Prapaskenat e stadiumit, Dervishaj: Ja e vërteta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2016 | 15:47

Prapaskenat e stadiumit, Dervishaj: Ja e vërteta

Akuza, dilema, poli tikë, paqartësi, një firmë fituese dhe një stadium që pritet të mbyllet brenda dy vitesh. Kjo është panorama e dhuruar pas prezantimit të projektit. arben dervishaj“Arena Kombëtare” do të jetë impianti më i madh sportiv në Shqipëri, me një kapacitet prej 22 mijë vendesh dhe pa diskutim më moderni.

Një stadium që kap vlerën e 50 milionë eurove dhe kjo shifër mjafton që të ketë edhe debat politik. Aq më tepër kur firma e përzgjedhur për ta ndërtuar, është gjithashtu shqiptare. Por, në mes “vorbullës” së pikëpyetjeve, specialisti i duhur që mund të shpjegojë më saktësisht gjithçka është profesor Arben Dervishaj. Anëtari i Komitetit Ekzekutiv në FSHF, “autor” i ndërtimit të stadiumit të Elbasanit dhe atij të Shkodrës, sqaron gjithçka, nga tentativat e dështuara me firmat e tjera në të shkuarën, deri tek akordi dhe detajet e marrëveshjes me firmën “Alb Star”.

Si është e mundur që ka kaq shumë paqartësi mbi stadiumin e ri?

Nuk ka paqartësi. Thjesht është krijuar konfuzion nga akuzat e kohëve të fundit.

Atëherë, të japim disa përgjigje për pikëpyetjet e ngritura së fundmi. Si u përzgjodh firma fituese?

Ne hapëm një tender për stadiumin. U paraqitën shumë firma, angleze, gjermane, italiane apo shqiptare…

U njoftua për tenderin? Pati lajmërime në media?

Po, po. Pa diskutim. Edhe në media, edhe në faqen zyrtare të Federatës.

Dhe cilat ishin kriteret për firmat pjesëmarrëse?

Kushti më i rëndësishëm për ne ishte në aspektin financiar. Nuk donim që të dështonim sërish, ndaj kërkonim që firmat të kishin garanci financiare 15% të shumës së projektit. Më pas, duhet të propozonin projektet, duke respektuar kushtet që ne kishim vendosur. Pra, stadium mbi 20 mijë vendesh, i nivelit të katërt ose të pestë të UEFA-s.

Si është e mundur që firma fituese mbeti si kandidate e vetme?Në dijeninë time, duhet të jenë të paktën tri firma pjesëmarrëse, që një tender të jetë i vlefshëm…

Po, edhe ne e patëm këtë kusht. Por, pjesa më e madhe e firmave që morën pjesë, u tërhoqën në fund. Ka qenë edhe firma e zotit Dulaku, e cila kërkoi shtyrje të afatit, duke kërkuar kohë, kur kishin mbetur edhe pesë ditë. Por, ne nuk mund ta shtynim tenderin kur kishin mbetur edhe pesë ditë, sepse ne i kishim lënë kohë në dispozicion për të bërë kërkesat. U kishim lënë 40 ditë. Sa i përket pjesës që mbeti vetëm një firmë, FSHF-ja, duke qenë ent jopublik, sepse ne jemi privatë dhe “Qendra Kuqezi” është shoqëri aksionere, mund të mos i zbatojë rregullat e prokurimit publik. Pra, edhe me një firmë mund ta quajë të vlefshëm tenderin. Prona ku do të ndërtohet stadiumi ka një vlerë shumë të madhe në treg.

Si është e mundur që nuk u provua një formë tjetër, duke mos e shitur te privati. Mbase me koncesion, ose duke marrë vetë kredi dhe duke lënë kolateral pikërisht atë pronë?

E kemi menduar edhe këtë alternativë. Por, nuk gjetëm dot asnjë bankë shqiptare që mund të na jepte kredi, sepse bëhej fjalë për një shifër shumë të madhe parash. Duke ditur kushtet, ajo duhet të zgjaste 35- 40 vite dhe bankat shqiptare nuk japin kredi me afat të tillë. Pra, kjo mundësi ra. Patëm edhe rastin me koncesion, me kompaninë “Serenissima”, i cili gjithashtu nuk funksionoi.

Pse nuk funksionoi?

Sepse firma donte garanci financiare nga parlamenti. Negociuam, por ata e vunë kusht; ose garanci, ose tërhiqen. Kështu që nuk u arrit një marrëveshje. Ne nuk e ndërtonim dot, qeveria s’e ndërtonte dot, sepse ishte periudhë krizë, atëherë vendosëm që të shisnim një pjesë. Në dhjetor të vitit të kaluar, qeveria mori një vendim, që një pjesë mund të përdorej për ambiente biznesi, ndërsa pjesa tjetër do qëndronte me karakter sportiv, pa të drejtë për ndryshim destinacioni.

Të kalojmë pak te detajet e projektit. Si do të jetë kulla?

Është përfolur shumë kulla. Unë mendoj se është më tepër pjesë e politikës. Ajo do të ketë një pjesë shumë të vogël të sipërfaqes së biznesit. Në total nuk i kalon 6 mijë metrat katrorë. Do të jetë 15 kate mbi nivelin e stadiumit.

Si është bërë ndarja midis FSHF-së dhe kompanisë që do ta ndërtojë?

Që ta sqarojmë edhe këtë pjesë, se gjithashtu ka pasur abuzime. FSHF-ja do ketë në pronësi të plotë të gjitha ambientet sportive. Madje, edhe fondi prej 10 milionë eurosh që do të jepet nga UEFA do përdoret prej firmës vetëm për stadiumin. Përveç kësaj, Federata do ketë edhe 12 mijë metra katrorë në dispozicion, te pjesa e hapësirave të biznesit, që do shërbejnë si zyra.

Po firmës sa i mbeten?

Nuk e di me saktësi, por besoj se 25 mijë metra katrorë.

Po parkingu?

Ai do jetë gjithashtu në pronësi të firmës “Alb Star”. Do jenë dy kate parking, vetëm nën tokë. Aktualisht, pjesa ballore e stadiumit është një hapësirë e dhënë me koncesion për parking.

Si do të zgjidhet kjo gjë?

Hapësira përballë do të jetë në dispozicion për stadiumin dhe do jetë tip pedonale. Nuk do ketë parking. Për këtë pjesë, besoj se do ta zgjidhë qeveria. Duke qenë se firma do ndërtojë edhe stadiumin, për të cilin nuk do ketë pronësi.

A keni vendosur kushte mbi cilësinë?

Pa diskutim që po. I kemi paracaktuar të gjitha dhe do jenë cilësore. Madje, ne po negociojmë që të marrim pak më shumë hapësira te pjesa e biznesit, sepse duam ta përdorim për tribunën VIP. Tribuna kryesore, do klasifikohet e gjitha VIP. Ndërkohë, do ketë edhe lozha për kategorinë “Ultra VIP”, të cilat mund të kenë një hapësirë prej afro 3 mijë metra katrorë. Do të jenë me kushte shumë moderne. Edhe pjesa e fushës dhe barit do jetë me ngrohje, e një kualiteti maksimal.

Si është e vërteta me çështjen e fasadës ballore, që është monument kulture. Në fillim nuk ishte në projekt, ndërsa tani është futur…

Ka qenë thjesht një gabim shpejtësie nga ana e firmës. Duke qenë se po kërkonim që ta zyrtarizonim, firma kishte dërguar foto të projektit, pa pjesën e fasadës. Por, ajo do të jetë e inkorporuar. Do vendosen vetëm detaje të vogla, të tipit do vishet me xham, apo jo.

Për ta mbyllur, me një ide më të qartë mbi përfundimin. Kur do jetë gati stadiumi?

Fiks dy vite, pasi të jetë marrë leja. Besoj se edhe leja nuk do vonojë, duke ditur vullnetin e palëve. Firma ka detyrim të paracaktuar në kontratë, që brenda dy vitesh të përfundojë stadiumin. Ai duhet të jetë gati, në të kundërt ka penalitete financiare, që mund të arrijnë deri në sekuestrimin e garancisë që kanë dhënë, që është 15% e vlerës totale…

EMRI
“Arena Kombëtare”
KAPACITETI
22 000 vende + tribuna e gazetarëve
KOSTO E PARASHIKUAR E NDËRTIMIT
50 milionë euro
NDARJA E SHPENZIMEVE
FSHF- 10 milionë euro (Investim
nga UEFA)
“Alb Star”- 40 milionë euro
NDARJA E PËRQINDJEVE
FSHF- Ambientet sportive (Fusha,
stolat, tribunat e mediave, zonën
VIP, disa prej sipërfaqeve të zyrave)
“Alb Star” – Ambientet tregtare të
ndërtesës
HAPËSIRAT TREGTARE
FSHF – 12 000 metra katrorë pronësi
“Alb Star” – 25 000 metra katrorë
pronësi
KATET E STADIUMIT
Dy
HYRJET NË IMPIANT
Katër, një për secilën anë
gjeografike të ndërtesës
FUNKSIONET E NDËRTESËS
Hoteleri, zyra, dyqane, parking,
stadium
KULLA
Lartësia – 19 kate (katër në
lartësinë e stadiumit dhe 15 mbi
stadiumin).
Hapësira – Sipërfaqja e
përgjithshme: 6000 metra katrorë
(afërsisht)
FUNKSIONET
Tregtare, zyra, hoteleri.
DETAJE SHTESË
Tribuna të mbuluara.
Fushë me ngrohje.

Përgatiti: FATION SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"