Shqipëria pa medalje, na e kalojnë edhe mikroshtetet/ Nga Bermuda te Fixhi e Tonga, ja vendet që na lënë targën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2021 | 13:48

Shqipëria pa medalje, na e kalojnë edhe mikroshtetet/ Nga Bermuda te Fixhi e Tonga, ja vendet që na lënë targën

Shqipëria mbylli konkurrimin e saj në “Tokio 2020”, edicionin e 32-të të Lojërave Olimpike. Në këtë Olimpiadë vendi ynë regjistroi rezultate të rëndësishme, siç ishin vendi i katërt me peshëngritësin Briken Calja, që është edhe pozicionimi më i lartë në historinë e Shqipërisë në Olimpiada apo arritja e finales me atleten Luiza Gega, që ishte një tjetër arritje historike.

Olimpiada Shqiperia

Një paraqitje që sigurisht mund të konsiderohet pozitive, nëse i referohemi faktit se përfaqësoheshim nga një ekip modest olimpik prej 9 sportistësh, ku vetëm 3 veta udhëtuan drejt Tokios me normë olimpike.

Përtej paraqitjeve individuale të sportistëve si Briken Calja, Luiza Gega apo Erkand Qerimaj, të cilët mbeten heronj për atë çfarë kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për flamurin kombëtar, edhe pas në “Tokio 2020” Shqipëria mbetet ndër të paktat shtete europiane që nuk njohin ende asnjë medalje olimpike, ndërsa radhitet poshtë shteteve thuajse krejt të panjohura në rang botëror, të cilat kanë popullsi prej vetëm dhjetëra-mijëra banorësh.

NË EUROPË “NGUSHËLLOHEMI” ME BOSNJËHERCEGOVINËN

Nëse u hedhim një sy shteteve të Europës që ende nuk dinë se çfarë është medalja olimpike, shohim që Shqipëria qëndron në të njëjtat pozita me Bosnjë-Hercegovinën, një vend i dalë nga lufta në mesin e viteve ‘90. Ndërsa në kuotën zero të medaljeve na bëjnë shoqëri edhe Andorra, Malta si dhe Principata e Monakos, ku të tria këto shtete të mbledhura së bashku kanë një popullsi prej rreth 600 mijë banorësh.

NA E KALON EDHE BERMUDA…

Zonën e medaljeve në Lojërat Olimpike verore apo dimërore kanë mundur ta provojnë shtete me popullatë që nuk i kalon dhjetëramijëra banorë siç janë Bermuda, Lihtenshtejni, San Marino, Tongo, Ishujt Virgjin etj. Por, edhe pse vende shumë të vogla, në këto shtete sporti ka një tjetër qasje në të gjitha komponentët, financiare apo infrastrukturore.

Shtetet medaliste me me pak se 1 mln banore

DËSHTIMI KUQEZI, PËRGJEGJËSI SHTETËRORE

Për mungesën e medaljeve olimpike personat e fundit përgjegjës janë sportistët, pasi ata asnjëherë nuk kanë mundur që të përballen në kushte të barabarta me kundërshtarët e tyre. Për këtë mjafton të shohim vetëm rastin e fundit me Luiza Gegën. Atletja përfaqësoi në finalen e 3000 metrave me pengesa “Tokio 2020” një shtet, ku kryeqyteti i të cilit nuk ka asnjë pistë tartani për atletikën.

Një rast unik botëror, që pasqyron më së miri realitetin e sportit në Shqipëri. Përveç infrastrukturës që na klasifikon te vendet e botës së tretë, e tillë është edhe mbështetja financiare që përfiton sporti nga qeveria, ku mjafton vetëm një krahasim i thjeshtë me Kosovën.

Dardanët investojnë 12 milionë euro në vit për sportin, ndërsa shteti shqiptar rreth 1 milion euro në vit. Përveç kësaj, te ne nuk janë favorizuese as politikat fiskale për sponsorët, teksa sportistët e kanë shumë të vështirë që t’i afrojnë, pasi mungon një ligj i mirëfilltë sponsorizimi. Për aq kohë sa do të vijohet me këtë qasje ndaj sportit, rezultati do të jetë gjithmonë i njëjtë: zero medalje!

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"