 14’, Bushati 41’, Vorfi 75’.
GJYQTARË: E. Qyrfyçja, E.Laçi, V.Armiri.

17.03.1960. Tiranë. Stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”:
17 NËNDORI – PARTIZANI 1-2
GOLAT: Bylyku 20’ // Kraja, Frashëri.

Ajo që duhet theksuar është fakti i rrallë se në këtë 13 mars 1960 vihet në krye Dinamo, e cila nuk do të zbriste asnjëherë më prej vendit të parë deri te kurorëzimi me titullin e kampiones në Javën 18, të fundit, më 17 korrik 1960.

Kështu, me këtë ftohtësi mbërrihet te Java 2 dhe pasqyrimi i saj shkatërrohet i gjithi. Spikat vetëm një qëndrim ideopolitik për kampionatin për shkak të gjesteve që quhen si “sjellje që s’kanë asgjë të përbashkët me qëndrimin socialist në shoqëri”. Shkak bëhen dy ndeshje, ajo e Javës 1, 17 Nëndori – Partizani 1-2 dhe ajo e Javës 2, Flamurtari – Lokomotiva 2-2. Për të parën në tehun e kritikës së ashpër janë futbollistët Stërmasi e Frashëri të 17 Nëndorit, ndërsa për të dytën N.Shyti, M.Myshku e sidomos M.Muka të Lokomotivës dhe Xh.Llupa e S.Ibrahimi të Flamurtarit. Po mbi të gjithë pre e kritikës së ashpër bie trajneri i durrsakëve, i paharrueshmi ynë Skënder Dedja, ankues i rreptë i gjykimit gjatë ndeshjes.

Kur mbërrihet te Java 3, ajo e 27 marsit, lind fitorja e bujshme e Tomorit të Beratit 2-1 ndaj Partizanit. Skuadra beratase ka në 11-shin e saj një lojtar sulmues të fuqishëm dhe inteligjent, Fatburis Buzi – autor i dy golave qysh në pjesën e parë, çka vulosnin fatin e ndeshjes. Është 2-0 për minuta të tëra dhe goli i Ndinit vetëm sa shkurton.

Ajo është një javë pa asnjë barazim dhe vetëm me një fitore të jashtëfushës, ajo e Vllaznisë në Durrës, 1-0 me gol të Lutfi Laçjes. Të gjitha janë fitore të ngushta, me përjashtim disi të asaj të Dinamos që është 2-0 ndaj Flamurtarit të Vlorës. Kjo është dhe e vetmja ndeshje që shtypi i kushton rëndësi, sepse si dhe më parë, përderisa luan Dinamo, është e vetmja së cilës i botohet skeda e plotë që ne “me gëzim” e përfshijmë në këtë histori tonën, synimi i së cilës mbi gjithçka është që të kujtojmë futbollistët e asokohe.

27.03.1960. Java 3. Tiranë. Stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”:
Dinamo – Flamurtari 2-0
DINAMO: Beliu, N.Çaushi, Merja (Rreli), Halluni, H.Verria, Duma, Vorfi, S.Jareci, Bushati, Lubonja, Duro.
TRAJNER: Z.Konçi.
FLAMURTARI: Gjoleka, Ibrahimi, Papa, Elmazi, Luçi (Bejkosala), Dupi, Opingari, Gjyli, Ferko, Llupa, Mone.
TRAJNER: I.Pelinku.
GOLAT: Bushati 15’, Jareci 23’ (11-m).
PERJASHTIME: Ibrahimi (23’).
GJYQTARË: F. Fani, Xh.Kapidani, M. Dalipi.

E rëndësishme është se mjedisi futbollistik shqiptar, zyrtar dhe publik njëherësh, padashur kishte “zbuluar” forcën e Dinamos, e cila kishte plot katër vjet që nuk fitonte asnjë titull të kampionit, po që kësaj here, sidomos falë pesëshes së sulmit Vorfi – Jareci – Bushati – Lubonja – Duro, dukej gati e pandalshme.

Dhe ja tek mbërrin Java 4, ku për shkrimin tonë tash shpërthejnë emrat e shumtë të futbollistëve.

Dhe Dinamo me epërsi të qartë fiton në Shkodër me Vllazninë. Dy shkodranë dinamos, Qamil Halluni dhe Mehdi Bushati, të cilët bartin përmes këmbëve të tyre, si mbrojtjen ashtu dhe sulmin, janë vendimtarë të fitores.

Kësaj radhe kampionati duket se merr pra, me hapësirë publiciteti e gazetarie bashkë, ndoshta edhe për faktin se stadiumet nxijnë prej publikut: 15.000 shikues në ndeshjen Partizani – Skënderbeu 2-0, 8000 në atë të Besa – Lokomotiva 1-1 dhe 10.000 në atë Vllaznia – Dinamo 0-2. Mos jemi 62 vjet mbrapa, teksa sot, më 2023 të shekullit XXI sheh stadiume shqiptare thuajse të boshatisura?…

Drama e javës zhvillohet në Vlorë. 17 Nëndori kryeson 1-0 me golin e 18-vjeçarit tejet të talentuar Hysni Skënderi, edhe ngaqë në pjesën e dytë Opingari çon në shtyllë 11-metërshin. Ndërkaq, renditja, gjithnjë nën kryesimin e Dinamos, duket se merr një pamje të ngjeshur: Dinamo 8 pikë, Partizani 6, 17 Nëndori 6, Skënderbeu 5…

Tri skedat (Java 4) me emrat e shumtë të lojtarëve, janë tejet të çmueshme:

03.04.1960. Tiranë. Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa:
Partizani – Skënderbeu 2-0
PARTIZANI: R.Topi, Deliallisi, M.Papadhopulli, Dingu, Shllaku, G.Merja, Kraja, Ndini, Bespalla, Resmja (Bytyçi), Jashari.
TRAJNER: R.Spahiu.
SKËNDERBEU: Kola, Deli, Mile, M.Prodani, V.Prodani, Vaso, Samarxhi (Dvorani), Çela, A.Pilika, Koça, Lara.
TRAJNER: P.Qirinxhi.
GOLAT: Jashari 30’, G.Merja 73’.
GJYQTAR: A. Çanga.

03.04.1960. Kavajë. Fusha sportive e qytetit:
Besa – Lokomotiva 1-1
BESA: Sh.Topi, H.Tallushi, Idrizi, Simaku, A.Karriqi, Mahmudaj, Felahi, Gavardari, Gërmani (Xh.Tallushi), Dollia, Dimroçi.
LOKOMOTIVA: Pisku, Thimio, Z.Daja, Dani, Shyti, Myshku, S.Manushi, Hoxha, Çeta (Birçe), Goda, Muka.
GOLAT: Çeta 4’, Dollia 51’.
GJYQTARË: M. Tiko, I. Çani, V. Armiri.

03.04.1960. Shkodër. Stadiumi “Vojo Kushi”.
Vllaznia – Dinamo 0-2
VLLAZNIA: H.Hoxha, E.Bushati, Hasa, Gjoni, S.Zmijani, B.Cungu, B.Bebeziqi, Preza, A.Bakalli, Laçja, Medja.
DINAMO: Qoshja, S.Gjoci, S.Halili, Halluni, H.Verria, Duma, E.Tallushi, Jareci, M.Bushati, Lubonja, Duro.
GOLAT: Lubonja 43’, Jareci 68’
GJYQTARË: R. Pregja, Xh.Kapidani, H. Bejleri.

A do të sundonte përsëri dueli Dinamo – Partizani qoftë dhe në ndryshim kahu kësisoj: Partizani – Dinamo? Dhe a do t’ia arrijmë “ne” të zbulojmë më tej emra të pandalshëm të futbollistëve të skuadrave, çka është synim parësor i tregimit të kësaj historie?

Kjo nuk është një pyetje enigmë. Le të shpresojmë se do ta zgjidhim bukur e mirë në pjesën e dytë të këtij “dossieri” të fshehur për dekada…

PANORAMASPORT.AL