Përplasje në debutim, Elis Bakaj “sherr” me Bruno Ditën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2017 | 9:34

Përplasje në debutim, Elis Bakaj “sherr” me Bruno Ditën

Elis Bakaj i solli fat Vllaznisë në ndeshjen e djeshme, por në debutimin e tij me fanellën kuqeblu nuk munguan përplasjet. Ato nisën në fushë, ku shkak u bënë disa ndërhyrje të rënda të mbrojtësve të Teutës ndaj tij, dhe përfunduan në tunel, kur sulmuesi i Vllaznisë u provokua jo pak.

Bakaj vs Teuta

Fillimisht ishin disa vendime të gjyqtarit Lorenc Jemini ato që acaruan jo pak tifozët. Ndaj Bakajt pati një markim të rreptë, veçanërisht nga mbrojtësit Hoxha dhe Markoviç, por në disa raste ndërhyrjet e tyre u konsideruan të rregullta nga Jemini. Kjo bëri që tifozët të revoltoheshin, ndërsa kulmi arriti në minutën e 70-të. Hoxha dhe Dita u kapën me Bakajn, teksa për dy minuta loja u ndal prej kaosit të krijuar nga lojtarët e të dyja skuadrave. Në këtë moment, trajneri i Teutës, Gugash Magani, duke parë sjelljen e Ditës, e zëvendëson menjëherë.

Por, pak minuta më pas, edhe Bakaj lë fushën e lojës mes duartrokitjeve të tifozëve shkodranë. Mirëpo, kur mendohej se tensioni u mbyll në fushë, ai vijoji edhe në hollin e stadiumit. Ishte mesfushori Bruno Dita ai që kërkoi të debatonte sërish me Bakajn. Në këtë moment, drejtuesit e klubit kuqeblu, por veçanërisht drejtori i stadiumit, Armir Grimaj, kanë ndërhyrë për të sheshuar debatin.

Trajnerët

Nëse Elis Bakaj dhe Bruno Dita kanë kërkuar që të sqarojnë njëri-tjetrin pas ndeshjes mes debateve, e kundërta ka ndodhur me dy trajnerët, Gugash Magani i Teutës dhe Armando Cungu i Vllaznisë. Të dy janë përqafuar para takimit, duke i uruar suksese njëri-tjetrit. E njëjta gjë ka ndodhur edhe pas ndeshjes mes dy trajnerëve.

Tifozët

Vazhdon shterpësia e tifozëve në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”. As rritja e temperaturave dhe as zhvillimi i takimeve në oraret e drekës nuk kanë ndikuar në rritjen e numrit të tifozëve. As 500 të tillë nuk kanë qenë në takimin Vllaznia-Teuta, e vlefshme për turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë.

Progni

Mesfushori i Teutës, Gerhard Progni, nuk arriti të futej në fushë që në sekondën e parë të pjesës së dytë. Në fakt, Teuta kërkoi zëvendësim pa nisur pjesa e dytë, por stafi durrsak u vonua në kërkesën ndaj gjyqtarit të katërt dhe kryesori Jemini nuk duroi, duke nisur ndeshjen. Për afro dy minuta, Teuta luajti me 10 futbollistë, derisa gjyqtari sinjalizoi për zëvendësimin dhe futjen në fushë të Prognit.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"