Salihi: Presioni te ne, por do vijojmë ëndrrën europiane

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2015 | 19:54

Salihi: Presioni te ne, por do vijojmë ëndrrën europiane

salihiHamdi Salihi është i ndërgjegjshëm se asgjë nuk ka përfunduar, edhe pse Skënderbeu ka hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit pas fitores 2-0 në ndeshjen e parë në Moldavi ndaj Milasmit. Sipas shkodranit, presioni në këtë takim është te Skënderbeu, jo në kampin moldav.

“Kemi fituar ndeshjen e parë, por duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos kalojmë në eufori. Nëse do të shikojmë rezultatin 2-0 në favorin tonë, mendoj se do të jemi ne në presion dhe jo Milsami, pasi ata do të mundohen të provojnë gjithçka. Në fund të fundit, ata nuk kanë se çfarë të humbasin dhe do të tentojnë gjithçka”, u shpreh fillimisht Salihi gjatë një bisede për “Supersport”. Më tej ai foli për ëndrrën europiane që po shijon me Skënderbeun, teksa shpreson të zgjasë sa më shumë. “Më gëzon fakti kur shoh një qytet të tërë që po shijon ëndrrën europiane, pasi janë të gjithë duke pritur kalimin tonë në turin e radhës. Edhe pse nuk është e lehtë, sepse futbolli është i paparashikueshëm, mendoj se do të bëjmë çmos për të kaluar më tej”, shtoi sulmuesi shkodran.

Garancia

I pyetur nëse është bindur tashmë për të qëndruar gjithë sezonin te Skënderbeu, 31-vjeçari pranoi se shanset janë shtuar që ai të mos mendojë për skuadër tjetër jashtë Shqipërisë. “Jua them me sinqeritetin më të madh se Skënderbeun nuk e ndërroj për asnjë ekip tjetër në Shqipëri. Madje, jam i bindur që Skënderbeun nuk kam për ta ndërruar as me ndonjë klub dosido në Europë. Është edhe një muaj kohë merkatoje, por që premisat për të qëndruar në Korçë nuk janë të pakta”, deklaroi Salihi.

Rekordi

Sulmuesi është golashënuesi më i mirë në Ligën e Kampioneve pas tre tureve. Me katër gola të realizuar deri më tani, Salihi kryeson listën e golashënuesve, edhe pse në të njëjtën kuotë golash është edhe Mikael Uilde i skuadrës uellsiane, Nju Saints. Sipas statistikave që ka nxjerrë UEFA, shkodrani kryeson listën, sepse ka luajtur më pak ndeshje dhe minuta se sulmuesi uellsian.

“Nuk më intereson shumë renditja e golashënuesve për momentin, pasi jam i përqendruar te Skënderbeu dhe ndeshja e radhës. Natyrisht dua që golat të vazhdojnë dhe ta ndihmoj sa më shumë skuadrën”, u shpreh dje sulmuesi, i cili me fanellën e Skënderbeut është aktivizuar në tri ndeshje deri më tani ose e thënë ndryshe 270 minuta. Ndërkohë, emri i Salihit figuron në statistikat e publikuara nga UEFA për Champions-in edhe sa u përket goditjeve në portë. Lojtari i bardhekuqve është në vendin e katërt me 6 goditje në kuadrat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"