4 gola me Grasshopersin, Gashi prek “Këpucën e Artë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2014 | 9:28

4 gola me Grasshopersin, Gashi prek “Këpucën e Artë”

GashiNëntëdhjetëminutëshi i djeshëm i Grasshopersit mban emrin e Shkëlzen Gashit. Mesfushori me tipare ofensive i kësaj skuadre dhe i Kombëtares shqiptare shënoi katër nga pesë golat e skuadrës së tij në fitoren 5-0 ndaj Jang Bojs. Seria e goleadës u hap në minutën e 4-t, kur Gashi shfrytëzoi më së miri një hutim të mbrojtësve: Munas Dabur në të majtë driblon bukur dy lojtarë dhe më pas pason në krahun tjetër të sulmit, me topin që pasi kalon gjithë pasqyrën e portës mbërrin pikërisht te Gashi, i cili me portën thuajse bosh nuk e ka të vështirë të shënojë. Pasditja pozitive e Grasshopersit vijon edhe me një ndihmë të madh që i jep arbitri, teksa në harkun e vetëm 6 minutave nxjerr dy kartonë të kuq për miqtë: Zarate në minutën e 34-t dhe Roshat në të 40-ën u detyruan të shkojnë më parë në dushe, duke lënë ekipin e tyre me nëntë lojtarë. Roshat shkaktoi edhe një penallti në momentin e marrjes së kartonit të kuq, të cilën e ktheu në gol pikërisht Shkëlzen Gashi. Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë. Në të dytën, me një superioritet të dukshëm numerik, vendësit e patën më të lehtë ta spostonin totalisht takimin në gjysmëfushën e miqve. Në minutën e 50-të, Gashi merr një top në hyrje të zonës dhe mes dy mbrojtësve dhe me portierin paksa të dalë nga porta, me të majtën e dërgon për herë të tretë topin në rrjetë. Supremacia e vendësve nuk njeh limite, por as kosovari i kuqezinjve nuk ndien të ngopur. Tre minuta më vonë, ai shfrytëzon bukur një moment pasigurie në zonën e vogël të portierit mik dhe të një mbrojtësi me të majtën e çon topin për herë të katërt në portën e Jang Bojs. Këtu përfundon “pokeri” i Gashit, pasi në minutën e 71-të trajneri e zëvendëson me Kaio, duke i dhënë edhe pak minuta këtij të fundit. Ndërkohë golin e pestë dhe të fundit për Grasshopers e shënoi Ngamukol në minutën e dytë shtesë. Sakaq, kujtojmë që Gashi ka shënuar këtë sezon edhe një tripletë në fitoren 4-2 të Grasshoperit ndaj Sionit, një dopietë në fitoren 4-2 ndaj Araut dhe nga një gol në ndeshjet: Bazel-Grasshoper 1-1, Lozanë- Grasshoper 0-2, Thun- Grasshoper 1-3, St.Galen- Grasshoper 1-5, Luzern-Grasshoper 1-3, Grasshoper-Lozanë 2-0, Grasshoper-Arau 4-2 dhe St.Galen-Grasshoper 0-2. Ai është golashënuesi më i mirë në Zvicër me 17 gola.

“Luftë” shqiptarësh për vendin në Ligën e Europës
Kampionati zviceran është ndër të vetmit ku nuk mungojnë shqiptarët me shumicë. Vetëm në dy klube nga 10 të tilla nuk ka asnjë lojtar shqiptar: Arau dhe Jang Bojs. Në këtë këndvështrim ka një “luftë” të ashpër mes shqiptarëve për një vend në Ligën e Europës. Kampionati pas 33 javësh kryesohet nga Bazeli i Taulant Xhakës me 63 pikë, që me gjasa, nëse nuk gabon në katër javët e mbetura, do të shpallet kampion. Pas tij vjen Grasshopersi i Gashit dhe Abrashit (59 pikë), i cili me shumë gjasa do të marrë pjesë në pre-eliminatoret e Kupës së Kampioneve. Këtyre të fundit u duhen vetëm dy pikë për të siguruar edhe matematikisht Kupën e Kampioneve. Sakaq, për dy vendet e Ligës së Europës ndeshen Jang Bojs (49), Luzerni i Hykës (48), Zyrihu i Armando Sadikut dhe Burim Kukelit (45), si dhe Thuni (45 pikë).
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"