Rikthimi i Shkodrës: Kisha frikë të luaja, Skënderbeu fiton titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2017 | 17:36

Rikthimi i Shkodrës: Kisha frikë të luaja, Skënderbeu fiton titullin

Donjet Shkodra rikthehet nga dëmtimi. Për shkak të një “rubture muskulore” në këmbën e djathtë, Shkodra ka lënë pas dëmtimin që e la për tetë javë jashtë fushe. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Shkodra ka theksuar se tashmë është i gatshëm plotësisht.

shkodra alvesh

Kosovari është i bindur se Flamurtari nuk do të bjerë nga kategoria, ndërsa thotë se ka dëshirë të rinovojë sërish, në një kohë që Skënderbeun e shikon si kampion. Shkodra rrëfehet edhe për jetën private. Zbulon lidhjen me një vajzë shqiptare që jeton në Gjermani, si dhe faktin se babai i tij ka qenë trajneri i Gjilanit.

Shkodra, ka kaluar plotësisht periudha e dëmtimit për ju?

Po, mund të them se ka kaluar. Me Kukësin mund të them se pata pak frikë, pasi ishin minutat e para pas dëmtimit. Kisha pak frikë, por kur hyra në fushë, nuk ndjeva gjë. Edhe në stërvitje nuk ndieja asnjë dhembje, ndaj mendoj se tashmë dëmtimi ka kaluar plotësisht dhe shpresoj të vazhdoj kështu.

Cili është komenti juaj për situatën te Flamurtari?

Profesor Duro kur e sheh se loja është e vështirë, si me Teutën, si me Tiranën, apo me ndonjë ekip tjetër, mendon se është më mirë që të marrim një pikë sesa pa pikë. Futbolli e ka dhe duhet pak fat. Varet se si vijnë situatat në futboll. Ka ekipe në Angli që vjet mund të kenë qenë për kampion, sivjet rrezikojnë. Ne jemi në gjendje të vështirë dhe nuk kemi frikë. Megjithatë është normale që emocionet mund të të dëmtojnë gjatë lojës. Duhet të jemi të qetë të bëhemi bashkë e ta kalojmë situatën.

Si është gjendja brenda grupit dhe a mendoni se Flamurtari do të dalë shumë shpejt nga kjo situatë?

Ne as që nuk e diskutojmë që të biem nga kategoria. Trajneri Duro na ka parë dhe e ka marrë grupin tonë, pasi beson te ne, kështu që edhe ne besojmë në veten tonë. Nëse bëhemi bashkë dhe luajmë si në ndeshjen e fundit, rezultatet do të vijnë.

Sa i rëndësishëm është tifozi në tribuna për ju?

Në këtë gjendje që ne jemi, është shumë e rëndësishëm prania e tifozëve në stadium. Pasi tifozi për ne është një adrenalinë. Mbështetja e tyre të çon përpara edhe kur ti je i dëshpëruar. Të ndihmon edhe ty si lojtar në një pasim të keq, në një veprim të gabuar. Të ndihmon përkrahja e tyre.

donjet shkodra

Me Partizanin luani të shtunën. Cili është komenti juaj për këtë ndeshje?

Nëse luajmë në të njëjtën mënyrë si me Kukësin, do të arrijmë një rezultat shumë pozitiv. Normal që loja është në nivele të ndryshme, por kemi një grup të mirë, një staf të mirë dhe po përpiqemi që të punojmë çdo ditë me seriozitet e punë maksimale.

Me Partizanin do të luani nga fillimi?

Mbetet për t’u parë. Këtë gjë e di më mirë trajneri, pasi ai më shikon më mirë në stërvitje. Normalisht që unë si lojtar kam pasur dëshirë që të hyj në lojë. Kam besim më shumë te trajneri, sesa te vetja ime. Dëshira ime është normale që të luaj.

Keni shtuar në peshë?

Jam lojtar që kur mbaroj stërvitjen dhe sezonin, shtoj në peshë me një javë. Por hiqet shumë shpejt. Kam një ose dy kile më shumë, por këto kile do t’i heq, pasi pas çdo ndeshje unë bie një ose dy kile.

Luhet pa tifoz me Partizanin. Mendoni se këto ndeshje ndikojnë edhe në përgjumjen e lojtarëve?

Partizani ka shumë tifozë e kjo edhe për ne është kënaqësi. Mendoj që më keq mungesa e tifozëve është për Partizanin. Nuk është gjë e mirë.

berisha bushic shkodra

Cili është statusi i Donjetit jashtë futbollit, i fejuar apo jo?

Nuk jam akoma i fejuar, por jam në një lidhje me një vajzë që jeton në Gjermani, e cila është shqiptare. Të shikojmë tani me kohën…

Familja vjen shpesh që t’ju ndjekë në stadium?

Babai është në Belgjikë, ka qenë i ngarkuar, por tani besoj se do të vijë të më shikojë.

Cili është tifozi juaj më i zjarrtë në familje?

Babai im, pasi ka qenë edhe futbollist vetë, para luftës në Kosovë. Gjithashtu, ai ka qenë edhe trajner i Gjilanit, para luftës.

Nëse do të largoheshit nga Flamurtari, cilin ekip do të preferonit?

Nuk e kam menduar këtë.

Cili ekip europian ju pëlqen, apo bëni tifo? Më pëlqen Bajerni, pasi është edhe e trashëguar në familjen time dashuria për të. Më pëlqen edhe Ançeloti.

I rikthehemi kampionatit shqiptar. Cili ekip mendoni se është për titull?

Unë për titull shikoj më shumë Skënderbeun. Kukësi mendoj se do ta ketë të vështirë. Për këtë që po them i referohem ndeshjes që Kukësi zhvilloi në Vlorë. Por të tria ndeshjet që kemi luajtur me Kukësin kemi pasur mundësinë për të dalë me fitore. Ndoshta në Kukës, barazimi do të ishte rezultati më i drejtë, nisur nga loja si rastet.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"