Shënoi dy penallti dhe nuk mjaftuan, Peposhi “qan” Kupën: Ishim 20 sekonda larg gjysmëfinales

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2024 | 19:25

Shënoi dy penallti dhe nuk mjaftuan, Peposhi “qan” Kupën: Ishim 20 sekonda larg gjysmëfinales

Teuta u eliminua nga Kupa e Shqipërisë në mënyrë dramatike. Deri pak sekonda para fundit të ndeshjes me Tiranën ishte e kualifikuar, por në atë moment pësoi gol dhe pastaj “ruleta” e penalltive ishte në favor të kundërshtarit në “Elbasan Arena”. Mesfushori Ergys Peposhi, i cili në atë ndeshje shënoi dy penallti, në një intervistë për “Panorama Sport”, shpreh keqardhjen për atë eliminim të dhimbshëm dhe thekson se skuadra duhet të mbledhë forcat për takimin e kampionatit me Dinamon.

peposhi teuta

Peposhi, si do ta komentonit eliminimin nga Kupa e Shqipërisë më penallti?
Ishim vetëm 20 sekonda afër gjysmëfinales dhe të vjen shumë keq që jemi eliminuar. Të vjen akoma më shumë keq kur luan më mirë se kundërshtari, krijon raste për ta mbyllur ndeshjen dhe në fund ndëshkohesh. Ky lloj eliminimi të dhemb, penalltitë janë pak a shumë 50 me 50. Do të thosha se u eliminuam për gabimet tona më shumë sesa për meritë të kundërshtarit.

Sa mund të ndikojë ky eliminim në kampionat?
Nuk meritonim të largoheshim, por i tillë është futbolli. Duhet të mësojmë nga dështimet, duhet të jemi më të fortë. Tani synimi ynë është të fitojmë ndeshjen me Dinamon e më pas të arrijmë objektivin minimal, të dalim nga zona e ftohtë e renditjes. Teuta ka karakter dhe jam i bindur se do të rikthehemi më të fortë.

Çfarë ndeshjeje prisni ndaj Dinamos?
Së pari duhet të rikuperojmë forcat, sepse kampionati është shumë i gjatë. Me Dinamon do të jetë një sfidë e vështirë. E konsiderojmë si ndeshje radhe, pa humbur respektin për kundërshtarin. Teutës i duhet të fitojë ndeshjet e kampionatit për të mos e diskutuar qëndrimin në Superiore.

A do ta pranonit edhe një barazim me Dinamon, ju vlen në këtë situatë?
Teuta, siç e përmenda, ka karakter dhe mund të fitojë çdo ndeshje. Nuk mund të kënaqemi me barazimin, do të kërkojmë maksimumin në këtë takim. E kemi studiuar Dinamon, ja dimë pikat e forta dhe pikat e dobëta. Do të jetë një përballje interesante besoj.

Teuta noton në ujëra të turbullta, kur kanë mbetur edhe 10 ndeshje nga fundi. Sa shpresë keni se do të ringriheni?
Nuk kam asnjë dyshim për potencialin që kemi si skuadër. Kemi treguar se mund të kalojmë situata të vështira dhe duhet të garojmë vetëm me veten.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"