Shqipëria 1961 e futbollistit Panajot Pano

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2014 | 13:00

Shqipëria 1961 e futbollistit Panajot Pano

DizdariNga BESNIK DIZDARI
Më 1960, Panajot Pano është shpallur Sportisti më i Mirë i Vitit në Shqipëri. Është vetëm 21 vjeç! Një rast krejt i rrallë i fitimit të anketës së famshme për gati gjysmë shekulli të tanë në sportin shqiptar. Ishte viti 1960, kur i saporrëmbyer nga Partizani, edhe pse nuk fiton titullin e kampionit (është Dinamo kampione), mjedisi sportiv kombëtar sundohet prej artit të tij futbollistik. Duhet thënë se çdo ndeshje e tij ishte një shfaqje më vete: teknike, golshënuese, humbëse apo fitimtare qoftë, e nervozuar apo me etikë të lartë, ku gjithnjë Pano i ri është në qendër të vëmendjes. Shqipërisë, ndoshta mbas Loro Boriçit dhe Refik Resmes, i kishte ardhur një yll i ndritshëm, i cili në futbollin e tij të rrufeshëm, madje të papërmbajtshëm, nuk ngjasonte me asnjë deri asokohe.
Dhe mbërrin viti 1961. Ky është viti kur ai fiton titullin e tij të parë të kampionit të Shqipërisë, mbas ndeshjes shtesë 1-0 me Dinamon, tregim i botuar prej nesh në kapitullin e dytë të “romanit” tonë (Shih “Panorama Sport”, 18 shkurt 2014). Por, viti 1961 është dhe viti i Kupës Ballkanike dhe i Fenerbahçes, siç mund ta quajmë, ku merr pjesë Partizani si nënkampion i vitit 1960. Dhe protagonisti është një: Panajot Pano. Pa harruar natyrisht bashkësinë dashamire e kolektive të shokëve të tij, figura të rralla të futbollit shqiptar sepse, siç kemi thënë më parë edhe në këtë tregim, ne nuk e shohim të veçuar Panajotin nga shokët e tij. Përmes tij shohim dhe tregojmë futbollin shqiptar me gjithë zhvillimet, organizimet, çorganizimet, ulje-ngritjet e tij, absurdet, realitetet e tij edhe me protagonistë të tjerë…
KRONIKE PËR SHQIPËRINE 1961 DHE SPORTIN E SAJ
Historia e Panajot Panos është një rast bukur i mirë për të treguar në këtë kronikë të rrallë, sidomos për brezin e ri, se çka ishte Shqipëria sportive më 1961-shin. E, madje, çka ishte në tërësi viti shqiptar 1961. Në sipërfaqe besoj se e dinë edhe gjimnazistët e sotëm që ky ka qenë viti i “ndarjes” së Shqipërisë nga kampi i botës së njësuar komuniste, i ashtuquajtur socialist, për t’u mbyllur fort mes vetes deri më 1991. Viti ’61 është viti kur krejt papritmas do të mbërrijë në Tiranë i pari klub futbolli i një vendi kapitalist, siç ishte pra edhe Turqia: Fenerbahçe e Stambollit.
Jo vetëm ne të rinjtë, por edhe të vjetrit e asokohe, të cilët kishin përjetuar gjithë rrugën e futbollit dhe sportit shqiptar nga 1944 e deri më 1961, assesi nuk mbanin mend një interesim të tillë si me Fenerbahçen e Stambollit. Përziheshin shumë gjëra: e para dhe mbi të gjitha: për herë të parë mbas 23 vjetëve, qysh nga SK Tirana-Bari 2-0, shqiptarët do të shihnin në fushën e lojës njerëz që vinin prej një shoqërie tjetër, asaj jokomuniste, asaj të hapur dhe të sistemit kapitalist. Shto këtu dhe jo pak kërshëri ose “etje” historike ndaj Turqisë që mbushte librat tonë për zaptuesen e 450 vjetëve dhe gjithçka shndërrohej në shpalosjen e një pamjeje të afrimit të një enigme krejt të paparashikueshme.
Shqipëria e vitit 1961 shkonte te kjo ndeshje e pangjashme futbolli përmes një ecurie sa absurde aq dhe festive, sa “atdhetare” aq dhe politike, sa komuniste aq dhe jokomuniste në fshehtësi. Për sa i përket sportit, viti nis me njoftimin se më 8 janar në Stamboll kishin luajtur Fenerbahçe me Levskin e Sofjes (0-0) ndeshjen përuruese e Kupës Ballkanike, ku merrnin pjesë edhe Partizani i Tiranës, AEK i Athinës dhe Steagul Roshu i Brashovës së Rumanisë – të gjithë nënkampionë të vendeve të tyre për vitin 1960. Në vetëm 5-6 vjet të Kupës së Kampioneve të Europës, kjo veprimtari me seriozitetin që nisi, ishte thuajse një ngjarje me përmasa të një jehone deri diku edhe europiane.
Shqipëria, ndërkaq, kishte nisur fushatën për Kongresin IV të PPSH-së dhe, si në një sfidë e zbehtë, befasuese properëndimore, për çudi volejbollistët e Partizanit merrnin avionin për në Vjenë në Kupën e Kampioneve. Për historinë tonë kjo përbën veprimtarinë e parë të një klubi sportiv shqiptar në Europë. Nën drejtimin e trajnerit tonë të madh, Enver Maçi, Partizani kthehet nga Vjena me një fitore të thellë 3-0 ndaj OMV Blau Gelb, falë lojës së sigurt të Fatmir Mekës, Petrit Murzakut, Napoleon Llallës, Masar Agës, Jorgji Konës, Pëllumb Pelivanit, Vasil Bingës, Fatmir Sharofit dhe Ali Llullollit. Të dukej se Shqipëria po shihte më në fund drejt Perëndimit Sportiv dhe katër-pesë vjet luftë me zbatimin apo moszbatimin e vijës së gjithë kthesës që blatonte Kongresi XX i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, mund të bindnin edhe Shqipërinë e Enver Hoxhës. Duhet thënë se deri në këtë ditë të Vjenës, sporti shqiptar i klubeve ishte i vetmi prej atyre të vendeve komuniste që nuk merrte pjesë në Kupat e Europës. Në Tiranë, në ndeshjen e kthimit, 3- 0 përsëritet dhe kështu Partizani i volejbollit kalon i sigurt turin.
Më 13 shkurt 1961, Kongresi IV i Partisë nis punimet e tij dhe tashmë dritëhijet e prishjes së madhe me Bashkimin Sovjetik, pak a shumë, nisin të kuptoheshin edhe më qartë. Në raportin e Enver Hoxhës, pavarësisht nga pohimi i tij në fjalën në Kongres se: ‘Kush do të guxojë ta cenojë këtë miqësi, ai do të jetë armiku ynë”, mesa dukej, gjithçka mund të kuptohej vetëm me shtesën befasuese se: “Partia jonë do të punojë për forcimin e miqësisë, të dashurisë dhe të bashkëpunimit të Partisë dhe të popullit tonë me popullin e madh kinez dhe Partinë e tij Komuniste të lavdishme”. Merrej vesh edhe më tej me vendin e pakët që i jepet njoftimit të përshëndetjes që mban në Kongresin e Tiranës, Pospjellovi, kryetari i delegacionit të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Nuk kishte për të zgjatur dhe ndërkohë, Shqipëria po bëhej gati të mbyllte përfundimisht edhe marrëdhëniet me sportin sovjetik, ndër më të fuqishmit në botë, i cili kishte ndikuar jo pak në zhvillimin e sportit shqiptar.
Volejbollistët e Partizanit duhet të ndesheshin në turin e dytë me kampionen e Francës “Stad de France”, por ky nuk vjen në Tiranë dhe në stadiumin e lojërave me dorë “Studenti”, një amfiteatër tejet piktoresk, sot i shndërruar në Parkun e Lojërave të Rrugës së Elbasanit, ne bëhemi dëshmitarë të një episodi të rrallë në historinë sportive të Shqipërisë. Partizani del në fushën e lojës, francezët nuk kanë ardhur në Tiranë dhe gjyqtari jugosllav Borivoje Lecic vërshëllen, zbret nga kulla dhe firmos fitoren 3-0 të kampiones së Shqipërisë për mosparaqitje të francezëve. Federata Shqiptare e Volejbollit urdhërohet të kujtojë se me kaq Partizani ka siguruar kualifikimin dhe nuk shkon në Francë për ndeshjen e kthimit, që i jepet po 3-0, kësaj radhe francezëve. Federata Ndërkombëtare e Volejbollit cakton një ndeshje të tretë në Bukuresht dhe kampionia e Shqipërisë me një farë fobie të çuditshme ndaj Stade de France, nuk lejohet prej shtetit të vet të shkojë në Paris. A ishte punë sporti apo politikë kundërperëndimore dhe frikë nga vizita e volejbollistëve shqiptarë në Francë? Kështu apo ashtu, Partizani eliminohet për mosparaqitje. Me këtë episod niste një histori e llojit shqiptar po politik, për të mospranuar skuadra sportive të shteteve “armike”. Është një histori më vete, që meriton një libër më vete.. Megjithatë, ajo është ende një Shqipëri më sportive se kurrë.
Në Tiranë mbërrin ekipi i shkëlqyer i atletikës, Dukla e Pragës, që mahnit publikun. Sokol Morina thyen rekordin kombëtar në 1500 metra dhe në vrapimin e 800 metrave zhvillon një duel të paparë me Odlozhil të Çekosllovakisë, i cili shumë shpejt do të bëhet një nga më të mirët e botës. Morina i Shqipërisë mbetet mbas vetëm për 7 të dhjetat larg çekut të madh. Për takimin e dytë Dukla shkon në Shkodër dhe unë, djalë i ri, me disa shokë udhëtojmë për në Qytetin e Veriut mbrapa atletëve të Çekosllovakisë për në stadiumin “Vojo Kushi” të Shkodrës. Atje atleti Sabaudin Ramku kalon i pari në historinë e Shqipërisë 7 metrat në kërcimin së gjati: 7.04 dhe për herë të parë një atlet shqiptar, fenomeni Hysni Bebeziqi – rekordmeni shqiptar në së gjati, trehapësh dhe së larti, synon të kërcejë, por pa e arritur lartësinë 1.90 metra. Nga kampi tjetër, Jirzi Skobla, kampion i Europës në gjyle, e çon sferën e rëndë në 17.52 metra, që sot e kësaj dite në terrenet shqiptare e ka kapërcyer vetëm një njeri: rekordmeni ynë i përmasave ndërkombëtare, Adriatik Hoxha i Teutës së Durrësit.
17 Nëntori i Tiranës ndërkohë shpallet kampion i Shqipërisë në basketboll për femra e meshkuj. Emrat janë të paharrueshëm, ndonëse brezi ynë i ri i sotëm, për shkak harrese tipike të historive shqiptare, nuk i njeh assesi: Llaci, Dule, Sojli, T.Radoja, Kazazi, Hanxhari me trajner Q.Shalësin; Dh.Papa, K,.Papa, Lahi, Bumçi, Golemi, Guraziu, Radoja, Shehu, Shaka, Lahi, Gjurba, Shundi me trajner të paharrueshmin Feti Borova. Gjëja më e rrallë është se në skuadrën e meshkujve të 17 Nëntorit ishin pesë basketbollistë nga Shkodra: Bujar Golemi, i cili më 1992-shin do të bëhej ish-sportisti i parë deputet i Demokracisë; Filip Guraziu, i cili do të bëhej kryetari i parë i Bashkisë së Shkodrës po në Demokraci mbasi për luftë të pamëshirshme biografike, i qe ndaluar të luante edhe basketboll; Renato Radoja – legjendari i basketbollit shqiptar, si dhe të mirënjohurit Agim Lahi dhe Vladimir Gjurbaj. Gjashtë vjet më vonë, më 1967-ën, nën drejtimin e pedagogut tonë të shquar Esat Haxhi, ata do ta shpallnin Vllazninë për herë të parë kampione të Shqipërisë.
Në sfera të larta botërore, Valeri Brumel i BS fiton duelin sportiv-politik me kërcyesin amerikan, John Tomas dhe arrin rekordin botëror 2.23 metra. Jolanda Balash e Hungarisë mbërrin deri në 1.91 metra për femra dhe sporti i kampit komunist thuajse nis e sundon botën. Shqipëria, nga ana e saj, mbush faqet e gazetave me këto suksese të përbotshme, ndonëse prishja me BS është te pragu i derës.
Ndërkaq, Vllaznia e basketbollit fiton 56-51 në Këndin “Spartak” të Shkodrës me BVSC të Budapestit, çka përbën fitoren e parë ndërkombëtare të një klubi shqiptar në basketboll: emrat janë të pashlyeshëm: Vehbi Ademi, Luan Shatku, Skënder Osmani, Valter Kalaja, Zyhdi Çoba, Petrit Osmani, tre të fundit shokët e mijtë të Gjimnazit, asokohe vetëm 18-19-vjeçarë, çka përbënte një sensacion të plotë përballë basketbollistëve të sprovuar hungarezë, me në krye Banna-n e Kombëtares së Hungarisë. Nga ana e tij Ramazan Driza, sa elegant aq dhe stilist i përkryer, kalon i pari në historinë e Shqipërisë 15 metrat në hedhjen e gjyles: 15.15 metra rezultat tejet nderues për sportin shqiptar të asokohe.
Dhe befasi: në Shqipëri mbërrin skuadra e futbollit të Pekinit, shéj ndër të parat e rivalitetit Kinë-BS mbi sundimin e Shqipërisë. Sensacioni vazhdon me Pekini-17 Nëntori 3-0, Pekini-Partizani 2-1 dhe vetëm Dinamo- Pekini 2-1! Në Tiranë mbërrijnë boksierët e mundësit e Honvedit të Budapestit, me të cilët Shqipëria kor një sukses të përmasës europiane, e me to edhe futbollistët hungarezë të Vasas të Diosgjorit; dhe kur shton edhe hungarezët e basketbollit të sipërcituar, sot e kësaj dite nuk mund të merret vesht përse gjithë këto sportistë të mrekullueshëm hungarezë në të njëjtën kohë në Shqipëri! Do të ishin ndër “revizionistët” e fundit që shkelnin tokën shqiptare para mbylljes së madhe. Nuk vonon dhe Ramazan Driza bëhet kampioni i parë ballkanik në historinë e Shqipërisë: atletikë e lehtë, gjyle për të rinjtë, 15.03 metra. Kluzh i Rumanisë. Një sportist i parival.
Nga kronikat e jetës tjetër, bota mbetet e shtangur kur mëson se sovjetiku Juri Gagarin bëhet kozmonauti i parë në historinë e njerëzimit te fluturon mbi hapësirat ndërqiellore. Kina dhe Shqipëria firmosin “Marrëveshjen” mbi dhënien e një kredie për Shqipërinë, çka i vë vulën pragut të prishjes së famshme me Bashkimin Sovjetik. Kryetari i parë në histori i Komitetit Olimpik Shqiptar, i nderuari Vasil Konomi, dekorohet me rastin e 50-vjetorit të lindjes në një ceremoni të posaçme qeveritare. Dhe mbërrin fillimi me bujë për festimet e 20-vjetorit të themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, prej kohësh PPSH. Rrallë në historinë e Shqipërisë së Shekullit XX kronika ishte kaq e pasur, kaq misterioze, kaq gjeopolitike, natyrisht në ngushtësinë e punëve të vendit të vogël, fanatik të shoqërisë komuniste të kampit socialist. E gjitha kjo të dukej si në një fantazi të tejskajshme, teksa për ne aty lart qëndronte një njeri: Panajot Pano.
PANAJOT PANO – PROTAGONIST I PARTIZANIT MODERN
Ky do të ishte viti 1961. Por, siç thamë, viti 1961 është dhe viti i Kupës Ballkanike dhe i Fenerbahçes. Pritej pra, me ankth Fenerbahçe e Stambollit. Kupa Ballkanike me klubet, edicioni i parë. Po përpara se të mbërrinte në Tiranë Fenerbahçe, premiera e Partizanit është klubi “Steagul Roshu” i Rumanisë. Ndeshja zhvillohet më 9 mars 1960, në qytetin Steagul Roshu, para 20.000 shikuesve dhe 1-0 për rumunët, mbas një loje mjaft të mirë të Partizanit shqiptar i përbërë nga Maliqati, Deliallisi, M.Papadhopulli, Dingu, Ndini, Shllaku, Kraja, G.Merja, Pano, Resmja e T.Shehu (Bytyçi 87′). Rumuni Mesarosh shënon qysh në të dytën dhe për 88 minuta ata ruajnë rezultatin, edhe pse loja e Partizanit është jo vetëm mjaft e mirë, por me një epërsi tokësore, deri aty saqë në pjesën e dytë gjithçka është në gjysmëfushën rumune. Është fare pranë golit Pano, madje në të 80-ën minutë ai arrin të shënojë, por goli anulohet. Spektatorët rumunë befasohen, sidomos prej lojës së Panos, i cili thuajse bën gjithçka: çmarkohet, shpërthen, fiton gjithë sprintet me rumunët, gjuan, rrëzohet e ngrihet… Duke u mbështetur fort prej veteranit Refik Resmja, në një ditë të shkëlqyeshme edhe ai, por 0-1!
Duhet të presë ndeshjen e dytë, atë me Levskin e Sofjes të 30 marsit 1961, kur fitorja 2-0 e Partizanit është e pastër si drita e diellit. Kemi hyrë në stadiumin “Dinamo” nja 4 orë para ndeshjes, në një stadium që normalisht ishte bërë për 12.000 vetë, e ku shiteshin plot 20.000 bileta! Askush deri sot nuk e ka bërë llogarinë se sa ka fituar shteti i asokohe nga ndeshjet kësisoj të futbollit, teksa sot i kemi futbollistët me më pak se 20.000 lekë (të rinj) pension. Dhe Panajot Pano! I papërmbajtshëm! Në të vërtetë ndeshja ka dy episode për antologjinë e futbollit. Në të parin të minutave po të para, i mrekullueshmi Kolec Kraja shënon drejtpërsëdrejti nga goditja e këndit, gol për të hyrë në analet e FIFA-s! Mandej, ngjitet në katedër Panajot Pano. Është minuta e 25-të. Ne jemi dëshmitarë të shfaqjes më befasuese të efektivitetit të stilit të tij që do ta shoqërojë për vite. “Nuk është parë ndonjëherë në fushat e futbollit”, – shkroi Anton Mazreku. Ishte një shou i stilit sa brazilian, po aq dhe anglez. Drejt Panos vjen një top nga thellësia e mesfushës. Pano në krahun e djathtë ndalon për një çast, thuajse ngrin në vend (mijëra herë do të bënte kështu). Mandej shpërthimi “panajotist”, nëse mund ta krijojmë sot këtë neologjizëm. I papërmbajtshëm, si i një rakete e që teksa duket e ngurosur në shtratin mbajtës, shkëputet si vetëtimë. Tri “viktima” të tij janë të paracaktuara të dënohen. Driblon të parin. I del i dyti e thuajse e rrëzon me finten e tij. I del i treti, e shmang si të mos ekzistonte dhe në çast tërthorja (krosimi) i tij drejt portës bullgare ku është portieri Dervenski, që e prek paksa, nuk e ndal dhe një kolos tjetër i Partizanit, me emrin Robert Jashari tund rrjetën! Mazreku thotë vetëm tri fjalë: “Gjithçka te Pano plot talent”. Nuk mund të përshkruaj sot mbas 53 vjetëve sa çka ka ndodhë në stadiumin “Dinamo” atë ditë marsi plot diell, si dhe sot. Shqipërisë, e cila ende nuk kishte njohur as pjesëmarrje në kampionatet botërore dhe europiane dhe as në Kupat e Europës, në këtë 2-0 ndaj Levskit të Sofjes – skuadër legjendë e Bullgarisë, çka e vinte Partizanin në vendin e dytë mbas Steagul Roshut, duke lënë përkohësisht mbrapa Fenerbahçen, AEK-n e Athinës dhe Levskin, i dukej sikur të ishte fituar Kupa e Europës. Duket e tepërt ta thuash sot këtë, kur të rinjtë shqiptarë brenda javës shohin klubet më të mirë të kontinentit, madje disi edhe me mospërfillje e snobizëm, por ec e futu në Tiranën e vitit 1961, që ende kishte mbetur pothuajse ajo e kohës së Mbretërisë, për ta kuptuar gjithë befasinë e ndodhisë.
Pano, po e po. Por Shqipëria po riformonte një skuadër me emrin Partizani, që ndoshta ishte parë vetëm tre vjet më parë në Turneun e Lajpcigut. Por tash me një fenomen më tepër me emrin Panajot Pano. Një shkrimtar i shquar, i paharrueshmi profesori ynë Bedri Dedja, rrëmben pendën dhe thuajse në ekstazë shkruan: “Ndeshja për Kupën e Ballkanit midis Partizanit dhe Levskit! Ja një barometer i luftës burrërore sportive, i lojës korrekte e dinamike, që me të drejtë shkaktoi një det emocionesh dhe entuziazmi tek publiku!” Shqipëria e varfër dhe e izoluar kishte mall… Gjithçka do të vërtetohej më tej, te ngjarjet që do të vinin, çka pavarësisht nga dështimet, që nuk do të mungonin, e rëndësishme ishte se me këtë Partizan 1961 nuk do të vononte dhe Shqipëria do të hynte në Kupat e Europës në mënyrën më të paparashikueshme që mund të merrej me mend për një vend të vogël të një sporti e futbolli modest… Dhe, ndërkaq: rrallë mund të ndodhte që një lojtar i vetëm, në këtë rast Panajot Pano, mund të elektrizonte asisoj dhjetë lojtarë të tjerë, të cilët tashmë mund të themi pa mëdyshje se po shkriheshin në stilin e tij. I udhëhiqte një këmbë dhe mendje e rrallë e futbollit me emrin Refik Resmja, çuditërisht, mû fundin e karrierës së tij.
Do ta mbyllin këtë kapitull, duke i nderuar me kujtesë të gjithë protagonistët e fitores me skuadrën e famshme bullgare Levski, të cilën trajneri i pashlyeshëm Rexhep Spahiu ia shfaqi publikut shqiptar. Nuk gaboj kur them se në këtë ditë Shqipëria kishte themeluar klubin e saj të stilit europian. Ishte Partizani 1961. Ishin futbollistët: Maliqati, Deliallisi, M.Papadhopulli, Dingu, Ndini, Shllaku, Kraja, Bukoviku (G.Merja), Pano, Resmja, Jashari. Me këtë Partizan Shqipëria sapo kishte formuar skuadrën e saj më moderne në histori. Do ta vërtetonte këtë jo thjesht Fenerbahçe e Stambollit, por mbas saj edhe premierat e rralla të këtij Partizani në Kupat e Europës. E kishte radhën aventura e Stambollit, i cili për nja katër shekuj kishte qenë edhe kryeqyteti i shqiptarëve: Fenerbahçe. Kështu i afrohemi ardhjes së saj në Shqipëri, klubi i parë i një shteti kapitalist të mbas Luftës së Dytë Botërore që prek tokën arbnore, përfaqësuese e shquar e shtetit, i cili e kishte lënë Shqipërinë jo dhe aq larg, “vetëm” 49 vjet më parë, më 1912, mbas një pushtimi 450-vjeçar. Në të vërtetë, para se të mbërrinte Fenerbahçe në Tiranë, ngjarja ka një paraskenë madhështore. Kjo ngaqë ngjet pra, që më parë Shqipëria e çon në Stamboll Nënkampionen e vet Partizani, tash Kampione e sapokonsakruar, për ndeshjen e shkuarjes, ku ka përballë Nënkampionen e vitit 1960 të Turqisë, Fenerbahçe, edhe ajo Kampione e sapokonsakruar e Turqisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"