Shameti pas 6 sezonesh: Do firmos për Luftëtarin

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Korrik 11, 2012 | 13:48

Shameti pas 6 sezonesh: Do firmos për Luftëtarin

Ylli Shameti, sipas të gjitha gjasave, pritet të jetë goditja e radhës në merkaton e verës për gjirokastritët e Nevil Dedes. Lajmin e konfirmon për “Panorama Sport” vetë mbrojtësi 28-vjeçar, i cili do të duhet të bëhet pjesë e formacionit vendës pas plot gjashtë sezonesh. “Më ka telefonuar presidenti i ekipit për t’u bërë pjesë e grupit në përgatitjet e verës. Ndaj, nga sot (dje) kam nisur përgatitjet me skuadrën, pasi besoj se do të arrij të gjej emëruesin e përbashkët financiar me presidentin Flamur Bime. Luftëtari është skuadra e vendlindjes, e qytetit ku hodha hapat e para të futbollit profesionist. Kësisoj, më duhet të jap më të mirën e mundshme për skuadrën e zemrës, skuadrën ku u linda dhe u formova si lojtar. Pavarësisht se nuk kam firmosur, them se gjithçka është mbyllur, teksa pas rikthimit të presidentit Bime nga Greqia do të marrë fund çdo aludim rreth të ardhmes sime”, – tha Shameti. Përpos prurjeve të reja gjatë ditëve të merkatos së verës, Luftëtari nuk ka ndër mend të dorëzohet pasi, nga sa mësohet, një tjetër lojtar cilësor në repartin ofensiv synohet t’u bashkohet gjirokastritëve në ditët në vijim. Bëhet fjalë për një lojtar të “kalibrit” të rëndë në repartin sulmues. Gjirokastritët me lojtarë si Nora, Miliç, Raboshta, Braho, do t’u tregonin rivalëve superioritetin e repartit ofensiv.
Përgatitjet – Sot gjirokastritët pritet të realizojnë testin e parë të kontrollit brenda familjes, teksa stafi teknik i Luftëtarit pret të evidentojë konkretisht gjithçka për futbollistët bluzinj. Dita e djeshme për djemtë e Dedes ka qenë e mbushur me ushtrime stërvitore, pasi paraditja i ka gjetur lojtarët gjirokastritë në kodrat piktoreske të liqenit Viroit. Synimi i teknikut tiranas është vetëm një: ngritja në nivele të larta fizik dhe tekniko-taktik. Mësohet se Dritan Kristidhi, nga e hëna është rikthyer në stolin e bluzinjve.
Tomor Shehu






www.minuta90.com