Rigjetën fitoren ndaj Dinamos, mbrojtësi i Teutës: Synimet tona nisin aty ku e mbyllëm vjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 10, 2021 | 21:30

Rigjetën fitoren ndaj Dinamos, mbrojtësi i Teutës: Synimet tona nisin aty ku e mbyllëm vjet

Teuta e mbylli me sukses ndeshjen e javës së 12-të ndaj Dinamos, që u fitua në shifrat 1-0. Në “Elbasan Arena” durrsakët e Renato Arapit u rikthyen te fitorja në kampionat duke marrë një sukses me shumë vlera që i ngjiti në vendin e tretë të renditjes. Një nga lojtarët që bëri mirë në këtë sfidë ishte dhe Blerim Kotobelli.

KOTOBELLI

Në një prononcim për “Panorama Sport” mbrojtësi i majtë, që nga Arapi po preferohet në qendër të mbrojtjes, theksoi se fitorja e fundit shërben shumë për vazhdimësinë. Kotobelli shpreson që Teuta me ketë ecuri të shkojë deri në fund të sezonit, ku ai kërkon të kontribuojë sa më shumë për ekipin dhe që të arrijnë objektivat.

Teuta rigjen fitoren, jeni të lumtur për suksesin ndaj Dinamos?
Jam shumë i kënaqur, luanim kundër Dinamos, një ekip që kërkonte vlerësim maksimal dhe që bën një futboll mjaft të mirë. Fituam me lojë, zemër, dëshirë, pra, me pak fjalë me të gjithë komponentët. Çunat kanë dhënë maksimumin në fushë dhe për këtë unë dua t’i falënderoj të gjithë shokët për sakrificën që kanë bërë në këtë takim.

E nisët si qendërmbrojtës, jo në rolin tuaj, sa i kënaqur jeni?
Punuam gjatë javës për këtë ndeshje dhe na shkoi mirë, pasi fituam ndaj një kundërshtari të vështirë. Tani duhet të vazhdojmë kështu, për t’u përmirësuar edhe më shumë. Unë e nisa ndeshjen në qendër, por me kalimin e minutave, po ndihesha më mirë dhe përmirësohesha. Pastaj erdhi goli, që ishte mjaft i rëndësishëm për skuadrën. Kohë për të menduar nuk ka, pasi të hënën vjen një tjetër ndeshje ku përballeni me Kukësin.

Si e prisni këtë takim me ishskuadrën?
Ndaj Kukësit do të jetë një sfidë speciale për mua, pasi kam kaluar shumë mirë në atë ekip. Ne vijmë pas një rezultatit pozitiv, jemi një Teutë shumë më e konsoliduar dhe me një grup shumë më të fortë. Teuta ndaj çdo kundërshtari luan për fitore. Keni luajtur me Kukësin dhe logjikisht e njihni mentalitetin dhe stilin e lojës së tyre.

A do të ndihmojë ky fakt në këtë duel të radhës?
Do të jetë një ndeshje e rëndësishme për ne dhe nuk duhet të humbasim. Kukësi ka ndryshuar shumë nga ai që kam qenë unë. Ka shumë djem të inj, 90% është skuadër e re. Do ta përgatisim ndeshjen që të marrim tri pikët. Duhet të kemi edhe pak fat, pasi edhe fati është pjesë e futbollit.

Objektiv është titulli, por a jeni i bindur se Teuta do të jetë në luftë për të mbrojtur kurorën e kampionit në fuqi?
Synimet tona nisin aty ku e kemi lënë vjet. Për sa i përket pretendimit për titull, është akoma shpejt të flasim, por nuk mund ta fsheh se të gjithë kemi një dëshirë të tillë. Gjithashtu, ekipi ynë ka pretendime edhe në Kupë. Do të luftojmë deri në fund në të dyja frontet.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"