REPORTAZH/ Një ditë në fshatin e Armando Brojës, fushë edhe brenda… shtëpisë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2021 | 17:12

REPORTAZH/ Një ditë në fshatin e Armando Brojës, fushë edhe brenda… shtëpisë (E PLOTË)

Në një distancë prej 26 kilometrash nga Shkodra është fshati Kamicë në Malësinë e Madhe. Në hyrje të fshatit, në të majtë dallon një shtëpi, e cila në oborrin e saj ka një fushë të vogël futbolli dhe një portë.

brojaShtëpia e familjes Broja në fshatin Kamicë

Është banesa e familjes Broja. Aty lindi dhe u rrit derisa emigroi Xhevahir Broja, babai i Armando Brojës, futbollistit të Kombëtares shqiptare që u kthye në një hero në përballjen me Hungarinë, duke u dhënë fitoren kuqezinjve.

“Panorama Sport” udhëtoi dje atje ku ka rrënjët talenti kuqezi. Pothuajse të gjithë kanë emigruar në fshatin Kamicë, por ende gjen kushërinj të familjes Broja dhe bashkëfshatarë që e njohin këtë familje.

BROJAArmando Broja me familjen dhe të afërm të tij gjatë një feste

Në oborrin e shtëpisë së babait të tij, Armando Broja, që në vogëli tregoi dashurinë e madhe për futbollin. Fusha dhe porta qëndrojnë prej më shumë se 10 vitesh në atë oborr, ku ylli i kombëtares shqiptare shënoi golat e parë në fëmijërinë e tij.

brojaPamja e fushës përballë banesës

Edhe pse lindi në Angli, Armando thuajse çdo vit ka ardhur në fshatin e babait, në Kamicë, duke takuar kushërinjtë e bashkëfshatarët.

Festim Broja dhe Sokol Broja janë dy kushërinj të tij, ndërsa bashkëfshatarët Idriz Kurtulaj dhe Ahmet Musiqaj tregojnë për gazetën marrëdhëniet e mira me familjen e Armandos.

Ata rrëfejnë se si për arsye ekonomike familja Broja emigroi prej më se 20 vitesh drejt Anglisë. Festim Broja, disa herë ka shkuar në Angli duke u takuar me Armandon dhe familjen e tij, ndërsa kanë ndarë shumë momente së bashku duke ruajtur afrimitetin mes kushërinjsh.

245183332_197048169207012_9134859560190335002_n

Festimi thotë se prej 10 vitesh talenti i Kombëtares shqiptare stërvitet intensivisht dhe rrëfen se si nëna e tij, Blerina, ka sakrifikuar duke e shoqëruar kudo në stërvitje e ndeshje djalin e saj, Armando.

245037587_3230435457190496_3168527328483900437_n

Golin e shënuar ndaj Hungarisë dhe fitoren që Broja i dha Kombëtares kuqezi e përjetuan me një emocion të madh. Ahmet Musiqaj, nip në fshatin e Kamicës, tregon një fakt interesant se si babai i Armandos, Xhevahir Broja, ka investuar për të rikonstruktuar varrezat e gjithë fshatit Kamicë.

Në këtë fshat ku rrjedh sulmuesi kuqezi, krenaria për suksesin e Armandos është e pafundme. Broja nuk ka nevojë për ftesë që të rikthehet në Kamicë, ashtu siç ka bërë gjithmonë në fëmijëri dhe gjatë adoleshencës. Të gjithë janë të sigurt se nuk do ta harrojë fshatin e familjes së tij

 

SENAD NIKSHIQI – PANORAMASPORT.AL

*Ky artikull është ekskluzivisht për “PanoramaSport.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"